FSK DHURON GJAK

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që në orët e mëngjesit, i janë përgjigjur ftesës për dhurim të gjakut, në aksionin humanitar të dhurimit të gjakut, i cili nga e hëna do të zgjasë deri më 16 korrik, që është organizuar nga Ministria e FSK-së dhe Qendra e Transfuzionit të Gjakut.

Shemsije Islami, pjesëtare e FSK-së,  e cila që me mëngjes priste në radhë për të dhuruar gjak, tha se që nga viti 2000 si dhuruese vullnetare e gjakut, dhuron gjak çdo gjashtë muaj. Islami pohon se ndjehet mirë për një gjest të tillë, pasi që siç thotë ajo, me gjakun e saj, mund të shpëtojë një jetë dhe t’i ndihmojë njerëzit që kanë nevojë për të.

Ndërsa zëvendësministri i FSK-së, Bejtush Gashi tha se është dhurues i rregullt i gjakut, në cilësinë e anëtarit të kryesisë së Kryqit të Kuq të Kosovës. Ai pohoi se FSK-ja gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme t’iu përgjigjet aksioneve të tilla të dhurimit të gjakut, gjë që e ka dëshmuar dhe në të kaluarën, jo vetëm në aksione të tilla, por edhe në raste kur një gjë e tillë kërkohet nga ta, për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.

Edhe Gëzim Hazrolli, ushtrues detyre i komandantit të Forcave Tokësore në FSK, tha se është hera e nëntë që ai dhuron gjak. Hazrolli thotë se dhurimi i gjakut është një ndjenjë e mirë, pasi që me këtë akt mund të shpëtosh jetë, po ashtu edhe u ndihmohet rasteve emergjente, që janë  përditshmëri në Kosovë. Ai po ashtu pati një mesazh për të gjithë ata që kanë mundësi të dhurojnë gjak, pasi që kjo nuk e dëmton shëndetin e tyre. Ndërsa pohoi se pjesëtarët e FSK-së,  janë dhe do të mbeten të përkushtuar ta ndihmojnë popullatën në këtë drejtim.

Ndryshe, aksionit të dhurimit të gjakut i cili kishte filluar që në ora 9:00 në Ministrinë e FSK-së, deri në orën 11:00 i janë përgjigjur 36 pjesëtarë të FSK-së. kohaislame

Artikulli paraprakPRESHEVA FESTON 100 VJETORIN E SHTETIT SHQIPTAR
Artikulli vijuesApple mbyll shërbimin MobileMe