Francë, komedia me tone anti-semite ngjall zemërim

Autoritetet në Francë po marrin masa për të ndaluar shfaqjet e një komediani të debatueshëm për komentet e tij anti-semite dhe një gjest të tij, që grupet hebraike e lidhin me një përshëndetjeje naziste. Anti-semitizmi dhe mohimi i Holokaustit janë çështje sensitive në Francë, ku ende ekzistojnë ndjenjat e kohës së luftës, ndërkohë që janë shtuar kohët e fundit sulmet kundër komunitetit hebre të vendit. Por siç njofton nga Parisi, Lisa Bryant e Zërit të Amerikës, kjo çështje nuk është kaq e thjeshtë.

Sacha Reingewirtz e dëgjon ndonjëherë këtë këngë nëpër rrugë. Ajo titullohet Shoah Nanas, ose Ananasi i Holokaustit. Kohët e fundit ajo u përhap shumë në Internet, një prej shumë talljeve kundër hebrenjve, të përdorura nga komediani francez 46 vjeçar, Dieudonné M’bala M’bala.

“Shumë njerëz kanë frikë. Dhe e kam fjalën veçanërisht për studentët hebrenj. Kur ata dëgjojnë njerëzit që këndojnë këngë rreth Holokaustit të krijuara nga Dieudonné, ofendohen shumë, madje edhe frikësohen shumë”.

Dieudonné, i cili njihet thjeshtë me emrin e tij, po nxit debate të reja me një krijim tjetër të tij: një gjest me ku njëra dorë qëndron e shtrirë poshtë kurse tjetra prek shpatullën e që ai e quan quenelle, fjalë që zakonisht lidhet me një gatim peshku të zonës. Gjesti është përdorur në stadiume futbolli dhe në fotografi tallëse që qarkullojnë jashtë institucioneve hebraike. Dieudonné thotë se gjesti quenelle është kundër krijimit dhe jo anti-semit, por grupet hebraike e lidhin atë me një përshëndetje naziste.

Tani që qeveria përpiqet të ndalë shfaqjet e komedianit Dieudonné, ajo po përballet me një sërë sfidash, që nga shqetësimet rreth lirisë së shprehjes e deri tek një formë e re anti-semitizmi. Edhe nëse qeveria ndalon shfaqjet e komedianit në teatër, gjë që po përpiqet ta bëjë, Dieudonné tërheq një audiencë të madhe në Internet.

“Interneti ofron një platformë për Dieudonné dhe përkrahësit e tij. Shpesh mund të shikosh në YouTube, për shembull, videot e tij që shikohen nga mbi dy milion njerëz dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme”.

Duket se zyrtarët francezë kanë pasur rezultat në përpjekjet e tyre për të ndaluar shfaqjet e komedianit. Ndërsa Dieudonné fillon këtë javë një turne kombëtar, disa distrikte e kanë ndaluar komedianin të japë shfaqjen e tij vetëm, pas thirrjes së qeverisë, e cila ndërkohë po bën edhe hetime nën dyshimet për pastrim parash.
Këtë javë, Presidenti Francois Hollande u bëri thirrje autoriteteve që të zbatojnë vendimin për ndalimin e shfaqjeve të komedianit Dieudonné.

“Është e rëndësishme që të jemi vigjëlentë dhe të mos lëshojmë pe kundër racizmit dhe anti-semitizmit, të cilat janë poshtëruese, diskriminuese dhe mund të dëmtojnë rendin publik”.

Drejtues si Roger Cukierman, president i organizatës hebraike CRIF, përshëndetën masat e shpejta të qeverisë.

“Atmosfera e krijuar nga Dieudonné kontribuon pa dyshim drejt dhunës, sepse ajo përhapet në mendjet e njerzve të dobët dhe në urrejtjen për hebrenjtë. Dhe nga urrejtja kalon në dhunë”.

Por kritikët thonë se qeveria po i kalon kufijtë. Avokatët e komedianit Dieudonné kanë kërcënuar se do të ngrenë çështje ligjore. Të tjerë si sociologu Michel Wieviorka, mendojnë se autoritetet dhe media po reagojnë më shumë seç duhet.

“Qeveria po lufton Dieudonné si të përdorësh automatikun për të vrarë një mizë. Pra mund të them se gjërat kanë marrë përmasa tepër të mëdha. Është e qartë se kemi të bëjmë me një çështje tepër politike sepse në këtë situatë qeveria nuk dëshiron të lejojë asnjë farë dyshimi tek popullata hebraike si në Francë edhe jashtë saj”.

Franca do të mbajë zgjedhjet bashkiake në mars dhe presidenti Hollande dhe qeveria e tij nuk janë shumë popullorë.

Në një kohë kur shumë francezë janë të shqetësuar rreth ekonomisë dhe vendeve të punës, thotë studenti Reingewirtz, Diedonne fajëson hebrenjtë për problemet e tyre dhe kjo ndjenjë, thotë ai, duket se po përhapet në Francë./voa

Artikulli paraprakTitrimi i videove
Artikulli vijuesForeign Policy: Duke interpretuar al-Kaidën