Evropa dhe Islami
Islami nuk është i ri për Evropën. Viti 711 shpesh përmendet si vit kur muslimanët nga Afrika Veriore hynë në Spanjë; edhe pse pika e parë e kontaktit zyrtar me siguri ka qenë në vitin 628 kur Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dërgoi Dihya ibwn Halifa te Herakliusi. Menjëherë pas kësaj, në vitin 652 Mu’avije ibwn Ebi Sufjan dërgoi ushtarë në Sicili. Prej asaj kohe, muslimanët kanë bashkëpunuar me Evropën në një formë ose në tjetër. Madje do të ishte në rregull të thuhet se Islami ka qenë një fenomen evropian për pjesën më të madhe të historisë së tij – gati 800 vjet të civilizimit Islam në Spanjë, dhe më shumë se 250 vjet në Sicili.
Së bashku me themelimin e Komuniteteve Muslimane evropiane kanë ekzistuar edhe momentet tjera të takimit (kontaktit) – prezenca e shkurtë në Francën jugore, konfliktet në Austri dhe, kuptohet, Kryqëzatat.
Në një të kaluar të afërt, bota ka parë Evropën duke kapur dhe pushtuar pjesët tjera të botës gjatë kolonializmit dhe pas saj si dhe arritjen e emigrantëve muslimanë nëpër Evropë në kërkim të punës dhe jetës më të mirë. Që Islami dhe Evropa të mësojnë të pranojnë njëri-tjetrin, duhet të theksohet se historia e përbashkët e Islamit dhe Evropës nuk është vetëm një fotografi e përgjithshme e kësaj ose e asaj, por ajo përmban një numër të madh të bashkëveprimeve në arsim, zhvillim të përbashkët dhe përtneritet. Dijetarët evropian tani jetojnë nën rrethana ku janë të gatshëm të pranojnë ndikimin e jashtëzakonshëm të civilizimit Islam në formimin e Evropës; kontributi i Ibën Haldunit në shoqëri dhe histori, i Al-Razit dhe Ibën Sinas në mjeksi, i Al-Havarizmit në matematikë.
Përdorimi i zakonshëm i fjalëve si alkool, alkimi dhe algjebër, rrjedh nga gjuha arabe. Udhëtimi i evropianëve deri në qendrat e mësimit në Kordoba, Toledo dhe Granada në Spanjën muslimane, është dëshmi e kontributit të Islamit në formimin e Evropës. Dituria e grekëve antikë është ruajtur dhe përvetësuar nga arabët. Shkrimet e Aristotelit, Euklidit, Galenit, Arkimedit dhe të tjerëve janë përkthyer në gjuhën arabe dhe më vonë edhe në gjuhën latine. Në fjalë, gjuha arabe mund të shihet si një nga gjuhët klasike të Evropës.
Orientalisti Montgomery Watt ka thënë: “Nëpërmjet kontakteve tregtare dhe prezencës politike në Spanjë dhe Sicili, kultura superiore e arabëve gradualisht është zgjëruar edhe në Evropën Perëndimore. Edhe pse Evropa Perëndimore kontakt më të madh kishte më Perandorinë Bizantine, ajo nga arabët përfitoi më shumë se sa nga bizantinët. Nëse mundohemi të vërejmë intensitetin e plotë të eksperimentimit arab, mendimit arab, shkrimit arab, do të arrijmë të shohim se pa arabët, shkenca dhe filozofia evropiane nuk do të ishte zhvilluar siç është zhvilluar deri tani.”
Evropa sot
Sot, në fillim të mijëvjeçarit, është shumë e rëndësishme ta përkujtojmë partneritetin pozitiv historik të Islamit dhe Evropës. Sot në Evropën Perëndimore jetojnë rreth 10 milion muslimanë. Gjatë viteve të ’90-ta numri i muslimanëve që janë bërë të “dukshëm” është rritur në mënyrë drastike. Organizatat muslimane janë duke u përhapur me të madhe. Përveç kësaj, vërrehet një rritje e madhe e numrit të xhamive. Është interesante poashtu të shihet edhe numri i njerëzve që pranojnë Islamin. Islami është bërë një pikë e një debati të nxehtë: Cila do të jetë ardhmëria e këtyre muslimanëve në Evropë? A janë ata kolona e pestë? A janë ata burim i fundamentalizmit në një Evropë tolerante? A janë ata kërcënim që ka nevojë të përmbahet dhe asimilohet para se të rrezikojë stabilitetin e Evropës? Për fat të mirë, me këto pyetje nuk janë të preokupuar të gjitha këndet e Evropës.
Është e vërtetë se një pjesë e madhe e mosbesimit ndaj Tjetrit triumfon lehtë, edhe në anën e disa muslimanëve edhe në anën e elementeve të caktuara brenda Evropës.
Ministri i mbrojtjes franceze, François Leotard ka thënë: “Fundamentalizmi islamik është njëjtë i rrezikshëm sa ishte dikur nacizmi”. Teoritë e Huntingtonit, edhe pse të refuzuara me të madhe, vazhdojnë t’i kenë pasuesit e devotshëm. Nëpër gjithë Evropën shihet se islamofobia është në rritje. Në një shkallë edhe më të përgjithshme, qëndrimet e shefit të Partisë Konservative angleze Lord Tebbit janë të njohura mirë. Ai ka thënë: “Nuk mund ta kesh një grumbull të kulturave në një shoqëri; duhet të jetë një kulturë për një shoqëri… multikultura është një forcë ndarëse”.
Edhe pse këto opinione nuk janë çdoherë kryesore, ata kanë efektin e tyre në komunitetet pakicë. Kjo mund të krijojë një mentalitet bllokues tek ata që tanimë mbajnë kujtimet e trashëguara të kolonializmit. Me një përjashtim të disa vendeve të caktuara, Islami ende nuk është zyrtarisht i njohur nga Evropa. Kuptohet, Islami është këtu, kjo është realitet, mirëpo njohja zyrtare ka ndikimin e saj në mënyrën se si shihet, në statusin, në finansimin dhe kështu me radhë. Në ballafaqimin me Islamin, Evropa ka zhvilluar disa modele të ndryshme. Austria, Spanja dhe Belgjika zyrtarisht njohin Islamin. Suedia është e gatshme të finansojë disa aktivitete për muslimanët përderisa ata përfaqësohen nga organizata që kanë një numër të caktuar të anëtarëve. Në Francë, zyrtarisht nuk njihet asnjë komunitet fetar. Mirëpo, këtu është e rëndësishme të theksohet se kryetari francez tradicionalisht varroset në Notre Dame, dhe se kapa e hebrenjve tolerohet – ku shihet një zbatim jo-formal dhe fleksibil i ligjit. Gjermania edhe më tej refuzon të pranojë se është një shtet i emigrantëve; dhe kështu emigrantët njihen si Gasterbeiter, ose punëtorë musafirë, madje edhe pas tri gjeneratave. Britania e Madhe, edhe pse nuk ka bërë njohjen zyrtare të muslimanëve, ajo ka akomoduar dhe pranuar lloj-llojshmërinë e pakicave të saja.
Imazhi i Islamit
Gjatë bashkëveprimeve të gjata ndërmjet Evropës dhe Islamit, janë ndërtuar shumë imazhe negative për Islamin, disa nga këto të motivuara politikisht, e disa të tjera nga dallimet fetare. Në mesjetë ka mbizotëruar një bindje se muslimanët ishin idhujtarë të cilët e adhuronin Muhammedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ose se vetë Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ishte magjistar, ose sipas disa kuptimeve tjera, djalli ose anti-krishti. Islami është paraqitur (portretizuar) si fe e gënjeshtrave, një shkelës i vazhdueshëm i të vërtetës. Islami shiheshte si fe e dhunës dhe që ishte përhapur nëpërmjet shpatës. Muslimanët shiheshin si njerëz të preokupuar me dëshira materiale dhe vetë-kënaqje; kurvëria dhe homoseksualizmi shiheshin si të lejuara nga feja. Shumë nga këto ide ishin si pretekst për të krijuar një aleancë të krishterëve për të luftuar në kryqëzatat, për të treguar se Tjetri ishte duke jetuar në errësirë, dhe kështu duke e arsyetuar nevojën e konvertimit ose luftimit të tyre. Është interesante të theksohet se edhe sot, disa nga ato ide, duke përfshirë edhe disa ide të reja, ende ekzistojnë.
A është Islami kërcënim?
Ta shqyrtojmë për një moment gjendjen e Islamit në botën moderne. Mund të shihet se muslimanët jetojnë në dy gjendje të ndryshme; njëra, si pakicë në Perëndim, dhe tjetra, në gjendje ku shumica janë muslimanë.
Për situatën e parë është e nevojshme një imagjinatë jashtëzakonisht e madhe të përshkruhet kërcënimi që këto pakica muslimane e kanë për Evropën ose Perëndimin. Këto komunitete vetvetiu druajnë nga rrethi ku jetojnë. Ekziston një mundësi shumë e realtë që vlerat kulturore dhe fetare, normat etike të këtyrë pakicave të zbehen ose të zhduken deri në gjeneratën e dytë ose të tretë të tyre.
Komunitetet e tilla nuk kanë gjasa të jenë kërcënim për rregullin e vendosur në të cilin ata jetojnë, për shkak se ata janë shumë të zënë duke u mbrojtur.
Nëse e vështrojnë botën Islame, fuqia e politikës nuk ndryshon shumë. Ekzistojnë rreth 56 shtete muslimane, por pjesa më e madhe e muslimanëve kanë rezerva serioze kur bëhet fjalë për “islamin” e këtyre shteteve. Pjesa më e madhe e këtyre shteteve bëjnë pjesë në kategorinë e vendeve në zhvillim, ose, deri paradokohe, në kategorinë e vendeve të Botës së Tretë. Ata zhyten në borxhe ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe ndaj botës së zhvilluar. Në aspekt të teknologjisë, ata çdoherë përpiqen ta pasojnë Perëndimin: ndikimi i mediave perëndimore dhe procesit të globalizimit, dominon mbi ato shtete.
Disa nga ato shtete kanë minerale, ose burime bërthamore ose të naftës, por lidhjet politike janë të tilla sa është shumë e vështirë që këto të përdoren në çfarëdo mënyre kundër interesave perëndimore: Lufta e Gjirit ishte dëshmi e kësaj. Nëse gjith këtë situate e shohim nga një perspektivë tjetër, të shohim se shteti i Izraelit gjendet (ekziston) ndërmjet një deti të shteteve muslimane, që asnjëri nga ato nuk e dëshiron prezencën e tij, dhe nga ana tjetër asnjëri nga ato nuk është mjaft i fuqishëm ose mjaft i pavarur të ndryshojë situatën. Ngjarjet që ndodhën në Bosnjë, kishin një ndikim të thellë emocional tek muslimanët e gjithë botës, mirëpo Komuniteti Ndërkombëtar Musliman nuk kishte mundësi të ketë ndonjë ndikim serioz politik. Ndihmën e vetme që ata mund ta ofronin ishte mledhja e të hollave për organizata bamirëse. Atëherë si është e mundur që një komunitet i tillë ndërkombëtar të jetë rrezik për atë forcë Perëndimore?
Dilvar Hussain
Redaktoi: www.AlbIslam.Com