Umeti mysliman po kalon nëpër një periudhë të prapambetjes bashkëkohore e shoqëruar me një prapambetje në shkallën e vlerave të larta që Islami i ndërton te bijtë e tij. Së bashku me to, po ndodh integrimi me kulturat e jomyslimanëve i shoqëruar me iman të dobët dhe injorancë ndaj dispozitave të Fesë, shtoji këtyre edhe përdorimin e mjeteve teknologjike në mënyrë të gabuar.
Një temë e rrezikshme si kjo, që prek Fenë, nderin, familjen dhe shoqërinë nuk mund të trajtohet denjësisht në një shkrim të vetëm, ndaj do ta trajtojmë në disa numra. Në numrin e parë do të përkufizojmë problemin dhe do të numërojmë disa faktorë që ndikuan në paraqitjen e këtij problemi. Në numrin tjetër do të përmendim disa nga dukuritë dhe pasojat e këtij problemi. Në numrin e tretë do të paraqesim raste të vërteta nga persona që u dogjën me këtë zjarr, kurse në numrin e fundit do të sjellim udhëzime të bamirësve dhe specialistëve, që merren me shërimin e problematikave të tilla, duke përmendur metoda konkrete, që ndoshta do të bëjnë dobi për të hequr dorë nga kjo plagë e rëndë.
Pjesa I
Hyrje
Flirtet janë një lloj tradhtie dhe llogariten si një ndër metodat më të mëdha për sjelljen e çrregullimit dhe përhapjen e të shëmtuarës, duke bërë lehtësime ndaj takimeve të ndaluara, ndërsa dihet se çdoherë që vetmohet një burrë me një grua shejtani vjen midis tyre. Tradhtia është një ndër metodat e shkatërrimit të familjes dhe prishjes së ardhmërisë së femrave… te sa e sa femra është parë kjo sjellje e turpshme dhe me të ia ka mbyllur vetes derën e martesës, madje edhe motrave të saj e ndoshta edhe vëllezërve të saj?! Sa e sa burra kanë rënë viktima të tradhtisë dhe me të humbën fenë, iu zbulua skandali, iu shkapërderdh familja dhe iu nda gruaja, e cila u humb së bashku me fëmijët?! Sa e sa gra u bënë viktima të tradhtisë dhe me te humbën fenë, iu zbulua turpi, iu shpërnda familja, e shkurorëzoi burri dhe ia ndau zemrën duke e ndarë nga fëmijët?!
Tradhtari dhe tradhtarja nuk kanë mendime të mira për të tjerët, për çdo lëvizje që bën bashkëshorti/ja ai mendon se është flirt, për çdo fjalë apo telefonatë supozon se bëhet me ndonjë burrë (grua) ashtu siç ai (ajo) bën me të tjerat/ët, kështu që problemet shtohen dhe humb qetësia në familje. Si duket, ky është një dënim nga Allahu për veprën e keqe dhe prekjen e nderit të njerëzve të tjerë. Sikur të ndalej njeriu dhe të mendonte për bukuritë e të mirat e Islamit, ai do të shihte se çfarë ka dashur në të vërtetë Allahu prej robërve të Tij, kur i ka porositur që ta ndjekin Fenë. Ai, subhanehu ue teala, dëshiron për ta hairin, mirësinë dhe lumturinë në dynja dhe në ahiret. Nga objektivat më madhështore të Islamit është mbrojtja e nderit dhe për këtë janë ligjësuar mjaft dispozita fetare, që synojnë kohezionin e familjes, mbrojtjen e prejardhjes, pastrimin e shoqërisë nga poshtërsitë, anomalitë dhe ndyrësitë, si dhe ruajtjen e nderit nga nëpërkëmbja dhe shëmtimi.
Me qëllimin e ruajtjes së nderit, ato dispozita janë dy llojesh:
Lloji i parë: Ndalimi i ndodhjes së ndyrësisë me të gjitha format e saj, duke ndërprerë çdo rrugë që çon deri aty. Allahu i Madhërishëm e bëri haram kurvërinë, si dhe gjithçka që afron tek ajo, sikurse shfrenimi i shikimit, llastimi në të folur, ecja pa mbulesë, si dhe gjëra të tjera që të çojnë deri tek ajo ndyrësi e madhe. Ai, subhanehu ue teala, gjithashtu na paralajmëroi nga ndjekja e hapave të shejtanit, të cilat të çojnë drejt gabimeve më të mëdha dhe më katastrofike. Allahu ka thënë: “Mos i ndiqni hapat e shejtanit”, ky ajet në Kuran është thënë katër herë (Bekare 168, Bekare 208, Enam 142 dhe Nur 21).
Lloji i dytë: Mirësia e martesës dhe inkurajimi për të pasur nder dhe turp. Ai gjithashtu lehtësoi rrugën për ata që duan të jenë të ndershëm.
Përkufizimi i problemit:
Tradhtia është një fenomen i sjelljes së devijuar, që personifikohet me ngacmimin e meshkujve ndaj femrave apo e kundërta në forma të ndryshme, pavarësisht nëse ai ngacmim ndodh nëpër tregje, parqe apo vende të tjera publike, ose ndodh nëpërmjet aparateve bashkëkohore të komunikimit sikurse telefoni, interneti e të ngjashme me to, me qëllim mbajtjen e lidhjeve të ndaluara sipas sheriatit, më e keqja e të cilave është zinaja (kurvëria).
Dikush tjetër ka dhënë këtë përkufizim: Rënia e njërit apo e që të dy bashkëshortëve në një lidhje të ndaluar me një palë tjetër, e cila mbahet me dashuri, takime, dhurata dhe aktivitete të turpshme, sikurse vetmia me të dhe rënia në ndyrësinë e madhe apo në paralojat e saj, sikurse përqafime, puthje e të ngjashme.
Faktorët që ndikojnë në paraqitjen e këtij problemi:
Fenomenet e tilla shoqërore është vështirë t’i përkufizosh në një shkak apo faktor të vetëm, megjithëse lidhja e dobët me Allahun e Madhërishëm është faktori kryesor në këtë rast. Ka disa faktorë që veprojnë në mënyrë reciproke dhe së bashku me faktorin kryesor bëjnë ndikimin e tyre që në fund të pjellë një problem personal e familjar, bashkëshortor dhe shoqëror, që personifikohet me flirtin e një burri me grua që nuk e ka hallall. Nga ata faktorë që disa prej tyre përshtaten për disa bashkëshortë/e e disa përshtaten për një pjesë tjetër, janë:
1. Cungimi dhe atrofia e muskujve të besimit duke i shtuar kësaj edhe frikën e vogël dhe mos-ndjenjën e kontrollit nga Allahu në zemrën e atij bashkëshorti. Prandaj nuk mërzitet fort pse Allahu e di çfarë qarkullon në zemrën dhe kokën e atij, kështu që i jep vetes lirinë të bëjë çfarë të dojë, duke u shtirur se nuk i di pasojat që e presin. Pra, shkaku më i shpeshtë është imani i dobët, sepse flirtet me telefon vijnë si rezultat i ndjekjes së epshit dhe imanit të dobët, përndryshe si mund të ndihet i lumtur një burrë kur nëpërkëmb haramin dhe nderin e muslimanëve? Si nuk ka xhelozi për anëtarët e familjes së tij, a nuk ka frikë se mund t’i kthehet në të njëjtën formë?!
2. Injoranca ndaj dispozitës së flirteve. Kjo është e rrallë, por dikush mund të mos ketë dijeni për dispozitën e flirteve telefonike në sheriat, duke menduar se gjërat e atilla që nuk arrijnë deri në kurvëri, nuk prishin punë, madje janë të lejuara.
3. Mungesa e aftësisë dhe e mençurisë për të kuptuar pasojat e rënda, duke iu dorëzuar ëndjeve epshore.
4. Dobësimi i lidhjeve familjare duke mos pasur kontakte të mira midis anëtarëve të shtëpisë dhe duke mos pasur mes tyre takime dhe dashuri.
5. Dhënia liri e nefsit dhe e shikimit për të shikuar pamjet e gjalla prekëse nëpërmjet kanaleve televizive, faqeve të internetit, ose kënaqësia e rrejshme me fotot e publikuara nëpër gazeta e revista, apo duke kapur me sy atë që është në lagje, a në treg. Pastaj të gjitha këto pamje depozitohen në kokën dhe gjoksin e tij për ta ndezur zjarrin në zemër. Pastaj vijnë cytjet nga shejtani për ta shuar flakën e këtij zjarri me diçka që Allahu nuk e ka lejuar, me diçka nëpërmjet së cilës do të ndjejë kënaqësi të ndyrë, duke bërë një telefonatë apo duke parë një pamje, por flaka sa vjen e rritet.
6. Pakënaqësia me specifikat e bukurisë së gruas apo të burrit, apo thjesht atij i duket ashtu, për shkak të ndikimit të pamjeve të ndryshme nga gra të tjera, që shfaqen të zbukuruara në ekrane dhe letra.
7. Nevoja materiale e një gruaje. Nevoja, imani i dobët dhe koprracia e burrit apo e babait mund të shkaktojë te kjo grua që këtë punë të ndyrë ta b
ëjë si mjet përfitimi.
8. Shokët e këqij. Ah, sikur ta dije ç’janë shokët e këqij! Ky është një ndër shkaqet më të shpeshtë që inkurajojnë flirtet. Sa e sa naivë kanë rënë në këtë moçal nëpërmjet shokëve duke këmbyer përvojat e fëlliqura në këtë temë dhe duke u krenuar se cili ishte “frajeri” më i madh që flirtoi me numër sa më të madh të femrave.
9. Ndryshimi që pëson burri dhe gruaja – sidomos nga ana fetare – si p.sh. fillon jetën bashkëshortore si një fetar i dalluar, por pastaj kthehet mbrapsht duke u bërë njeri i shfrenuar dhe që nuk është serioz në kryerjen e ibadeteve.
10. Koha e madhe që kalon mashkulli apo femra para kompjuterit duke biseduar me gjininë tjetër (në çat, msn, facebook etj.) pa pasur ndonjë kontroll.
11. Puna në vende ku gjinitë përzihen. Në ato vende ka sprova pa kufi, si për femra ashtu edhe për meshkuj.
12. Mediet dhe teknologjia bashkëkohore e komunikimit. Shumica e asaj që shfaqet nëpër ekrane është ligësi, thirrje skandaloze për të flakur turpin dhe për të përhapur ndyrësinë, nxitje emocionesh, normalizim i imoralitetit, kallje instinktesh, nxitje epshesh… nëpërmjet këngëve të çoroditura, pamjeve të prishura, filmave të zhveshur nga çdo moral, fjalëve prekëse, klipeve skandaloze dhe shumë të tjera përballë një njeriu, që nuk e ruan shikimin aspak.
13. Paaftësia e mashkullit dhe e femrës për të kuptuar, se ai zbukurim që sjell atë kënaqësi me haram është i rrejshëm, nëse e krahason me mirësitë dhe dënimet e ahiretit.
14. Privimi i bashkëshortëve nga njëri-tjetri për ndonjë shkak, sikurse udhëtimi, burgu, sëmundja, pleqëria etj. Krahas imanit të dobët, nëpërmjet këtyre gjërave shejtani arrin t’i gjejë “zëvendësim”.
15. Anashkalimi kundrejt bashkëshortit/es. Atëherë bashkëshortët bien në grackat e flirteve për shkak të imanit të dobët, sepse gruaja nuk është e gatshme të zbukurohet për burrin e saj, apo burri nuk ka kohë të hyjë për ca momente në botën e saj. Ose duke u angazhuar me fëmijët pa i dhënë hapësirë burrit, mosdhënia shans që burri të kënaqë dëshirën derisa të ngopet, po ashtu edhe e kundërta ndaj gruas kur burri angazhohet me dynja, me gruan e dytë apo me diçka tjetër.
16. Edukata e keqe. Nëse djali apo vajza myslimane nuk kanë edukatën e duhur familjare mund të bien shumë shpejt në këtë moçal të ndyrë.
17. Gratë e zbuluara. Njëherësh për këtë thërrasin edhe njerëzit e prishur, me qëllim që të gjejnë viktimën e radhës. Ky është një faktor i rëndësishëm pavarësisht e ndjen gruaja këtë apo jo.
18. Dallimet e mëdha në moshë midis bashkëshortëve, gjë e cila reflektohet negativisht në jetën bashkëshortore, shpirtërore dhe seksuale.
19. Dalja e gruas pa nevojë përjashta. Kjo është argument, se ajo është larg turpit dhe modestisë, gjë e cila do të shkaktojë që meshkujt flirtues t’i ngacmojnë me biseda.
20. Zbrazëtia emocionale që përjetojnë disa femra, të cilat në kohën e zhvillimit të mjeteve teknologjike shtyhen drejt flirteve me meshkuj, pa dallim a janë të martuar apo jo.
21. Flirtuesit janë njerëz të papjekur emocionalisht dhe nuk kanë ndërgjegje shoqërore. Ata vuajnë ende nga fëmijëria vetjake-adoleshenca, ata janë narcisoidë dhe atyre nuk u interesojnë aspak ndjenjat e të tjerëve.
22. Integrimi në kulturat e tjera dhe moralet e prishura. Në shumicën e rasteve kjo vjen si rezultat i udhëtimeve, ndjekjes së filmave, përzierjes me gra në punë apo në familje me të afërm, komshi dhe të tjerë.
23. Shuarja e flakës së dashurisë mes bashkëshortëve. Burri ndjen se emocionet e gruas kundrejt tij nuk janë si më herët, nuk është e dhënë pas tij, nuk e shikon me sytë e pëlqimit dhe të dashurisë dhe nuk e flladit me fjalët që i dëgjonte në fillim, prandaj i duket se ajo nuk e do. Kjo do të krijojë pikën kryesore për mospajtimet dhe pengesat e mëtejshme mes tyre. Atëherë burri fillon të ftohet e të largohet dhe të kërkojë zëvendësim!
24. Dinakëria e grave dhe mungesa e mahremit kur ajo del përjashta. Dihet mirëfilli se femrat janë ato që i ftojnë burrat me iman të dobët për të bërë flirt me to. Këtë e bëjnë nëpërmjet veshjes, ecjes, stolive dhe parfumimit, ndërsa Feja e ka ndaluar të dilet përjashta në këtë formë me qëllim parandalimin e sprovës dhe mbrojtjes së nderit.
25. Ngurrimi nga seksi apo disa stileve të tij nga ana e njërit prej bashkëshortëve apo që të dyve, për shkak të mosdijes, sëmundjes, angazhimit etj.
26. Lidhjet e mëhershme para martesës. Burri nuk e braktis këtë sjellje të keqe edhe pas martesës. Ai vazhdon në këtë mënyrë tatëpjetë pa qenë i vetëdijshëm për pasojat e dhimbshme. E njëjta gjë vlen edhe për gruan.
27. Keqpërdorimi i kohës së lirë duke bërë flirte me mendimin se ajo është një metodë e shëndoshë dhe e sigurt për të vrarë kohën e lirë.
Pjesa II
Në pjesën e kaluar bëmë një hyrje dhe përkufizim të këtij problemi, si dhe përmendëm disa faktorë që ndikojnë në përhapjen e tij. Në këtë pjesë do të flasim për disa dukuri dhe pasoja të këtij problemi. Problemi i flirtit mund të duket në shumë forma, por jo çdoherë mund të shfaqen në çdo rast. Nga ato janë:
1. Vuajtja për problemet e partnerit dhe konfuzioni për veprimin e mëtejshëm, sidomos nga ana e grave.
2. Ftohja e flakës së dashurisë midis bashkëshortëve, shtoji kësaj edhe atë që bashkëshortja mund të ketë dëgjuar për “bujarinë e tejskajshme” të burrit të saj me gruan tjetër të pamoralshme.
3. Mospasja kohë për familjen, sidomos për bashkëshortin/en, duke u izoluar vazhdimisht.
4. Mungesat e shumta nga shtëpia apo daljet e njëpasnjëshme nga shtëpia.
5. Qëndrimet e gjata para kompjuterit.
6. Izolimi në një dhomë të veçantë për të ushtruar “hobin” e saj të veçantë, sikurse qëndrimi i vajzës larg familjes me argumentin e përsëritjes së mësimeve, apo dëshira për vetmi. Madje për këto është në gjendje të imagjinojë edhe probleme të paqena në familje. Ndërsa bashkëshortja për këto shkaqe mund të heqë dorë nga burri dhe fëmijët e saj. Të njëjtën gjë themi edhe për djemtë apo bashkëshortët.
7. Përdorimi i telefonit fiks apo celular për biseda të gjata, që të bëjnë të dyshosh.
8. Flirti i drejtpërdrejtë nëpër qendra tregtare, rrugë, parqe etj.
9. Grindjet e shumta midis bashkëshortëve.
10. Privimi i bashkëshortit/es nga e drejta natyrore në bashkëjetesë.
11. Krahasimi i padrejtë mes gruas së ndershme dhe dashnores së pakënaqur, apo mes burrit të ndershëm dhe dashnorit të pakënaqur.
12. Privimi i fëmijëve nga jeta e lumtur dhe e qetë. E gjitha ajo reflektohet negativisht në jetën familjare dhe në atë mënyrë shpërbëhet familja dhe shkaktohen probleme e fatkeqësi të tjera.
Pasojat e flirtit
Tradhtia konsiderohet si një nga mjetet më të mëdha të përhapjes së çrregullimit, ndyrësisë dhe takimeve haram. Dihet se “çdoherë që vetmohet një burrë me një grua, shejtani aty është i treti”, kjo është një metodë e shkatërrimit të familjeve dhe e prishjes së ardhmërisë të familjeve, grave, burrave, vajzave… Pasojat që vijnë si rezultat i tradhtisë, të cilat me doemos na duhet t’i theksojmë kur flasim për këtë problematikë, janë:
1. Bërja e një gjynahu dhe mëkati të madh, që autori meriton të goditet me gurë deri në vdekje, nëse ka qenë i martuar.
2. Thyerja e hallkës bashkëshortore.
3. Hutimi mes hallallit dhe haramit, që e shoqëron vazhdimisht tradhtarin.
4. Përhapja e fëlliqësisë, meqë devijimi i bu
rrit apo i gruas ka një rezultat në fund, e ai është ndodhja e më të keqes dhe largimi i etjes me diçka që Allahu e bëri haram.
5. Shkatërrimi i familjeve. Shumë raste divorci kanë si shkak tradhtinë. Ka njerëz të atillë, që e shfrytëzojnë mungesën e shokut për të bërë flirt me familjen e tij dhe kësaj gjëje mund t’i ndihmojë fakti, se ndonjë grua nuk ngurron aspak të përgjigjet në telefon, apo edhe vetë ajo pëlqen lojën dhe flirtin. Kështu që këmbejnë muhabet mes tyre – jo për të bërë kurvëri – derisa këtë ta kuptojë burri i saj dhe aty menjëherë ndodh divorci dhe rritet armiqësia midis shokëve. Madje ka mundësi që flirtet të shkaktojnë divorcin edhe pasi të pendohet bashkëshortja.
6. Vetëkritika dhe ngushtësia që përjeton tradhtari për shkak të ndjenjës, se është duke bërë gjynah.
7. Shpenzimi i pasurisë dhe harxhimi pa kontroll. Për hir të dashnores/it e derdh pasurinë në mënyrë të palejuar.
8. Lëshimet e mëdha gjatë kujdesit për fëmijët dhe burrin apo gruan.
9. Tradhtia është vdekje për zemrën, mbytje për xhelozinë që duhet të ketë për anëtarët e familjes, mbjellje e shkaqeve për fitne dhe prishje e shoqërisë.
10. Zhdukja e besimit mes bashkëshortëve. Lidhja e tyre fillon e zgjidhet, ndërsa parimi i mirëkuptimit fillon e rrënohet çdo ditë e më shumë.
11. Ka mundësi të devijojë edhe pala e kundërt, duke dashur të hakmerret kundër bashkëshortit/es tradhtar/e.
12. Shkapërderdhja e fëmijëve. E tëra kjo, si viktimë e shfrenimit të babait dhe e nxitimit të nënës apo e kundërta.
13. Shumë gra ankohen për burrat e tyre flirtues, se ata nuk bashkëjetojnë mirë, ai e përçmon, e nëpërkëmb, madje e rreh, nëse ajo e debaton për atë haram. Ky është një paralajmërues i keq për ato shtëpi.
14. Flirti mund ta bëjë të varur njeriun. Ndaj do ta ketë vështirë ta braktisë atë edhe pas martesës.
15. Krijon një pamje – model të keq për gjininë tjetër, qofshin ata anëtarë të familjes apo të tjerë. Më ka treguar një djalosh që kishte flirtuar me shumë vajza, kur deshi të pendohet dhe të martohet kishte parë mbi pesëdhjetë femra, por asnjëra nuk i kishte pëlqyer. Madje më tha: Dua një vajzë që nuk di ta përdorë celularin!
16. Flirti shkakton kurvërinë, kurvëria shkakton xhehenemin, nëse nuk pendohet tek Allahu për atë.
17. “Si të bësh do të veprohet ndaj teje…”. Sa burra që flirtojnë e kuptojnë se edhe dikush nga familja e tij është palë në ndonjë flirt tjetër. “…Zoti yt, nuk i bën padrejtësi askujt, pak për pak, nëse e shton edhe ty të shtohet”.
Imam Shafiu ka thënë:
Ti, që shqyen nderin e njerëzve dhe këput dashurinë
Do të jetosh, por do ta humbësh ndershmërinë
Po të ishe i lirë dhe nga uji i pastër
Nderin e muslimanit do ta kishe në hatër
Nëse te dikush për dy mijë dinarë bën zina
Zinaja në shtëpinë tënde bëhet pa para
Ajo është borxh nëse ti e merr
Familja do ta lajë këtë mbaje mend.
18. Pasi flirti mund të shkaktojë kurvërinë, atëherë kjo e fundit mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore, sikurse sida, sifilizi, gonorreja etj. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin me të, ka thënë: “Sa herë që përhapet fëlliqësia në një popull, doemos në mesin e tyre do të përhapen epidemitë dhe sëmundjet që nuk kanë qenë të njohura më parë”.
19. Ka mundësi që tradhtari të marrë ndëshkimin që në këtë dynja para ahiretit me ndëshkimet e përcaktuara me sheriat[1], burg, skandal publik apo privim nga martesa dhe themelimi i familjes.
20. I shqetëson dhe i mërzit vëllezërit e tij muslimanë dhe shkakton fyerjen e tyre.
21. Është një ndikim negativ për sigurinë e shoqërisë, sepse këto sjellje shkaktojnë devijime në etikë, që rezultojnë me sëmundje shoqërore, apo ndofta edhe psikike. Ato mund të shkaktojnë përdorimin e narkotikëve, që prej tyre pastaj të burojë nëpërkëmbja e dispozitave, sulmi ndaj familjes, por ndoshta edhe vetëvrasja.
22. Prek sigurinë gjithashtu, sepse shkaktohen vrasje në shoqëri, për shkak të mbrojtjes së nderit nga ana e prindërve. Po ashtu e angazhon policinë, e cila në vend që të bëjë punë më të vlefshme, i duhet të merret me të.
23. Meriton dënimin e dhimbshëm. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata të cilët duan që ndyrësia të përhapet në mesin e besimtarëve do të kenë dënim të dhimbshëm në dynja dhe në ahiret. Allahu di, ndërsa ju nuk dini.” (Nur 19).
24. Nëpërkëmbja e nderit, siç e përshkruan poeti me fjalët e tij të sinqerta:
Flirtuesi është një ujk që mashtron vajzat me hile
U thotë eja, eja të bëjmë një jetë si në vizatime.
Ajo i thotë kam frikë turpin dhe rrugën e pistë,
Kam frikë familjen, vëllanë e komshinjtë bile edhe fisin.
I poshtri i bën kurthe e i thotë mos u mërzit oj Bukurie!
Mjafton të takohemi, pastaj kemi njëmijë arsye
Mos u bëj ekstremiste dhe mos e burgos veten!
A nuk e sheh filanen? Pse nuk e sheh Xhemilen?
Nëse do një zgjidhje, edhe martesa është mundësi?!
Atëherë delja u dorëzua dhe i tha unë jam për ty.
Ah zinaja ndodhi, fëlliqësia dhe e keqja
Faqeziu tha tani për mua u shua etja
Tha i poshtri lamtumirë, se në pazar ka më lirë.
Pjesa III
Shembuj tradhtije
Në dy pjesët e kaluara përkufizuam problemin në fjalë duke paraqitur faktorët që ndihmojnë në përhapjen e këtij problemi, si dhe treguam për disa dukuri dhe pasoja të këtij problemi. Në këtë pjesë do të përqendrohemi për t’ju paraqitur shembuj të njerëzve që u dogjën me zjarrin e flirtit.
Po ju sjellim disa raste dhe shembuj të bashkëshorteve, që janë sprovuar të kenë burra flirtues, këtë po e bëjmë me fjalët dhe shkronjat e vetë atyre, edhe pse për disa shprehje unë kam rezerva, por qëllimi është që të dali në pah qartësisht ajo vuajtje dhe ajo djegie nga çka po vuajnë:
A) Nuk kam besuar kurrë dhe asnjëherë se një ditë burri im do të bëhet flirtues dhe njeri i egër, që dëshiron të bëjë për vete çdo femër, e cila do t’i jepte fjalë të ëmbla dhe do t’i lejonte ta rrepte. E gjithë kjo, pasi ai ishte një burrë i drejtë, falte pesë kohët e namazit në kohën e vet dhe kujdesej të shoqërohej me njerëz që ia kujtonin vlerat dhe e largonin nga poshtërsitë. Vazhdoi ashtu jeta jonë duke shijuar ëmbëlsinë e saj me pesë fëmijët tanë, derisa burrit tim i shkoi ndërmend të hapë një biznes në një prej tregjeve më të njohur. Ajo ide na gëzoi, ah sikur të mos ishim gëzuar. Nejse, burri merrej me tregtinë, saqë fillova të befasohem me faktin se ai dëshironte të shkojë te dyqani edhe pse kishim punëtorë, madje shkonte shumë herët, më herët sesa orari i punës tjetër që kishte paradite. Kaluan ditët për të filluar jeta e problemeve dhe e kokëçarjeve. Fillova të gjej në celularin e tij letra dashurie nga femra, në praninë time nuk i përgjigjej ca thirrjeve, ndërsa kur e kishte doemos të përgjigjej dilte me shpejtësi nga shtëpia që të përgjigjet! E tëra kjo është e lehtë në krahasim me atë që burri im bëri kohëve të fundit. Vitin e kaluar ai udhëtoi jashtë shtetit dhe unë e zbulova se udhëtimin e tij e kishte aranzhuar së bashku me një femër, me qëllim që të takohen atje. Ai tani po bëhet gati të udhëtojë për së dyti. Dua të them se jeta dhe fëmijët e mi janë bërë të rënda për mua, po mendoj për divorc, sepse xhelozia nuk duron më. Deri tani këtë mendim ma ndalonte dhimbja për pesë fëmijët e mi, mirëpo tashti e mendoj seriozisht, sepse nuk kam zgjidhje tj
etër.
B) Burri im e kishte njohur një femër nëpërmjet internetit dhe filloi me orë të tëra të bisedonte me te me kompjuter. Kjo e bëri dalëngadalë që të braktisë edhe namazin me xhemat. Ai tashmë është zhytur në dashuri pas saj – siç pretendon – dhe dëshiron të udhëtojë së bashku me te!
C) Unë jam një femër që jam martuar para tre vitesh, kur isha 20 vjeç. E falënderoj Allahun që jam e lumtur me bashkëshortin, e dua dhe më do. Problemi është se unë kam zemër të mirë me të gjithë, si dhe bashkëshorti është njeri me nder dhe i respekton të gjithë. Problemi filloi kur shoku i burrit – të cilin e ka shumë të afërt – nisi të flirtojë me mua, saqë arriti situata të më takojë në rrugë, të bisedojë me mua dhe më thotë t’i lajmërohem. Shkurt, unë jam e huaj në këtë vend ku jam e martuar, ndërsa gruan e këtij personi tashmë e kam mike, mirëpo nuk e di si t’ia bëj, a t’i tregoj burrit tim? A t’i tregoj gruas së tij? A ta përçmoj atë? Kam frikë se çështja do të kthehet kundër meje! Ju lutem, më ndihmoni!
Ç) Unë jam një grua 26 vjeçe, jam fetare dhe praktikante. Jam martuar para 19 muajve dhe nuk kam fëmijë. Kam problem me burrin tim, ai është shumë i egër ndaj meje, më ka rrahur disa herë për gjëra shumë të thjeshta! P.sh. ishim duke ecur bashkë dhe ai shikonte gratë e huaja, unë i thashë: ‘Ule shikimin dhe ki frikë Allahun’, ndërsa ai më rrahu aq shumë, saqë u desh t’i telefonojmë ndihmës së shpejtë. Madje një ditë prej ditësh më rrahu me egërsi, në fytyrë dhe në tërë trupin pastaj me rrobat e gjumit me nxori nga shtëpia. Nëna ime më bindi që të kthehem dhe unë u ktheva tek ai. Disa ditë më vonë zbulova se ai i shkruante letra një femre që dashuronte dhe ia thashë troç, se unë e di për këtë. Ai më tha se nuk ka asgjë në këtë dhe se nuk e dashuron atë. Për këtë ai më bojkotoi tetë muaj, nuk më fliste dhe as që mund ta shihja pa ndonjë arsye të bindshme. Jetonim në një shtëpi, por në dhoma të ndryshme, derën e mbyllte me çelës gjithmonë. U mundova shumë të bisedoj me të, por refuzonte me ashpërsi. I thashë: Haram është të më bojkotosh për kaq shumë kohë, por nuk i interesonte. Marrëdhënie nuk kemi pasur që nga martesa jonë, përveçse rrallë. Ai parapëlqen masturbimin duke shikuar filma pornografikë, siç e kishte pasur zakon për vite me radhë. Megjithëse jam munduar t’ia largoj këtë zakon, por pa sukses. Ai më urdhëron të kujdesem për shtëpinë, përndryshe do të më hedhë jashtë. Ai e paguan qiranë ndërsa harxhimet e përditshme dëshiron që unë t’i marr përsipër, edhe pse e di mirë se ai ka mundësi t’i paguajë të gjitha. Me plot siguri mund të them se unë atë njeri tashmë e urrej, sepse e ndjej se ai nuk ka rahmet ndaj meje dhe nuk e ka frikë Allahun për mua. Allahun e kam dëshmitar se jam munduar shumë që jeta jonë të shijojë lumturinë, por nuk e di cili është vendimi i saktë. Më ndihmoni, Allahu ju ndihmoftë.
D) Jam martuar para katër muajve me një djalë që ishte rritur në Evropë. Familja e tij është shumë e mirë. Para disa javëve kam zbuluar se ai mban një lidhje të ndaluar fetarisht me një evropiane, tashmë një vit. Ai nuk paska mundur të ndahej nga ajo, edhe kur u fejua e u martua. Unë me këmbëngulje menjëherë kërkova divorcin, por ai nuk dëshiron të ndahet nga unë dhe më gënjen kur më thotë se është ndarë me të. Megjithatë ai me gojën e tij më ka thënë se ende e dashuron atë vajzë, çka të bëj, a të kërkoj divorcin për shkak të tradhtisë? Apo duhet të duroj?
DH) Jetoj me një burrë tradhtar, që për detyrat bashkëshortore nuk do t’ia dijë. Ato nuk kanë ndonjë peshë apo vlerë tek ai. Te celulari i tij lexoj letra erotike skandaloze nga femrat e tij. Madje goditja më e madhe për mua është kur ato lajmërohen për të këmbyer me këtë njeri fjalë dashurie, paturpësie, erotike dhe kurvërie, ndërsa unë duroj dhe shpresoj shpërblimin tek Allahu. Lutem për të natë e ditë, që ta udhëzojë dhe ta përmirësojë. Megjithatë ai është një bashkëshort i sjellshëm, mirëpo epshit të tij ia ka lëshuar dizgjinët që të notojë në tokë e në qiell, të përqafojë gratë e shfrenuara, të mos ketë frikë nga Zoti i tokës dhe i qiellit, biseda djallëzore, flirte çmendurie, ndezje të epshit dhe ndjekje të tekave dhe shpirtit që urdhëron nga e keqja. Madje çështja ka mbërritur deri aty, saqë njëra nga ato me të cilat flirton në telefon është mësuese e Kuranit – sipas saj – dhe është e martuar me një burrë që cigaret i ndez një pas një dhe pi alkoolin. Kur ai e thërret në shtrat ajo i jep të holla, madje ai shpesh i thotë asaj: Më braktis mua dhe gjeje dikë tjetër. Ajo që ka iman të dobët padyshim do të zhytet në gjynahe dhe poshtërsi. Nejse, burrit të saj alkooli ia ka bllokuar trurin, ia ka humbur epshin, kohën, pasurinë, shëndetin, jetën, madje fenë dhe nderin. Në listën e burrit tim nuk është vetëm kjo “mësuese e Kuranit”, por ka një numër të madh grash. Një herë e zura duke biseduar me një femër, së cilës i prezantohej si profesor në universitet. Kjo më shtyu të qesh, por edhe të qaj, sepse ajo ishte një nga shoqet e mia. Që nga ajo ditë zjarri i zemrës sime nuk shuhet, në celular kam gjetur shumë letra paturpësie dhe shprehje të fëlliqura femrash, ndërsa të gjitha ato janë të martuara, madje kanë fëmijë të rritur. Disa nga ato janë mësuese në zë. Unë u sprovova me këtë burrë tradhtar, por fatkeqësia është se kam një vajzë me te, si të kërkoj divorcin?! Ai sillet mirë ndaj meje, më shpreh fjalë dashurie dhe afërsie dhe më flet për ndjenjat e tij, por thotë: Shejtani bën një pjesë të punëve të këqija, ndërsa ato gratë shejtanë bëjnë pjesën tjetër. Ai supozon se mes tij dhe atyre nuk ka asgjë përpos fjalëve, bisedave telefonike, mesazheve të shkurtra dhe mund të ndodhë ndonjë takim, por nuk e prek atë që e ka të ndaluar. Ai thotë kështu, por dija e plotë është tek Allahu. Unë po jetoj e dëshpëruar jetën time, jam midis dy skajeve të hidhura, ose ndarje me divorc, ose ndarje shpirtërore, duke qëndruar në një shtëpi me këtë tradhtar. Ai e pranon krimin para meje, i vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, qan për këtë dhe premton se nuk do ta bëjë më, por ai sërish e bën, sërish e bën, sërish e bën. Ai ma ka copëtuar zemrën, nuk po mundem t’i them asnjë fjalë të bukur, por edhe nëse ndodh t’i them ndonjë fjalë brenda meje them: O rrenacak, o dyfytyrësh, sa femra sot prej teje kanë dëgjuar të njëjtat fjalë? Tashmë, nuk po mundem ta shikoj në fytyrë dhe më duket sikur ka një mur të madh midis nesh. Oh, sa jetë e rëndë që nuk mund të përballohet.
E) U kthjella një ditë për të parë atë që nuk e kam paramenduar, as imagjinuar ndonjë ditë. Burri im, të cilin e dua pas një martese që vazhdon prej pesëmbëdhjetë vitesh kryen në telefon biseda të çuditshme… pëshpërit… zgërdhihet… shprehje të flakëruara dashurie, celularin e tij e merr kudo që lëviz… e mban nën jastëk kur fle, rri natën pa gjumë, krihet shumë, largohet nga unë pak nga pak. Kjo është bërë përditshmëria e tij, nuk është i kujdesshëm për namazet, përcjell filmat dhe satelitin… kur e shoh tërë këtë ndryshim nuk u besoj veshëve çfarë po dëgjoj, e as syve çfarë po shoh, ç’ndodhi? Kush është shkaku? Ah unë, e pavëmendshmja dhe e gjora, e kuptova se burri im dashuron një tjetër, madje lidhja e tyre kishte kaluar kufirin e bisedave me telefon!
Këto ishin disa vuajtje që po përjetojnë disa bashkëshorte të gjora, ndërsa burrat nuk shkruajnë, por me vendosmëri çështjen e përfundojnë me divorc kur e kuptojnë se gratë e tyre flirtojnë. Ndërkohë prindërit vuajnë edhe më shumë, kur kuptojnë se djemtë apo vajzat e tyre kanë rënë në këtë moçal.
Pjesa IV
Udhëzime për ata që duan të shërojnë tradhtinë bashkëshortore
Në pjesët e kaluara e shpjeguam këtë problem duke paraqitur faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tij, përmendëm ca dukuri dhe pasoja të këtij problemi e po ashtu sollëm disa shembuj të vërtetë nga familje që u dogjën nga zjarri i flirtit dhe i tradhtisë. Punimin do ta përmbyllim në këtë pjesë, ku do të përmendim udhëzime drejtuar atyre që marrin përsipër t’i shërojnë dhe t’i rehabilitojnë ata që pësuan nga këto gjynahe.
Këshilla drejtuar atyre që duan të shërojnë këto raste:
Tradhtia është një çështje që gjendet në shoqëritë muslimane dhe këtë nuk mund ta mohojë asnjë i drejtë, megjithëse në vendlindjen time – elhamdulilah – nuk është një dukuri aq e përhapur shoqërore.
Ata që marrin përsipër të shërojnë probleme familjare duhet të marrin parasysh edhe raste të këtilla, pastaj të përpiqen me të gjitha mundësitë, që t’i zgjidhin këto probleme duke e shpresuar shpërblimin e madh dhe mirësitë e shumta, që Allahu jep kundrejt bamirësisë, ndihmës ndaj nevojtarit dhe zgjidhjes së brengave:
• T’i kuptojë përmasat e këtyre problemeve bashkëshortore.
• T’i përmbahet kodit të sjelljes islame në diskutimet, stilin dhe sugjerimet e tij.
• Të ketë bindjen se çdo problem ka zgjidhje, pavarësisht e arrin atë apo ai personalisht nuk ka mundësi ta arrijë.
• Dhënia e ndihmës dhe përkrahjes ndaj atij apo asaj që kërkon këshilla dhe udhëzime.
• Të tentojë të njohë shkaqet reale të problemit dhe jo t’i adresojë të gjitha vetëm në adresë të burrit.
• Ka mundësi që ky problem të jetë thjesht një rezultat i ndonjë problemi më të madh dhe më të thellë nga jeta bashkëshortore, ndaj ai që dëshiron të japë këshilla duhet ta vërtetojë këtë.
• Të tentojë të parashtrojë shkaqe të tjera hipotetike, të cilat ndoshta qëndrojnë pas këtij problemi, ndërsa ata mundohen t’i injorojnë ato ose me të vërtetë nuk i njohin.
• Të nënvlerësojë problemin para palëve, duke e krahasuar problemin e tyre me probleme më të mëdha dhe më të rrezikshme.
• Të ofrojë disa zëvendësime për të tejkaluar problemin pasi t’i njohë shkaqet reale të problemit.
• Të përhapë shpresën te burri dhe te gruaja dhe të instalojë tek ata moralin e durimit, duke u shpjeguar për vlerën që durimi ka tek Allahu.
• Ta thërrasë burrin dhe gruan të shfrytëzojnë praninë e fëmijëve mes tyre, duke i frikësuar për rrezikun e nderit dhe shkëputjen e kënaqësisë së shpirtit.
Ilaçi:
Disa burra apo gra nëse i shohin apo u flitet atyre për dëmet dhe pasojat që i shkakton tradhtia, për të cilat atyre nuk u ka shkuar mendja, kjo mund të ndikojë që të heqin dorë nga ky ves i ndaluar. Mirëpo forma sesi t’ia themi këto tradhtarit apo flirtuesit dallon nga individi dhe personaliteti i njeriut, kështu që mund të propozojmë metoda të tjera që mund të përshtaten me rastin. Prej atyre metodave janë:
1. Sigurimi se tradhtia ka ndodhur me të vërtetë dhe jo duke u mbështetur në supozime apo hamendje.
2. Të tentojë ndërlidhjen e bërjes së gjynaheve, duke e frikësuar keqbërësin me përfundimin e keq.
3. Përkujtimi i burrit apo gruas që ka rënë në sprovën e tradhtisë, se në sprova ka urtësi të mëdha, ndonjëherë ka shumë mirësi, mirëpo për këtë duhet të luftojë duke bërë lutje, namaze vullnetare dhe duke dhënë sadaka.
4. Pendimi, nga të dy palët apo së paku për atë i cili ankohet, sepse kjo sjell rehabilitimin shpirtëror, i cili është shumë i rëndësishëm.
5. Njohja e personalitetit të tradhtarit për të qenë kjo një hyrje për shërimin dhe përmirësimin e tij.
Nga përvoja ime në fushën e Këshillimit Familjar, në shumicën e rasteve kam parë se gruaja është ajo që vuan nga tradhtia e burrit dhe vetëm ajo ankohet, ndërsa shumë të rralla janë rastet kur burrat kërkojnë shërimin e devijimeve të gruas, sepse me të shpejtë e shërojnë atë devijim me armën e të paaftit: divorcin.
Nga ilaçet që mund të bëjnë dobi – me lejen e Allahut – janë këto:
• Gruaja në kësi problemesh duhet të përmbahet me urtësi dhe jo ta kaplojë emocioni, xhelozia dhe goditja, sepse kjo do ta bëjë që gabimin ta kthejë me gabim, duke shpërfillur kujdesin ndaj shtëpisë apo së paku ndaj burrit. Në fillim ajo nuk duhet të tregojë shenja pakënaqësie, sidomos nëse burri është shpërfillës apo i disponuar kundër saj.
• Të sigurohet plotësisht për tradhtinë dhe të gjejë argumentin e prerë, se burri i saj me të vërtetë e ka kryer tradhtinë, e gjithë kjo para se të marrë ndonjë nismë tjetër.
• Njohja e gjërave që tërheqin zemrën e burrit, që pastaj t’i mësojë dhe t’i kultivojë ato, pavarësisht nëse ka të bëjë me shtëpinë, veshjen e saj, makijazhin, rregullimin e flokëve, mobiliet e shtëpisë, dhomën e gjumit, ndriçimin, ngjyrat, rrobat e brendshme, lëvizjet gjatë seksit etj.
• Të nxitojë drejt risive dhe përparimit në mënyrën e sjelljes së saj, kur e pret burrin në shtëpi apo e përcjell, si dhe gjëra të tjera të ngjashme.
• Të hulumtojë gjetjen e materialeve që shërojnë problemin e tradhtisë, t’i tubojë ato, t’i radhisë dhe pastaj të zgjedhë ndonjë metodë të përshtatshme për t’ia parashtruar, sikurse:
– dorëzimi i atij materiali në formë të shkruar, duke e shoqëruar me fjalë të bukura dhe të buta.
– shprehja e atij materiali gojarisht, me metodën e të dashurit që ka dhembshuri.
– printimi i atij materiali dhe vendosja diku ku mund ta shohë ai, në tavolinë, sallon apo dhomën e gjumit.
– vendosja e atij materiali në kompjuter apo aparatin e DVD-së, nëse materiali është video, për ta shikuar atë në një moment të përshtatshëm për të dy.
– nëse materiali është audio, atëherë t’ia bëjë të dëgjueshme nga magnetofoni, si p.sh. ta vendosë kasetën apo CD-në në magnetofon dhe kur të shohë rastin se mund ta dëgjojë edhe burri, ajo shkon dhe e lëshon kasetën sikur ajo dëshiron ta dëgjojë për vete.
– dërgimi i disa pjesëve nga materiali me sms herë pas here, duke i shoqëruar me fjalë të ëmbla, këshilluese, ndikuese dhe të shkurtra.
– vendosja e atij materiali në desktop të kompjuterit pasi materiali të jetë i gatshëm për ta shikuar (në flash, video, film me ilustrime, karikaturë), dëgjuar apo lexuar (në word, powerpoint).
– nëse materiali është i regjistruar në audio, atëherë le të mundohet t’ia sjellë situatën që burri ta dëgjojë në veturë. P.sh., nëse janë duke bërë ndonjë udhëtim të gjatë, ajo i kërkon leje që ta vendosë atë kasetë (CD apo USB) në radion e veturës duke u arsyetuar se herët e tjera, nuk ka mundur ta dëgjojë për shkak të udhëtimeve të shkurtra, por në realitet arsyeja kryesore është që burri ta dëgjojë atë material. Madje për ta bindur edhe më shumë, se vetë ajo dëshiron të përfitojë nga ai material, preferohet të nxjerrë një laps e një letër dhe të regjistrojë pikat më të rëndësishme që i thotë ligjëruesi… e kështu me radhë.
• Nëse këto metoda nuk kanë sukses, atëherë mund të telefonojë në subjekte që merren me Këshillime Familjare, që gjenden nëpër disa shtete.
• Nëse edhe kjo nuk ka sukses, ose nuk mund të gjejë asi subjektesh, atëherë le të hulumtojë të gjejë ndonjë njeri të mençur dhe të urtë, qoftë ai mashkull apo femër nga familja e saj dhe bashkërisht të parashtrojnë problemin dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë.
Në fund, e lusim Allahun e Madhërishëm të
na i rregullojë nijetet dhe veprat tona. Ai është më i Miri nga kush mund të kërkojmë. Ai është pa të meta. Lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi krijesën më të mirë, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe ndjekësit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
DR. IBRAHIM NUKEJTHAN
nga arabishtja: Omer B./albislam/kohaislame.com