E ardhmja politike e Turqisë

Në Turqi, partia në pushtet zhvilloi kohët e fundit takime kyçe për të parashtruar politikat që do të ndjekë vendi për dekadën e ardhshme.

Kryeministri Erdogan lë të kuptohet se mund të kërkojë presidencën pas përfundimit të mandatit të tij të fundit në këtë post

Në Turqi, partia në pushtet zhvilloi kohët e fundit takime kyçe për të parashtruar politikat që do të ndjekë vendi për dekadën e ardhshme. Në një fjalim të rëndësishëm, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan tha se ky do të jetë mandati i tij i fundit parlamentar – por la të kuptohet se mund të kërkojë presidencën që do ta linte atë në pushtet për gati një dekadë.

Më shumë se 10 mijë anëtarë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, e njohur si AKP, që është në pushtet në Turqi, u mblodhën të dielën për kongresin e partisë.

Pika kulmore ishte një fjalim nga kryeministri Erdogan i cili parashtroi të ardhmen e Turqisë – duke përmendur 100 vjetorin e Republikës Turke në vitin 2023.

“Ne kemi një të ardhme të ndritshme. Vendi ynë ka mundësi të jetë një nga fuqitë më të mëdha të rajonit dhe të botës. Ne do të vazhdojmë të përparojmë drejt objektivave tona për vitin 2023 dhe për të ndërtuar të ardhmen e Turqisë krahas asaj të kombit tonë.”

Zoti Erdogan u rizgjodh kryetar i partisë, por konfirmoi se mandati i tij aktual si kryeministër do të jetë i fundit, në përputhje me një rregullore të partisë që e ndalon atë të qëndrojë në detyrë më shumë se tre mandate radhazi.

Por ai la të kuptohej se mund të mos ndodhë plotësisht kështu: “muzika ka pauza, por nuk përfundon,” tha ai në fjalimin e tij.

Cengiz Aktar, redaktor politik i gazetës së përditshme turke Zaman thotë se mesazhi i zotit Erdogan ishte i qartë.

“Ajo që dëgjuam pas fjalëve është – “Unë do ta drejtojë këtë vend, qoftë si president apo si kryeministër, përgjithmonë”. Ky ishte mesazhi i tij shumë i qartë. Ky ishte edhe toni i kongresit në tërësi. “

Analistët thonë se një pengesë kryesore për ambicjet e supozuara të zotit Erdogan për president është një rigjallërim në luftën kundër rebelëve kurdë të PKK-së. Sipas sondazheve, dhuna ka rezultuar në kritika në rritje për qeverinë.

Zoti Erdogan përdori kongresin e së dielës për t’iu drejtuar pakicës kurde, duke e vënë theksin tek reformat e paraqitura nga qeveria e tij. Ai tha se politika, dhe jo dhuna, është mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje për kryengritjen prej disa dekadash.

Por analistët thonë se përpjekjet e zotit Erdogan për çështjen kurde mund të mos jenë të mjaftueshme. Tani për tani, ai ka përjashtuar kërkesat e tilla politike nga kurdët si autonomia lokale – një objektiv që kundërshtohet fuqimisht nga elektorati nacionalist i Turqisë.

Soli Ozel i Universitetit Kadir Has në Stamboll thotë se kongresi shpalosi strategjinë e kryeministrit për vendin dhe një fushatë të ardhshme presidenciale.

“Isha në kongres dhe e dëgjova gjuhën e përdorur aty. Kam parë simbolizmin. Gjithçka diskutohet në lidhje me fenë, me një përqasje nacionaliste. Zoti Erdogan po ngacmon ndjenjat nacionaliste dhe fetare të 60-65 për qind të elektoratit që janë në pjesën e djathtë të spektrit dhe që përbëjnë shumicën dërrmuese të elektoratit turk. “

Një qëndrim i tillë plotëson objektivat e politikës së jashtme të zotit Erdogan: duke e paraqitur Turqinë si një model të botës myslimane.

Kongresi i partisë tërhoqi figurat kryesore politike kryesisht nga vendet myslimane anembanë rajonit, duke përfshirë edhe presidentin egjiptian Mohamed Morsi. Gazetari Aktar i së përditshmes Zaman thotë se kongresi tregon qartë drejtimin e ardhshëm të Turqisë.

“Zoti Erdogan nënvizoi, përsëriteti dhe theksoi një lloj vizioni të ri për Turqinë, me shumë shtirje dhe ambicie ndaj botës dhe në mënyrë të veçantë ndaj asaj myslimane.”

Zoti Erdogan nuk e përmendi Bashkimin Evropian, gjatë fjalimit të tij prej gati tre orësh. Deri kohët e fundit, sigurimi i anëtarësimit në BE ka qenë një prioritet i politikës së jashtme të qeverisë turke.

Artikulli paraprakItali, parulla kundër shqiptarëve: Hidhini në zjarr
Artikulli vijuesKonsumoni vazhdimisht mjaltin