Shkruan: Zeqirija Ibrahimi
Unë vitin e ardhshëm do të jem 40 vjeç, ndërsa nipi im pas dy ditëve i mbush 15-të. Ai është i lindur në vitin 2001, pak ditë pasi kishin filluar luftimet. Dhe, u ndalëm një ditë me nipin tim ta analizojmë sekush ka jetuar ose kush jeton më mirë si fëmijë dhe hesapi na doli kështu:
Në kohën time arsimtarët i detyronin të dalin në pritje të Shokut Tito, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, i detyrojnë të dalin ta presin kryetarin e Partisë.
Në kohën time arsimtarët i detyronin të dalin ta presin stafetën, sepse përjashtoheshin nga puna ose diferencoheshin si të papërshtatshëm, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, arsimtarët i detyrojnë të dalin ta presin shqiponjën ilegale – në të kundërtën përjashtohen nga puna ose ndëshkohen.
Në kohën time na i bënin të dashura shaminë e kuqe dhe kapelën e pionierit, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, ua bëjnë të dashur fotografinë e liderit, kapelën me emblemë partiake dhe flamurin e Partisë.
Në kohën time drejtori i dënonte arsimtarët dhe nxënësit që e agjëronin Ramazanin, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, kryetari i Partisë, që e dimë të gjithë se nuk ka kurrfarë respekti për Ramazanin, e përdor muajin e agjërimit që të bëjë politikë.
Në kohën time para nesh gjithnjë rrinte fotografia e Shokut Tito, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, para tij gjithkund shfaqet fotografia e Kryetarit të Partisë.
Në kohën time na e mësonin këngën “Druzhe Tito mi ti se kunemo!”, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, kënga më e preferuar është ajo që e këndon Kryetari i Partisë “Isa Boletini vet ka ardhë”.
Në kohën time me “samopridones” na i vidhnin paratë që të ndërtojnë objekte publike, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, me “haraç publik” i detyrojnë afaristët dhe punëtorët shqiptarë të paguajnë për përmendoret ilegale, si ajo e Isa Boletinit në Saraj.
Në kohën time askush nuk guxonte që nënat tona t’i detyrojë të shkojnë në tubim të partisë, sepse për të babai shqiptar nxirrte plumb, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, e detyrojnë arsimtaren e tij (që është nënë e dikujt) të shkojë patjetër në tubimin e Forumit të Gruas të Partisë.
Në kohën time të rriturit kishin kujdes se me kë pinë kafe, sepse udbashët të spiunonin menjëherë se “filani ka pirë kafe me një nacionalist”, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, të rriturit kanë frikë të pinë kafe publikisht me ata që nuk janë anëtarë të Partisë ose që janë në një parti tjetër.
Në kohën time ata që bënin shkarje nga rregullat e Partisë i detyronin të bëjnë autokritikë për “gabimin” që e kanë bërë, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, i detyrojnë punëtorët të japin dhjetëra shpjegime pse u ka qëlluar rruga në një tubim të një partie tjetër.
Në kohën time serbët e JNA-së e vranë Aziz Kelmendin sepse kishte qenë “nacionalist, separatist e irredentist”, rrjedhimisht kundër Partisë, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, i vranë shumë të rinj shqiptarë (shumica komandantë të UÇK-së), sepse kishin qenë po ashtu kundër Partisë.
Në kohën time e burgosën Ukshin Hotin e Adem Demaçin dhe shumë veprimtarë të tjerë me shumë vite burg, ndërsa sot, në kohën e nipit tim, burgjet nuk po i zënë më shqiptarët – disa prej tyre janë dënuar edhe me burg të përjetshëm.
Vetëm tash arrij ta kuptoj se çfarë ishte ai mesazhi i shkruar në shkollë në kohën time “I po Tito, Tito” (Edhe pas Titos, Tito).