Frika ndaj Islamit në Shqipëri

A është Shqipëria islamofobike?

Kur Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia po konsideronte lejimin e lirive fetare në Shqipëri, një figure madhore e kulturës bashkëkohore shqiptare, shkrimtari Ismail Kadare, sugjeroi që mos hapeshin  hamitë. Në shpjegimin e tij, Kadare bën të qartë se për të, ashtu si dhe për shumicën e establishmentit kulturor e intelektual shqiptar, Islami përbënte njëkohësisht aksidentin fatal historic si dhe pengesën kryesore të kthimit të Shqipërisë në “familjen evropiane.” Me gjithë hapjen e xhamive, ideja se Islami reflekton një lloj njolle në biografinë kombëtare përballë evropianëve, u bë një refren i përsëritur në media e në qëndrime të establishmentit kulturor shqiptar, si dhe u zyrtarizua në qëndrimet e një sërë funksionarësh shtetërorë nga e majta dhe e djathta.

 

Ky qëndrim u artikulua dhe nga ish-kreu i shtetit, presidenti Alfred Moisiu, në fjalimin e mbajtur në Angli në 2005, kur deklaroi se në thelb të gjithë shqiptarët janë të krishterë dhe se Islami është një fe e mbivendosur, jo-historike për shqiptarët. Islami u deklarua zyrtarisht si i huaj në mozaikun kombëtar. Këto qëndrime janë shprehje dhe gjeneratorë të një frike ndaj Islamit, të përftuar kështu si pengesë për të ardhmen e shqiptarëve. Mbartësit e besimit, sidomos në format e tij publike – kryesisht vajzat që mbanin shaminë myslimane – u panë dhe u demaskuan si shenja të një rreziku kombëtar që tenton ta shpjerë “Tiranën në Teheran,” agjentë të axhendave nga Lindja e Mesme që kërkojnë të ndërrojnë kahjen evropiane të Shqipërisë. Kjo frikë ka motivuar dhe legjitimuar politika e qëndrime diskriminuese në punësim, shkollim apo dhe leje ndërtimi për xhami. Frika shqiptare ndaj Islamit reflekton kontekstin specifik shqiptar po aq sa dhe një klimë ndërkombëtare. Opozita kundër ndërtimit të një xhamie në pjesën jugore të Manhattan-it në New York e gjetkë në ShBA nxiti revistën Time të vendosë në faqen e parë të saj pyetjen: Is America Islamophobic?

 

Në një studim të Qendrës për Progres Amerikan të titulluar Fear Inc. (2011) (përkthyer në shqip e postuar nga blogu mysliman e-zani.com si Fabrika e Frikës: Rrënjët e Rrjetit të Islamofobisë në Amerikë) vihet në dukje se, në fakt, fushata islamofobike në Amerikë ka si gjeneratorë ideologjikë dhe financiarë një numër shumë të vogël personash dhe organizatash, por që kanë arritur të vënë miliona dollarë në shërbim të kauzës së tyre. Kjo fushatë ka synime të qarta politike: duke nxitur frikë dhe urrejtje të publikut ndaj Islamit, synimi kryesor është të efektojë politikat elektorale në ShBA, ku ende një numër jo i vogël i popullsisë beson se Presidenti Barack Obama është mysliman. Synimi i dytë ka të bëjë me efektin në politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme, kryesisht në territoret e pushtuara arabe në Palestinë dhe konfliktet e ndërlidhura me të.

 

Raporti i Këshillit të Evropës për Islamin, Islamizmin dhe Islamofobinë në Evropë (2010) thërret vëmendje tek roli i partive të djathta populiste në Zvicër, Hollandë, Belgjikë, Francë e gjetkë ku është abandonuar retorika anti-emigracion në favor të një propagande mirëfilli antiislame. Frika ndaj militantizmit të dhunshëm politik të disa grupeve myslimane – identifikuar jo krejtësisht saktë në raport si ‘islamizëm’ (jo të gjitha format e islamizmit politik janë të dhunshme) – është përdorur për të identifikuar në tërësi fenë islame dhe të tërë myslimanët si të dhunshëm dhe si kundërshtues të vlerave evropiane. Ky raport vë në dukje se një nga ushqyesit kryesorë të islamofobisë është injoranca ndaj traditave dhe vlerave fetare të bashkësive fetare të Evropës dhe rekomandon programe edukative që informojnë studentë e publikun në përgjithësi mbi fetë, kulturat, dhe historitë e popujve të kontinentit evropian. Një sërë pikash të këtij raport kërkojnë përqasje me realitetin shqiptar.

 

Ky raport rekomandon shtimin e programeve shkollore gjer në nivel universitar që studiojnë Islamin, vlerat e përbashkëta dhe traditat e myslimanëve, ndërsa në Shqipëri futja në shkolla e lëndëve që informojnë rreth traditave fetare në Shqipëri u kundërshtua fuqimisht. Ndërkohë që ky raport njeh dhe identifikon gjeneratorët e islamofobisë në Evropë, Tirana politike ka vazhduar të përsërisë se Shqipëria është një shembull i rrallë i tolerancës ndërfetare. Në të kundërt, debatet në forume online ndikojnë rritjen e intolerancës fetare ndër shqiptarët. Duhet vërejtur fakti se disa nga nxitësit kryesorë të islamofobisë në perëndim nuk kanë amplifikuar idetë e tyre nëpërmjet mediave më të njohura të vendit, por nëpërmjet blogosferës. Në blogosferën shqip kemi prej disa kohësh hapjen e faqeve me qëndrime ekstremiste me nuanca nacionaliste e katolike (ashtu si nuk mungojnë dhe faqe të tilla myslimane) të cilat ndikojnë në krijimin e një gjuhe tensioni dhe urrejtjeje ndërfetare.

 

Në anën tjetër, figura ekstremistësh në perëndim janë gjithsesi të margjinalizuar nga mainstream, por në Shqipëri, figura ekstremistësh që lavdërojnë masakrën e Sebrenicës, bëjnë thirrje për deportim të myslimanëve shqiptarë e lavdërojnë terrorizmin e norvegjezit Breivik promovohen në mediat kryesore të vendit. Ksenofobia dhe racizmi i mbartur i Islamofobisë nuk është bërë ende një koncept i papranueshëm i mainstream- it shqiptar. Në vitet e fundit kalkulimet elektorale kanë sjellë një lloj rehabilitimi publik të myslimanëve nga politikanët e majtë dhe të djathtë. Prezenca e politikanëve përkrah liderëve komunitarë myslimanë, sidoqoftë, nuk është përkthyer në adresimin e margjinalizimit dhe diskriminimit të myslimanëve të thjeshtë në punësim dhe shkollim. Të dy raportet e sipërpërmendura vënë në dukje se demaskimi dhe lufta kundra islamofobisë nuk kërkon të mohojë rrezikun e militantizmit politik që vjen nga grupe myslimanësh në vende të ndryshme të botës, por të vërë në dukje se ekuivalenca e pretenduar midis këtyre grupeve dhe shumicës së myslimanëve është një karikaturë reduktuese e realitetit. Të dy këto raporte vënë në dukje se islamofobia përbën një rrezik për demokracinë dhe për vlerat thelbësore perëndimore. Në Shqipëri, për shkak të specificitetit historik, islamofobia rrezikon edhe kohezionin dhe solidaritetin social të shoqërisë.

Besnik Sinani*

*Autori është kontribues në vëllimin e ardhshëm të Leiden University Press, në Hollandë, Sharia in the West (2013).

Artikulli paraprakÇlirimi i Kostandinopojës
Artikulli vijuesKUSH PO I FYEN NDJENJAT FETARE TË SHQIPTARËVE TË BESIMIT ISLAM..?