E paraparë të nis punën në nëntor të këtij viti, Fabrika e përpunimit të ujit në Shkabaj, pak kilometra në veri të kryeqytetit të Kosovës, pritet që të finalizohet në fillim të vitit të ardhshëm, thonë zyrtarë të ujësjellësit të Prishtinës.
Kryeqendra e Kosovës, përveç problemeve të theksuara në fusha të ndryshme, që nga pas lufta është përballur me reduktime të ashpra të ujit.
Vetëm në vitin 2014, në muajit e verës, për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike, shumë komuna hynë në një fazë emergjente të furnizimit me ujë të pijes.
Aktualisht, qytetarët e Kosovës thonë se reduktimet e ujit nuk janë shumë të shpeshta si në të kaluarën, por theksojnë faktin se ato më shumë janë të theksuara gjatë natës.
“Në lagjen ku jetoj unë, në Tophane në Prishtinë, natën nuk ka ujë. Derisa ditën kemi rregullisht. Mungesa e ujit shkakton probleme. Ne do të donim të kemi ujë 24 orë pa ndërprerë”, thotë Dardanja, një qytetare e Prishtinës.
Ngjashëm, shprehet edhe Avdullah Sadiku, qytetar nga Prishtina.
“Ndërprerje ka edhe tani, por gjendja është më mirë se në vitet e kaluara. Në vitet e kaluara nuk ka pasur as shtypje të ujit, tani është më mirë. Por, kemi bërë zgjidhje kemi vendosur rezervar të ujit”, thotë Avdullah Sadiku.
Problemi me ujin e pijshëm në Prishtinë, do të duhet të pres për zgjidhje edhe pak më shumë muaj, meqë fabrika në Shkabaj nuk është finalizuar ende, ndërkohë që zyrtarë te Ujësjellësit thonë se çdo gjë po rrjedh sipas planit të përcaktuar më herët.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arjeta Mjeku, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka hedhur poshtë zërat për, siç është njoftuar, dështim të projektit.
“Kompania e Ujësjellësit Prishtina njofton opinionin duke demantuar të gjithë zërat tendencioz se kinse fabrika e ujit në Shkabaj mund të dështojë për shkaqe financiare.”
“Fabrika e ujit në Shkabaj do të përfundojë në dhjetor 2016, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim mbeten si një 2 për qind i punëve totale për pjesën e parë të vitit 2017”, thotë Mjeku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, me realizimin e këtij investimi, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijes për qytetarët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Podujevës si dhe komunat tjera që janë nën menaxhimin e kompanisë të Ujësjellësit Prishtina.
Fabrika parashihet të ketë kapacitete përpunuese për fazën e parë deri në 700 litra për sekondë, me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe për 500 litra tjera në sekondë. Kjo sasi vlerësohet se do të jetë e mjaftueshme për të mundësuar furnizim të rregullt për 24 orë pa ndërprerje.
Ish drejtorit i Ujësjellësit rajonal Prishtina, njohës i kësaj fushe, Skënder Bublaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë së fabrika e përpunimit të ujit Shkabaj është një zgjidhje e qëndrueshme për furnizim e ujë të pijshëm.
Megjithatë, në fazat e ardhshme investimet duhet të koncentrohen në zvogëlimin e humbjeve të uji.
“Kryesisht këto investime duhet të orientohen në zëvendësimin e rrjetave, pasi që me kalimin e kohës edhe një pjesë e rrjetave që janë ndërruar kanë afatin kohor kur duhet të ndërrohen. Për Prishtinën një pjesë e madhe e rrjetës të ujit është mbi 30 vjeçare”.
“Humbjet e tanishme dhe humbjet që do të rriten më futjen e në funksion të fabrikës së ujit do të shkaktojnë probleme serioze në furnizim me ujë për qytetarët dhe do të rrisin kostot e mëdha të përpunimit të ujit”, thekson Bubulaku.
Projekti i fabrikës së ujit në Shkabaj është një nga investimet më të mëdha në Kosovë që ka të bëjë me furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm.
Financues të këtij projekti janë Komuna e Prishtinës, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës, të cilat kanë ndarë nga 5 milionë euro për këtë projekt, si dhe 20 milionë euro që kompania e Ujësjellësit rajonal Prishtina ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim, me ç’rast garantuese e kthimit të kredisë është Qeveria e Kosovës. (REL)