Në Prizren një burrë e ka rrahur një vajzë të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore pasi që e njëjta e kishte refuzuar atë që të fillojë një lidhje dashurie me të.
Policia në Prizren njofton se mbrëmë rreth orës 20:30 minuta, në rrugën “De Rada” në Prizren, i dyshuari Pal Sh. e ka rrahur një vajzë e cila është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për shkak të lëndimeve trupore.
Sipas hetuesve policorë që kanë nisur me hetimin e rastit, thuhet se i dyshuari e kishte rrahur vajzën me grushte duke i shkaktuar mavijosje të dukshme në pjesën e syve, hundës, buzëve, qafës dhe kokës.
Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur në afërsi të ish “Ben-Af” dhe se motivi i këtij zemërimi thuhet të jetë refuzimi i vajzës për të krijuar lidhje dashurie me të dyshuarin.
Pas këtij veprimi, i dyshuari kishte ikur në drejtim të panjohur, ndërkaq sot është arrestuar nga policia.
Pas intervistës, në konsultim me prokurorin e shtetit, të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë ndërsa policia po e përgatit kallëzimin penal të cilin do t’ia kalojë prokurorisë për procedurë të mëtejme. /KP/