Fekondimi artificial – in vitro

Fekondimi artificial – in vitro

Ajo që konsiderohet e re për kohën bashkëkohore në fushën e mjekësisë, është aplikimi i fekondimit artificial, që kohëve të fundit po zgjon interesim të madh, posaçërisht tek ato çifte që u mbetet pak shpresë për tu bërë prindër.

Fekondimi artificial ose fekondimi i asistuar, përfshin një numër metodash me të cilat kontrollohet dhe ndihmohet, jo vetëm fekondimi i qelizës vezë por edhe transporti i embrionit, implantimi, zhvillimi dhe ecuria e shtatzënisë. Themeli i rezultateve të të gjitha teknikave të riprodhimit qëndron në matjen adekuate të një ose më shumë qelizave vezë, dhe veprimet e manipulimet kualitative në laboratorët biologjikë.

Me 25 korrik të vitit 1978, në periferi të Manchester-it të Anglisë, lindi Louise Browen, fëmija i parë i fekonduar jashtë trupit të nënës. Pra, ishte fëmija i parë që u fekondua “in vitro”, e quajtur kështu sepse në latinisht “vitro” do të thotë xham dhe kuptohet se bëhet fjalë për xhamin e epruvetës. Ajo lindi në spitalin e Old`ham, në sajë të provave të gjata në këtë fushë të mjekëve të njohur anglezë Patrick Steptoe dhe Robert Edwards, të cilët kishin marrë një ovul të nënës së saj Lesley për ta bërë pjellore në laboratorin e tyre. Pas tri ditësh fekondimi në laborator me spermën e burrit të saj, embrioni u fut në uterusin e nënës që donte të lindte. Ajo kishte kohë që ëndërronte lindjen e një fëmije. Madje, pas Louise, ajo lindi edhe një vajzë tjetër po në të njëjtën mënyrë.

Në fakt, kjo teknikë ishte shpikur që në vitin 1959, por gjer në lindjen e Louise Browen teknika ishte eksperimentuar me sukses të plotë vetëm te lepujt. Në Francë, bebja e parë “epruvete” lindi në vitin 1982. Ajo u quajt Amandine dhe lindi në sajë të përkujdesjes së profesor Rene Frydman, në spitalin “Antoine Beclere” të Clamartit. Sot janë rreth 1.500.000 bebe që kanë lindur “in vitro” dhe në Francë mbi 60 mijë. Kurse në SHBA, në vitin 1999 të paktën 78 mijë procedura të tilla janë kryer dhe tani ky numër ka arritur maksimumin.

Teknikat e sotme lejojnë që të zgjidhen 75 % të problemeve të sterilitetit te burrat ose te gratë dhe që çiftet të kenë mundësi të kenë fëmijë. Edhe në vendin tonë, disa media të informimit reklamojnë se teknikat e këtij fekondimi kryhen në disa klinika shtetërore dhe private, si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë.

Duke e parë rëndësinë e kësaj çështjeje dhe se sa me të shpejtë ka filluar të përhapet aplikimi i këtyre metodave, pastaj pasi që këto teknika janë bërë shkak me të cilën myslimani mund të arrijë deri të lënia e pasardhësve, e pamë të nevojshme të trajtohet kjo problematikë nga këndvështrimi Islam, duke sjellë sqarimet e dijetarëve bashkëkohorë, të cilët kanë folur rreth kësaj teme.

Gjithashtu, si arsye se pse duhet të sqarohen këto forma të fekondimeve dhe dispozitat që kanë të bëjnë më to, është edhe fakti se jo të gjitha teknikat janë të pranuara në Islam, por kemi nga ato që janë të lejuara dhe kemi nga ato që janë të ndaluara. Prandaj është e nevojshme për besimtarin që dëshiron të ketë fëmijë ta ketë parasysh se cilat teknika i lejohet të shfrytëzojë, kështu që të realizojë këtë nevojë duke mos i tejkaluar kufijtë e Allahut të Lartësuar.

Qëndrimi i Islamit rreth fekondimi artificial

Para së të fillojmë në trajtimin e dispozitave duhet të kemi parasysh se një nga objektivat më të rëndësishme të martesës është lënia e pasardhësve dhe ruajtja e llojit njerëzor. Bashkimi që bëhet ndërmjet çifteve (mashkullit dhe femrës), te krijesat e tjera nuk ka ndonjë ligj që i nënshtrohen, kurse te njeriu, dëshira e Allahut ishte që shumimi dhe bashkimi ndërmjet mashkullit dhe femrës të mos jetë pa kurrfarë rregulli dhe dispozite; kështu që t’i lejojë njeriu vetës së tij t’i paraprijë epshi në realizimin e këtij qëllimi. Urtia e Allahut ishte që t’u vendosë atyre ligje, dispozita dhe norma në realizimin e synimit dhe, në të njëjtën kohë, edhe ruajtjen e nderit, pasardhësve, fisnikërisë dhe krenarisë së njeriut si krijesë më e përsosur.

Kështu, Allahu i Lartësuar e bëri martesën si formë të vetme me të cilën mundësohet lidhja ndërmjet burrit dhe gruas, krijohet familja dhe lihen pasardhësit. Për këtë, martesa në Islam është e shenjtë dhe fisnike, e ndërtuar me pëlqim nga të dy anët, harmonisë dhe dashurisë së ndërsjellë. Prandaj, dispozitat që kanë të bëjnë me fekondimin artificial dhe teknikat që përdoren, janë plotësisht të lidhura me këtë dhe dispozitat që përcaktohen rreth tyre, kanë për objektiv ndërtimin dhe ruajtjen e dinjitetit të familjes.

Fekondimi artificial, ashtu si sqaruam më lart, është një teknikë me anë të së cilës bëhet lindja e fëmijëve në një formë jo të zakonshme. Kjo formë jonormale njihet edhe me disa terma tjerë, si: mbarsje artificiale, ngjizje artificiale, fertilizim në epruvetë, fekondim i asistuar, in vitro etj.

Kurse fëmijët që lindin në këtë metodë quhen fëmijë të epruvetës, për arsye se, siç do të vërejmë edhe më poshtë, në disa nga këto teknika mbarsja e vezores së femrës me spermën e mashkullit bëhet në epruvetë në vend të mitrës.

Për të kuptuar qëndrimin e Islamit rreth mbarsjes artificiale, duhet të dimë se ajo mundet të jetë në disa metoda.

Metodat e fekondimit artificial:

1. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë dhe pasi të bëhet fekondimi në epruvetë, të mbillet kjo në mitrën e të njëjtës grua.

2. Të bëhet fekondimi i brendshëm dhe kjo realizohet në këtë formë: Të merret sperma e burrit dhe të trajtohet në mënyrë speciale dhe me anë të injeksionit të bëhet hedhja e saj në traktin gjenital të femrës (në hapësirën e mitrës ose tubat uterine) dhe kjo grua të ketë kurorë me burrin nga i cili merret sperma.

3. Të bëhet fekondimi duke e marrë spermën nga burri dhe vezoren nga ndonjë grua, e këta të dy të mos kenë kurorë (të mos jenë të martuar njëri me tjetrin), pastaj të bëhet mbjellja e mbarsja në mitrën e gruas tjetër që gjendet në kurorë me burrin nga i cili është marrë sperma (do të thotë: të bëhet mbjellja në mitrën e gruas që është martuar me burrin nga i cili kemi marrë spermën).

4. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që nuk ka martesë mes tyre, pastaj të mbillet ai mbarsim në mitrën e po të njëjtës grua.

5. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë, pastaj mbarsja të mbillet në mitrën e ndonjë gruaje tjetër.

6. Të bëhet mbarsja duke marrë spermën nga një njeri i huaj dhe vezoren nga një grua e huaj dhe të mbillet ai mbarsim në mitër të gruas tjetër.

7. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë dhe të bëhet mbjellja e asaj mbarsjeje në mitër të gruas tjetër e që ajo grua të jetë njëkohësisht edhe grua e dytë e të njëjtit burrë.

Qëndrimi i dijetarëve bashkëkohorë rreth këtyre metodave

Në takimin e mbajtur nga “Kolegjiumi i Fikhut Islam” në kongresin e tretë në Aman prej datës 08 deri më 12 të muajit Sefer të vitit 1407 h. apo 1986 rreth çështjes së metodave të mbarsjes artificiale vendosi:

-Pesë format e fundit të lartpërmendura të gjitha janë të ndaluara, haram, për shkak të vetë procesit të tyre dhe asaj që shpie në përzierjen e pasardhësve dhe gjërave të tjera që kanë të bëjnë me të.

-Kurse metodën e parë dhe të dytë kolegjiumi e pa të lejuar dhe nuk pa ndonjë pengesë për praktikimin e tyre nga ana e çifteve, në rast të nevojës.

-Gjithashtu, kolegjiumi tërheq vërejtjen e marrjes parasysh të gjitha domosdoshmëritë e nevojshme për t’iu larguar ndonjë mundësie të përzierjes së metodave të tjera pa dijen e tyre.

Fëmijët që lindin me metodat e lartpërmendura

Sa i përket këndvështrimit Islam rreth fëmijëve që lindin si rezultat i këtyre metodave se a konsiderohen fëmijë të ligjshëm apo jo, dijetarët që debatuan në këtë kongres theksuan se:

-Fëmijët që lindin me metodën e parë dhe të dytë konsiderohen si fëmijë legjitimë sipas sheriatit dhe ata kanë po të njëjtat të drejta si fëmijët e zakonshëm, si atësia, trashëgimia etj.

-Kurse fëmijët që lindin nga aplikimi i pesë metodave të fundit të lartpërmendura në Islam konsiderohen fëmijë jo legjitimë dhe dispozita rreth tyre është e njëjtë sikurse fëmijët që lindin jashtë kurorës, pra trajtohen si fëmijë të zinasë (që lindin nga burri dhe gruaja që nuk kanë kurorë).

Zbulimi i avretit gjatë aplikimit të metodave të lejuara

Disa nga njerëzit që mund të jenë më skeptikë në këtë, ngrenë problematikën e zbulimit të avretit (pjesët e turpshme të njeriut) gjatë këtij procesi, prandaj është e nevojshme të shtjellohet edhe kjo.

Nuk ka mospajtim te fukahat rreth lejimit të shërimit nga sëmundjet që mund të goditet njeriu. Gjithashtu edhe pamundësia e ngjizjes së qelizës vezë të femrës me spermatozoidin e burrit në mënyrë natyrore është sëmundje. Prandaj, çiftit i lejohet të hulumtojë në diagnostikimin dhe gjetjen e shkaqeve që pengojnë këtë proces. Me fjalë tjera, pamundësia e fekondimit është për shkak të ndonjë sëmundjeje apo defekti me të cilin goditet njëri nga bashkëshortët ose edhe të dy dhe atyre u është e lejuar ta evitojnë dhe ta shërojnë atë.

Vërtetohet se edhe disa nga të dërguarit e Allahut ishin sprovuar një periudhë kohore me këtë çështje, kështu ata kanë kërkuar nga Allahu i Lartësuar mjekim.

Kështu i Dërguari Zekirija, alejhi selam, ka kërkuar nga Allahu që t’i falë pasardhës, pasi gruaja e tij nuk mund të lindte. Allahu i Lartësuar ia pranoi lutjen dhe i dha Jahjan, i cili u bë Pejgamber gjithashtu.

Allahu i Lartësuar në Kur’an thotë:

“(ky është) Përkujtim i mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të vet Zekerijait, Kur ai iu lut Zotit të vet me një zë të ulët, e Tha: “Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar. Unë ua kam frikë pasardhësve të mi pas meje (kushërinjve se do ta humbin fenë), ndërsa gruaja ime është sterile, pra më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë). Të më trashëgojnë mua dhe t’i trashëgojë ata nga familja e Jakubit, dhe bëje atë, o Zot, të këndshëm! (të vyeshëm)!”.

O Zekerija, Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit është Jahja, e që askush para tij nuk u emërtua me këtë emër.” (Suretu Merjem, 2-7).

Në këto ajete të lartpërmendura vërtetohet se si Allahu i Lartësuar ia mundësoi Profetit të Tij Zekirijas kah fundi i jetës së tij të ketë pasardhës, pasi që Ai ia tejkaloi defektet me të cilat ballafaqohej gruaja e tij (ajo ishte sterile).

Sa i përket lejimit të shërimit kemi me dhjetëra hadithe që vërtetojnë këtë dhe ne nuk do t`i sjellim këtu, por ajo që duhet të shtjellohet këtu është çështja e zbulimit të avretit, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për avretin e mashkullit apo të femrës, pasi zbulimi i avretit për besimtarin është e ndaluar kurse fekondimi artificial është e pamundur të realizohet pa u bërë zbulimi, posaçërisht avreti i femrës.

Pa u zgjeruar në këtë pikë themi se në përgjithësi të gjithë fukahat lejojnë zbulimin e avretit nëse kjo është e domosdoshme sikurse gjatë shërimit nga sëmundjet apo ndonjë arsye tjetër, gjithashtu edhe prekja lejohet, por në këtë ata vendosin disa kushte:

Kushtet kur lejohet të zbulohet avreti:

1. Që kjo të jetë për arsye të domosdoshme.

2. Në radhë të parë zbulimi i avretit të femrës duhet të bëhet para femrës dhe nëse ka mundësi që këtë proces ta kryejë gruaja, atëherë nuk lejohet të shkojmë te mashkulli.

3. Në rast të nevojës së ndërhyrjes së tillë duhet të kërkojmë mjeke që është besimtare ose e besueshme dhe të mos shkohet te njerëzit që janë të njohur për të keq.

Në lidhje me këtë imam Merginani, nga dijetarët Hanefi, në librin “Hidaje” thotë: “I lejohet mjekut ta shikojë vendin e sëmundjes në rast nevoje. Duhet të jetë e qartë se është më mirë që gruaja ta mjekojë gruan, ngase shikim i të njëjtës gjini në mes vete është më i lehtë. Nëse nuk mund të gjendet mjek nga e njëjta gjini, femra mbulon tërë pjesën, duke e shpaluar vetëm te vendi ku është sëmurë. Mjeku e shikon atë dhe më pas e largon shikimin aq sa është e mundur dhe e nevojshme të përdoret. Ky rast është identik me sunetimin (rrethprerjen)”.

Për fund themi se edhe lënia e pasardhësve është nevojë e njeriut prandaj fukahat që kanë folur për këtë problematikë dhe kanë lejuar aplikimin e metodave të pranuara të fekondimit, kanë lejuar edhe zbulimin e avretit në këto raste. Allahu e di më së miri!

www.klubikulturor.com

Artikulli paraprakDr. Jeffrey Lang: Namazi im i parë
Artikulli vijuesSi ti ftojmë fëmijët tanë në Islam?