Erdogan përsërit: S’jap dorëheqje

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka hedhur sërish poshtë kërkesat e protestuesve që të japë dorëheqje, ndërsa për trazirat në vend ka fajësuar forcat politike të opozitës.

Të hënën, Erdogan është larguar nga Turqia për të vizituar Marokun. Në komentet atje, ai ka parashikuar se situata së shpejti do të qetësohet.

Trazirat kanë nisur të premten e kaluar me një protestë kundër planeve për ndërtime në një park të Stambollit. Por, Erdogan ka thënë se protestat nuk kanë të bëjnë me ruajtjen e drunjve, por janë pjesë e provokimeve të kundërshtarëve.

“Ngjarjet në Turqi nuk kanë të bëjnë asgjë me prerjen e drunjve apo renovimin e parkut. Ata që kanë humbur në zgjedhje, janë prapa tyre dhe përdorin rrugë të ndryshme. Demonstratat nuk janë zhvilluar në secilin qytet. Situata është më e qetë tani dhe njerëzit kanë nisur të përdorin sensin. Para se të kthehem në Turqi, atje do të ketë qetësi”, ka thënë Erdogan.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje autoriteteve turke që të tregojnë vetëpërmbajtje në trajtimin e demonstratave, në të cilat janë plagosur qindra protestues dhe policë./bs/kohaislame

Artikulli paraprakBiblioteka e Qabes në funksion të lexuesve me teknologjinë më moderne
Artikulli vijuesKrimet e luftës, një realitet ditor në Siri