Pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) me të cilin vërtetohet se Ministria e Shëndetësisë ka respektuar procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës lidhur me tenderin për Klinikën e re Emergjente në QKUK thotë kumtesa nga MSH dhe shton se Ministria ka nënshkruar nga ana e saj kontratën që i hap rrugë ndërtimit të kësaj qendre dhe fuqizimit të shërbimeve shëndetësore emergjente në Kosovë, thuhet në njoftimin për media.
Operatori i përzgjedhur për ndërtimin e kësaj qendre është kompania “Al Trade” SHPK, kurse çmimi total i punimeve sipas kontratës do të jetë 8.106.238 Euro.
Sipas kontratës, punimet në ndërtimin e klinikës duhet të fillojnë dy javë pas nënshkrimit të saj, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Klinika e re Emergjente parashihet t’i ketë pesë kate, sipërfaqe prej 17.500 metrave katrorë me shërbime të integruara emergjente, dhoma të mjaftueshme të intervenimeve dhe triazhimit, mbi 200 shtretër dhe pajisje të reja, që do t’i mundësojnë personelit kushte shumë më të mira për punë, ndërsa pacientëve mundësi për shërbime sa më cilësore shëndetësore.
MSh shpreh përkushtimin e saj për të përkrahur fuqizimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore në Kosovë, në mënyrë të veçantë shërbimet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shpëtimin e jetës së qytetarëve të saj.
Gjithashtu, MSh pret që investimi në Klinikën e re Emergjente, të jetë një motiv shtesë për profesionistët shëndetësor për të ofruar shërbime emergjente sa më gjithëpërfshirëse për qytetarët e vendit dhe siguron që krejt procesi do të shoqërohet me një transparencë të plotë, sikurse edhe procedurat deri në lidhjen e kësaj kontrate.
Kompania “Al-Trade” po ashtu e ka fituar tenderin për ndërtimin e stadiumit të Prishtinës.