Fondi i Shëndetësisë e lë pa shërim 14 vjeçarin Edmir Boshnjaku nga Shkupi

Çdo ditë kur niset për në shkollë, Edmir Boshnjaku ka një brengë, sepse nuk mund të luaj me shokët e tij. Ai ka vështirësi në ecje, si pasojë e sëmundjes së diabetit, nga e cila vuan prej lindjes. Familjarët, ndonëse për djalin e sëmurë marrin një ndihmë modeste nga shteti, përsëri nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e larta.

Sipas mjekëve, s’ka kurim të plotë të kësaj sëmundje kronike, por ata rekomandojnë që 14 vjeçarit, t’i bëhet transplantim i pankreasit, në ndonjë klinikë jashtë vendit. Babai i tij, Skender Boshnjaku thotë se Fondi Shëndetësor, akoma nuk i ka mundësuar këtë.

“Kjo është një vështirësi pa masë se ditë dhe natë i kam në mendje, a mos i ra glukoza apo mos i hipi glukoza. Edhe këto aparate që na ka ofruar shteti jonë, ato janë të pasakta. Ne, te spitali shtetëror për fëmijë dhe në endokrinologji, kemi bërë disa rezultate. Nuk e ka gjendjen normale si këta fëmijët e tjerë. për shkak të nevojave të diabetit”, tha ai.

Edmiri apelon që sa më shpejt institucionet t’i mundësojnë shërimin jashtë shtetit, pasi që familja e tij nuk mund të përballojë koston e shërimit. Ai gjithashtu, bën thirrje për ndihmë bamirësie nga qytetarët.

“Jam klasa e shtatë dhe jam i sëmurë nga diabeti. Ndonjëherë më dhëmbin gjunjët”, shtoi ai.

Ndërkaq, Drejtori i Fondit Shëndetësor, Orhan Ramadani, thekson se Fondi nuk i ka paraparë mbulimet e shpenzimeve jashtë shtetit për sëmundjen e diabetit. Sipas tij, mbi 80 mijë qytetarë vuajnë nga kjo sëmundje, në nivel vendi. Ai tha se Fondi Shëndetësor mund t’i lirojë nga participimi, për shërbimet nëpër klinikat shtetërore.

Familja Boshnjaku është tejet e shqetësuar në këtë rast, duke hasur në shumë vështirësi edhe nga gjendja e rënduar financiare. Ky fakt bëhet më i dhimbshëm kohëve të fundit, kur me diabet është diagnostikuar edhe vajza 3 vjeçare, Dilara. (TV21)

https://www.youtube.com/watch?v=cGfq4a3y4uc

Artikulli paraprakMPJ: Maqedonia nuk do t`i mbyll kufijtë për refugjatët
Artikulli vijuesLirije Rushitit i duhet ndihma jonë, ajo vuan nga zemra