Falet namazi i parë në xhaminë më të madhe në historinë e Republikës së Turqisë

Është falur mbrëmë për herë të parë namazi i teravive në xhaminë Çamlıca, ndërtimi i së cilës nisi më 6 gusht të vitit 2013. Pas përfundimit të plotë ajo do të jetë xhamia më e madhe e ndërtuar gjatë historisë së Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra njerëz u drejtuan drejt xhamisë Çamlıca e cila ndodhet në një nga kodrat më të larta dhe më të bukura të Stambollit, në kodrën Çamlıca.

Nën masa të rrepta sigurie mijëra besimtarë erdhën për të falur namazin e teravive në natën e shenjtë të Kadrit. Për shkak se oborri i xhamisë u mbush me shumë besimtarë u falën në kopshtin e saj.

Kryetari i Shoqatës për Ndërtimin dhe Gjallërimin e Arsimit dhe Xhamive në Stamboll, Ergin Külünk tha për gazetarin e AA se janë shumë të lumtur pasi kishin dhënë fjalën që do ta hapnin në natën e Kadrit.

Pamjet mahnitëse të ngushticës së Bosforit, të Stambollit në përgjithësi u gërshetuan me pamjet e faljes së namazit të parë në xhaminë Çamlıca duke nxjerr në pah një mori ngjyrash dhe një natë të paharruar./AA/

Artikulli paraprakNamazi i natës bllokon rrugën në Tiranë
Artikulli vijuesSapo ta lini duhanin trupi do të fillojë të shërohet