Falë Zotit Kushtetuta e Shqipërisë nuk ndryshoi

Falë Zotit Kushtetuta e Shqipërisë nuk ndryshoi

Falë Zotit Kushtetuta e Shqipërisë nuk ndryshoi dhe për momentin amendimi i nenit 18/2 u hoq nga paketa e Reformës në Drejtësi, si diçka që nuk ka lidhje me këtë Reformë. Kryesia e Forumit Musliman të Shqipërisë u angazhua gjallërisht për të penguar një të keqe të mundshme, duke u përpjekur kundër këtij amendimi, që do të sillte pasoja të dëmshme për të gjithë shoqërinë shqiptare. Megjithatë na duhet të falënderojmë të gjithë ata deputetë që u përpoqën drejtpërdrejt në ndalimin e këtij amendimi, Znj. Mesila Doda me të cilën kemi pasur kontakte nëpërmjet mesazheve dhe PDIU.
Po ashtu falënderojmë edhe deputetët, znj. Jorida Tabaku dhe z. Helidon Bushati, të cilët u takuan me një përfaqësi të FMSH-së dhe sekretarin Roald Hysa dhe dhanë garancitë e tyre nën titullin personal, por edhe të forcës që përfaqësojnë PD, që do të luftojnë për të hequr këtë pikë nga paketa e Reformës në Drejtësi. Po ashtu nuk mund të lemë pa përmendur edhe qëndrimet e komuniteteve fetare, të cilët ushtruan presion të madh, dhe një pjese të shëndoshë të shoqërisë civile, që ushtruan presion pozitiv mbi opinionin dhe deputetët.
E gjithë shoqëria shqiptare tregoi një maturi duke mos e pranuar amendimin e këtij neni. Ne jemi të bindur se ishte edhe vetë shoqëria shqiptare, që nuk i përkrah gjëra të tilla, pavarësisht presionit të jashtëm që iu bëhet politikanëve tonë në emër të “më shumë të drejtave të njeriut”, apo se “nuk do të na fusin në BE”. Po ashtu na duhet të vërejmë që ndoshta për momentin ky problem u mbyll, por jo edhe përpjekjet e aktorëve të LGBT për të arritur lehtësime të tilla juridike.

 

(Forumi Musliman)

Artikulli paraprakKa një dallim rrënjesor mes Perandorisë Osmane dhe Jugosllavisë sa i përket sundimit mbi territoret shqiptare.
Artikulli vijuesKelmendi, Gashit: Po të mos ishte Turqia do të quheshe Millorad