EULEX-i në Kosovë, deri në vitin 2014

Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur sot t’ia zgjasë mandatin e misionit EULEX në Kosovë deri më 14 qershor 2014. Brenda 10 ditësh stafi i EULEX-it do të ketë 700 ndërkombëtarë më pak, kurse stafi lokal do të vogëlohet për 200 veta.
Vendimin për zgjatjen e mandatit të EULEX-it e ka përshëndetur Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

E mirëpres zgjatjen e mandatit të EULEX-it për dy vjet të tjera. EUELEX është duke bërë një punë të rëndësishme dhe të mirë në përkrahjen e sundimit të ligjit në Kosovë. I inkurajoj autoritetet e Kosovës që ta shfrytëzojnë ekspertizën e EULEX-it përderisa ky mision është duke iu adaptuar ndryshimit të rrethanave dhe progresit të arritur. Në të ardhmen do të ketë nevojë që gjithnjë e më shumë përgjegjësitë të merren nga autoritetet lokale”, ka thënë Ashton, transmeton Kosova Times.

Mandati i misionit të EULEX-it në masë të madhe mbetet i pandryshuar, por duke marrë parasysh progresin e arritur gjatë tri viteve të kaluar dhe meqenëse EULEX-i e ka arritur kapacitetin e plotë operacional, si dhe duke marrë parasysh zhvillimet e përgjithshme në marrëdhëniet BE – Kosovë, Misioni do të rikonfigurohet. Kjo ka për qëllim që ta bëjë Misionin më të fortë dhe më efikas.

Meqenëse sektori i drejtësisë mbetet sfida më e madhe, do të ketë një fokusim të veçantë në këtë fushë. Rikonfigurimi përfshinë një zvogëlim të përgjithshëm të stafit të EULEX-it, për rreth 25 për qind.

Që nga 15 qershori i këtij viti, maksimumi i stafit ndërkombëtar të EULEX-it do të jetë 1 250 pjesëtarë dhe 1 000 pjesëtarë lokalë.

Deri më tash, EULEX-i ka pasur rreth 1 mijë e 950 ndërkombëtarë dhe 1 mijë e 200 lokalë. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakGreqi, tërmet në ishullin Zakintos
Artikulli vijuesAktiviteti i tepërt fizik dëmton zemrën