"E fshehta" e pështymës

Sëmundjet si diabeti, Alzajmeri, sëmundjet akute të zemrës etj. mund të zbulohen nga pështyma. Për arsye se procesi i marrjes së pështymës është i shpejtë, i thjeshtë dhe pa dhembje, analiza e saj mund të jetë një “dritare” për vëzhgimin e shëndetit të njeriut. Le të shohim se si mund t’i diagnostikojnë doktorët nëpërmjet pështymës sëmundjet.
 
Në të ardhmen jo të largët, kur të shkosh tek dentisti, ai mund të të tregojë edhe për sëmundjet nga të cilat rrezikohesh, si kanceri i gojës dhe ai i gjirit, sëmundja e sheqerit e madje edhe sëmundja e Alzajmerit etj.
 
Për një kohë të gjatë shkencëtarët kanë treguar interes të madh për diagnostikimin e sëmundjeve nëpërmjet pështymës. Vitet e fundit kërkimet në këtë fushë kanë arritur përparime relativisht të mëdha. Është mësuar përbërja fillestare proteinike e pështymës. Tani kur janë zbuluar më shumë përbërës të pështymës, shkencëtarët mund të dallojnë marrëdhëniet midis ndryshimeve të saj dhe sëmundjeve. Nëpërmjet analizës së lëndëve të trashëguara në pështymë, mund të zbulohen gjene që tregojnë rrezikun nga sëmundjet.
 
Sipas studimeve, kanceri i gjirit, sëmundja e sheqerit, sëmundja e Alzajmerit etj. japin shenja të veçanta në pështymë. Përveç kësaj, edhe proteinat që kanë lidhje me veprimtarinë e zemrës shfaqen në pështymë. Kur ndodhin sëmundje zemre, niveli i këtyre proteinave ngrihet. Këto zbulime, duke përfshirë epërsinë e procesit të shpejtë, të thjeshtë dhe pa dhembje të marrjes së pështymës, kanë bërë që përshtyma të bëhet, siç thamë, një “dritare” për vëzhgimin e shëndetit të njeriut.
 
Deri tani shumica e diagnostikimeve bëhen nëpërmjet analizave të gjakut. Por marrja e gjakut ka nevojë për laborante me përvojë dhe analizimi i tij kërkon pajisje të veçanta.
 
Kurse marrja e pështymës është shumë e thjeshtë. Tani po bëhen përpjekje për prodhimin e pajisjeve të diagnostikimit të menjëhershëm, që kanë nevojë vetëm për disa pika pështyme. Këto lloj pajisjesh mund të përdoren në klinikat dentare ose në sallat e urgjencës.
 
Dy të tretat e proteinave në pështymë vijnë nga vetë gjëndrat e pështymës dhe mbrojnë prej mikroorganizmave në zgavrën e gojës, kurse proteinat e tjera luajnë rol në tretjen e ushqimeve, në shërimin e plagëve ose për kontrollin e baktereve në gojë. Disa proteina të tjera në pështymë vijnë nga pjesë të tjera të trupit të njeriut, si mëlçia, mushkëritë ose zemra. Nëpërmjet analizimit të këtyre proteinave mund të zbulohen probleme të shfaqura në trupin e njeriut. 

Studimet kanë treguar se në pështymën e të sëmurit me kancer mund të përfshihen disa proteina të pazakonta. Marrëdhëniet midis ndryshimit të proteinave dhe sëmundjeve të ndryshme mund të jenë simptoma të këtyre sëmundjeve. Një grup kërkuesish në Minesota të ShBA-së kanë bërë përpjekje për hetimin e simptomave të proteinave gjatë kancerit të gojës. Ata mblodhën jo vetëm pështymën e të sëmurëve me kancer goje, por morën edhe mostra nga goja e të sëmurëve para se të prekeshin nga kanceri i gojës. Ata vunë re se kishte ndryshime në sasinë e dy lloje proteinash në pështymë. Për të provuar këto ndryshime, ata po mbledhin tani më shumë mostra.
 
Këto shenja paraprake janë shumë të rëndësishme për sëmundje si kanceri i gojës etj., sepse diagnostikimi në kohë i këtyre sëmundjeve ka mjaft vlerë për mjekimin e tyre.
 
Nga ana tjetër, analizimi i pështymës mund të jetë një mjet për zbulimin e sëmundjes së Alzajmerit. Vitin e kaluar shkencëtarët e Qendrës Kërkimore Biomjekësore për Sëmundjet Neurodegjenerative në Madrid të Spanjës vunë re në pështymën e të sëmurëve neurodegjenerativë shtimin i një lloji proteine të lidhur me dëmtimin e trurit. Kjo proteinë mund të ndihmojë diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje dhe, mbi këtë bazë, mjekimi i sëmundjes neurodegjenerative është më i efektshëm.
 
Për arsye se ekzistojnë shumë simptoma të sëmundjeve, shkencëtarët po bëjnë përpjekje për prodhimin e një lloji pajisjeje për kontrollin dhe analizimin e përbërësve të pështymës. Kjo pajisje mund të zbulojë më shpejt dhe më saktë sëmundjet e zemrës dhe gjithashtu mund të paralajmërojë për rrezikun e disa sëmundjeve, si osteoporoza, kanceri etj.
 
Diagnostikimi i shumë sëmundjeve nëpërmjet analizës së pështymës me pajisje të kontrollit biologjik pritet të arrihet brenda dy-tre vjetëve të ardhshëm. (Du/Artani)
Artikulli paraprakMbani dietë dhe nuk dobësoheni?- Ja arsyet
Artikulli vijuesÇfarë dimë gabim për sëmundjet e lëkurës?