Egjipt: Ka rrezik që ushtria të ndërhyjë në politikë

Ushtria egjiptiane thuhet se u ka dhënë 48 orë kohë rivalëve politikë në vend që të gjejnë një zgjidhje dhe t’i japin fund krizës së thellë dhe trazirave që kanë shkaktuar disa të vdekur në vend.

Në ultimatumin e publikuar nga udhëheqësit ushtarakë thuhet se nëse në përfundim të këtij afati nuk arrihet asnjë marrëveshje mes rivalëve politikë, ushtria do të ndërhyjë dhe do të vendosë “zgjidhjen sipas mënyrës së saj”.

Deklarata e ushtarakëve mbërrin pas protestave të dhunshme që përfshinë vendin në fundjavë dhe vazhduan edhe të hënën. Protestuesit opozitarë kërkojnë dorëheqjen e presidentit Mohamed Morsi, ndërsa është sulmuar edhe selia qendrore e “Vëllazërisë Muslimane” në Kajro.

Të paktën 11 persona raportohen të vdekur nga protestat dhe dhjetra të lënduar, ndërsa zyrat e “Vëllazërisë Muslimane”, partia më e madhe në vend e dalë nga zgjedhjet e para pas rrëzimit të Mubarak, u përfshinë nga flakët.

Lëvizja opozitare “Tamarod” ka caktuar të martën si afat të fundit për ikjen e presidentit, Mohamed Morsi. Nëse ai nuk lë pushtetin apo nuk i hap rrugën zgjedhjeve të reja presidenciale, atëherë do të përballet me një fushatë mosbindje civile. “Tamarod” përjashtoi mundësinë e dialogut me Presidentin.

Të dielën, kjo lëvizje deklaroi se ka mbledhur 22 milione firma në mbështetje të saj. Protestuesit akuzojnë Presidentin se ka dështuar prej një viti për të përballuar problemet ekonomike dhe ato të sigurisë.

/tch/kohaislame

Artikulli paraprakBritani, gjysma e xhamive pre e krimeve islamofobe
Artikulli vijuesJapin dorëheqje katër ministra egjiptianë