Emisioni “Fiks Fare” tronditi sërish mbrëmjen e djeshme me një tjetër investigim në radhët e arsimit në vendin tonë. Ai solli në sytë e publikut rastin e një drejtoreshe shkolle në qytetin e Beratit, që akuzohet nga mësuesit e shkollës se abuzon me postin drejtues. Në shkollën 9-vjeçare “Thimi Tani”, drejtoresha e shkollës Tatjana Hoxha, që e mban këtë post prej 6 vjetësh, akuzohet se në zgjedhjet e pushtetit qendror 2013 ka përpiluar një listë me të dhënat personale të mësuesve, por duke përfshirë edhe bindjet e tyre politike. Pjesë e listës së përpiluar ishin gjeneralitetet e mësuesve si emër, mbiemër, numër telefoni, qendra e votimit dhe partia për të cilën votojnë. Mësuesit e shkollës kërkuan ndihmën e emisionit “Fiks Fare” për të bërë publik këtë problem dhe shumë të tjerë që lidheshin me postin e znj.Hoxha. Kjo e fundit, listën e ka përdorur për interesa të një partie politike, duke shfrytëzuar postin, pasi të dhënat mbi mësuesit i merrte me anë të nxënësve të shkollës. E pyetur nga gazetarja me listën e përpiluar prej drejtoreshës Tatjana Hoxha, ajo mohon ta ketë bërë këtë listë, por nga vëzhgimi i gazetarëve në regjistrat e shkollës, shkrimi i drejtoreshës Hoxha është i njëjtë me atë të listës së përpiluar përpara zgjedhjeve qendrore. Mësuesit që iu drejtuan emisionit “Fiks Fare”, ngritën gjithashtu akuza të tjera mbi drejtoreshën Hoxha. Sipas tyre, ajo nuk ndante në mënyrë të rregullt orët e mësimit, duke i lënë disa mësues me shumë pak orë mësimi, fakt ky që ndikon në uljen e pagës. Gjithashtu në video mësueset pohojnë se si përballen çdo ditë edhe me epitete të çuditshme nga drejtoresha, si “grupi i plakave”, “majmuni” apo “ramka”. Mësuesit ankohen edhe për 3% të lekëve nga shitja e teksteve shkollore për vitin 2015-2016. Në mungesë të ndarjes së librave nga distributorë përkatës, nxënësve ju janë ndarë librat nga vetë mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Thimi Tani”. Shumën në fjalë, drejtoresha Hoxha nuk ua ka shpërndarë mësuesve, por e ka mbajtur për vete, gjë të cilën e pohon edhe para kamerave. Nuk ngelen pas as nxënësit e shkollës në karvanin e shkeljeve të kryera nga drejtoresha Tatjana Hoxha. Çdo vit shkollor, nxënësit e shkollës janë të detyruar po nga drejtoresha e tyre të blejnë dëftesat me shumën prej 2000 lekë.