Dy gjermanë investojnë 21 milionë euro në Ferizaj

Ndërkohë që kosovarët po ikin nga vendi, një grup investitorësh gjerman tashmë janë vendosur në Ferizaj.
Mike Juraschek, president i kompanisë “Unitas Energy” e partneri i tij Gerhard E. Brazel, planifikojnë të investojnë 21 milionë euro në këtë qytet.

Ata tashmë kanë themeluar  kompaninë, kanë marrë tokën me qira, kanë lidhur kontratat dhe po presin vetëm licencat që të vendosin makinerinë për prodhimin e energjisë nga mbetjet e drunjve.
Në një bisedë për Gazetën Fjala, ata kanë shpjeguar të gjitha këto punë shpresojnë të realizohen brenda këtij viti.

“Komuna na ka ofruar 4.8 hektarë tokë. Për ta marrë materialin, mbetjet drusore, ne kemi marrë me qira 200 hektarë nga qeveria dhe na u është lejuar që t’i marrim materialet që na nevojiten nga aty, d.m.th 55 ton për çdo vit”, tregon Mike Juraschenk.

“Gjithçka do të jetë bio”, thotë ai duke shpjeguar se kjo teknikë i kthen mbetjet e drunjve në energji elektrike pa emetuar gazra.
Sipas tij teknika për konvertimin e biomasës në biothëngjill është patentuar nga ta dhe nuk presin që të kenë as konkurrencë në këtë drejtim.
Fillimisht e gjithë lënda e parë do të merret nga malet në rrethinën e Ferizaj-it.

“Por, ne nuk i prejmë drurët, ne vetëm i marrim drurët e vdekur, mbetjet e tyre”.

Ndërkaq, energjia e prodhuar nuk do të shitet në treg të lirë për qytetarët. Ata po planifikojnë që këtë ta bëjnë vetëm për institucionet publike.
Ende nuk është rregulluar ligjërisht se si do të bëhet një gjë e tillë por kanë marrë premtime nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa se do të ndryshohen procedurat ligjore për ti mundësuar investitorëve kushte më të mira pune.

Teknika e prodhimit është unike dhe diçka e re në tregun e energjisë dhe për këtë sipas tyre kërkon trajtim të vecant edhe nga institucionet. Për këtë thonë se kanë përkrahjen e institucioneve lokale dhe atyre qendrore.

“E kuptoj që është shumë me interes për komunën e Ferzajit të ketë investitorë Gjerman, për të zhvilluar si për komunën ashtu edhe për qytetarët. Dhe kjo është arsyeja se pse na ndihmon aq shumë Kryetari i Komunës”, thekson Mike.

Por, përse zgjodhën Kosovën për të investuar?
“Arsyeja kryesore se pse duam të investojmë është se kosovarët janë puntorë dhe Kosova ka kaluar 15 vite nga lufta e ende ka probleme energjetike”.
Ndërkaq, një arsye e veçantë sipas tyre del të jetë numri i madh i mbeturinave. Ata kanë parë se fshatrat, qytetet dhe rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe ato mund të shfrytëzohen në të ardhmen për të prodhuar energji dhe në të njëjtën kohë të pastrohet ambienti nga to.

“Dhe arsyeja tjetër përse dëshirojmë të investojmë në vendin tuaj është se ekonomia e vendit është shumë e dobët”.
Përmes kësaj kompanie ata thonë se do të punësojnë në Kosovë 114 punëtorë, të cilët do të paguhen mbi mesataren e të ardhurave në vend.
Ndërkaq, gjatë javës investitorët gjerman kanë zhvilluar një mori takimesh me krerët e institucioneve në vend, përfshirë edhe kryeministrin, Isa Mustafa.
Të gjithëve u kanë përcjellë mesazhin se nëse dëshirojnë të rrisin bizneset në Kosovë është e nevojshme të krijohen kushte për investime në Kosovë.

“Një gjë që më tha kryeministri ishte “është shumë e nevojshme që të krijohen kushte biznesi në vend, ashtu sikur vendet perëndimore””, tregon Mike.
Ai është optimist se Qeveria e Kosovës do të marrë parasysh kërkesat e investitorëve dhe do të jetë më miqësor për investimet e huaja.
“Duhet të ndryshohen disa rregulla, sepse po nuk u hapët për investime ju do të hapet dikush tjetër”.

Mike Juraschek, dhe partneri ii tij Gerhard E. Brazel, janë optimist se qeveritarët do ti mbajnë fjalët që u kanë dhënë në takimet që kanë zhvilluar.
Ata presin të lirohen për një periudhë të caktuar nga të gjitha taksat të cilat u janë premtuar nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi Komunal i Ferizajt.
“Mënyra e taksave mendoj se duhet të ndryshojë. Shumë kompani të tjera dëshiruan të investojnë në Kosovë, por shkaku i taksave u larguan”, thonë ata.

Investitorët nga Gjermania, janë të vendosur të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Kosovë. Nuk kanë frikë as nga konkurrenca e as nga ndonjë faktor tjetër.
“Ju keni nevojë për të, dhe ne mund ta krijojmë. Se pse ky biznes është diçka i natyrës së re, dhe është e mirë për ne dhe poashtu për ju”, shprehet me optimizëm.kohaislame
Artikulli paraprakLutfi Haziri: Rruga “Sllobodan Millosheviq”, provokim i rëndë
Artikulli vijuesSkandaloze: Berat Buzhalla i Expresit fyen familjen heroike JASHARI!