“Nuk vlerësoj në kategorinë e të mëdhenjve asnjë vend, që nuk çmon njerëzit. I madh është ai, që u del për zot nevojtarëve”, deklaroi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një fjalimi në Kongresin e Madh të Grave Punëtore, në Ankara.
Në një apel drejtuar vendeve perëndimore, Presidenti Erdogan drejtoi pyetjen: “Ju flisni për të drejtat e grave, por çfarë keni bërë deri më sot dhe çfarë po bëni për të drejtat e 2 milionë njerëzve, që janë strehuar në vendin tim nga Siria dhe Iraku?”
“Theksimi i dallimeve qenësore dhe të natyrshme ndërmjet gruas dhe burrit nuk është diskriminim ndaj grave, përkundrazi është garanci për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të tyre”, theksoi lideri turk.
Më tej, Erdogan vuri në pah se të kundërshtosh abuzimin me trupin e gruas, apo përdorimin e tij si një mall dhe mjet, që mund të shpërdorohet, nuk është diskriminim; por krejt e kundërta, është shenjë respekti ndaj nderit dhe dinjitetit të saj.
Sakaq, një revistë e famshme ka publikuar një shkrim të Presidentit Erdogan me rastin e 8 Marsit, Ditës Botërore të Gruas.
“Nga aspekti i të drejtave dhe përgjegjësive themelore, në Turqinë e Re nuk do të ketë vend për ndonjë dallim, apo diskriminim ndërmjet burrit dhe gruas. Në Turqinë e Re, ku gratë tona do të ofrojnë kontribut për familjet dhe vendin e tyre, do të sipërmarrin përgjegjësi dhe do të vlerësohen lartë nga të gjithë, sipas parimeve të drejtësisë dhe barazisë; askush, qoftë burrë apo grua, nuk do të bëhet pre e trajtimeve diskriminuese”, nënvizon Erdogan në shkrimin e tij për 8 Marsin.kohaislame