Zhvillimet e fundit në Turqi lidhur me tentativën e dështuar për grusht shteti nga organizata terroriste FETÖ nuk kanë lënë indiferent as gazetarët dhe opinionistët në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, të cilët për Anadolu Agency (AA) shprehin shqetësimin lidhur me përpjekjet për rrënimin e demokracisë së brendshme në shtet dhe instalimin e diktaturës ushtarake.
Gazetari nga Shqipëria, Ermir Hoxha, në qëndrimin e tij thotë se ata që nuk e njohin realitetin politik të Turqisë së djeshmes dhe të sotmes, nuk janë në gjendje ta kuptojnë se si një popull del dhe sakrifikon jetën për ligjin, rendin, pushtetin legjitim, duke mos i dhënë tjetër shans ushtrisë që të legjitimojë veten me grykën e armëve.
“Ndërkohë, perëndimi që e konsideron të shenjtë sistemin demokratik, atë ku pushtetet legjitimohen dhe deligjetimohen vetëm me votë, në respekt të vlerave që promovon e përfaqëson, më së shumti i takon të reagojë fort dhe alarmueshëm ndaj atyre që tentojnë të diktojnë pushtetet dhe qeverisjet me anë të armëve”, nënvizon Hoxha i cili merr si shembull presidentin aktual Recep Tayyip Erdoğan i cili në opozitë ka qenë shembull i respektimin të rendit kushtetuese.
“Ndaj dhe ardhja dhe qëndrimi i tij në pushtet, duket se është një shpërblim për sjelljen e tij dje në opozitë: për asnjë moment nuk është kontestuar vota që ka marrë. Gjithashtu, nëse e marrim plotësisht të mirëqenë se pas këtij grushti shtetit ishte organizata FETO (gjë e cila pritet të vërtetohet plotësisht nga hetimet, dhe unë nga pozita personale nuk mund të japë definicione), nuk arrij ta kuptoj se përse FETO nuk mendon të garojë politikisht, nëse ja njeh vetes një forcë si shtet brenda shtetit?! Kjo do ishte më korrekte. Demokracia vetë!”, përfundon Hoxha.
“Grushti i shtetit është një mjet tashmë i kaluar nga koha dhe i papranueshëm për një sistem demokratik. Turqia tregoi se demokracia funksionon dhe përgjegjësia qytetare dhe pjesëmarrja civile është në nivele të kënaqshme. Përsa i përket Gylenit, unë kam shkruar edhe më herët. Jo vetëm në Turqi, por efekti i tij ndjehet dukshëm në jetën politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, fetare, etj të Shqipërisë. Me butësinë dhe ‘përulësinë’ tipike ata kanë depërtuar kudo. Agresiviteti dhe sulmi në grup që manifestojnë këta të këtij sekti, sa herë që preken dhe më pas fshehja, i bën të frikshëm edhe këtu” shprehet për AA gazetari dhe analisti nga Shqipëria Armir Shkurti.
Gazetari tjetër nga Shqipëria, Ylli Pata, në opinionin e tij thotë se tentativa për grusht shteti në Turqi është një zhvillim që synonte ta kthente Turqinë në një vend që diktohet për të destabilizuar rajonin dhe jo në faktor stabiliteti siç ka qenë në qeverisjen e AK Partisë.
“Nëse puçi do të kishte sukses atëherë Turqia nuk do të ishte një lider rajonal dhe pasqyrë për shumë nga popujt e Ballkanit. Demokracia e brendshme? E ku ka më mirë e më qartë sesa dëshmia kur një popull mbron pushtetin e tij të zgjedhur me votë dhe kundërshton zaptuesit e demokracisë. Ata që kritikojnë Turqinë për mungesë demokracie harrojnë se demokracia është vullneti i shumicës dhe respektim i të drejtave të pakicës”, shprehet Pata.
Gazetari në Shkup, Latif Mustafa njohës i zhvillimeve në Turqi duke komentuar tentativën e dështuar për grusht shteti thotë se çdo grusht shtet ushtarak është shkelje e vullnetit të lirë të popullit.
“Nëse vullneti i këtij populli është demokracia dhe zgjedhja e lirë atëherë një grushtet i tillë përpos që godet qenien fizike të njeriut shkërmoq edhe postulatet kryesore të: lirisë, vëllazërisë dhe barazisë. Rrjedhimisht, tentimi për grusht shtet në Republikën e Turqisë, bazuar në shifrën e të vdekurve dhe të plagosurve, shpërfaq karakterin vrasës të qenies njerëzore dhe si e tillë thyen ligjin e parë të të drejtave të njeriut, gjegjësisht, të drejtën për jetë”, thekson Mustafa.
Ai thotë se qeveria dhe autoritetet turke në përgjithësi kanë dhënë me qindra argumente se pas këtij tentimi për grushtet ekziston organizata FETO e cila udhëhiqet nga kleriku në ekzil Fetullah Gylen.
“Veprimtaria e organizatës FETO ka qenë e njohur mirëfilli në Turqi, e sidomos përmes fabrikimit të dosjeve kriminale të pushtetarëve të ndryshëm, shantazhe dhe kërcënime si shumë tentime për ta rrëzuar shtetin përmes ‘grushteteve burokratike’, e cila botërisht njihej me emrin ‘strukturë paralele’”, shprehet ai për të shtuar se qasja okultiste, konspirative dhe paraleliste e kësaj organizate pas tentimit për grusht shtet dhe vrasjes së qindra qytetarëve të pafajshëm, policë dhe ushtarë padyshim se i jep asaj karakterin e organizatës terroriste.
Opinionisti nga Maqedonia, Muhamed Jashari, duke komentuar zhvillimet e fundit në Turqi shprehet se nuk mbahet mend që diku në botë ushtria apo një pjesë e ushtrisë t’ia ketë rrëmbyer popullit udhëheqësit e zgjedhur dhe më pas po në atë vend të mbrohen të drejtat e njeriut, liria e shprehjes, mendimi ndryshe, pluralizmi etj.
“Përkundrazi të gjitha këto vlera janë në kundërshtim të plotë me qeverisjen ushtarake, pasi që është e njohur se puçistët me ardhjen në pushtet vendin e çojnë në kaos, diktaturë dhe tirani ushtarake. Ajo çfarë është pozitive në rastin e Turqisë, është fakti se të gjithë grupimet politike pavarësisht dallimeve ideologjike që kanë, treguan unitet kombëtar dhe në këtë mënyrë mbështeten qeverinë në hapat e saj kundër tentuesve të puçit”, shprehet ai.
Analisti politik nga Maqedonia Xhelo Hoxhiç duke komentuar zhvillimet e fundit në Turqi shprehet se tentimi i ushtrisë së atij vendi për të kryer një grusht shteti ka paraqitur sulm mbi Turqinë dhe jo sulm mbi garniturën qeverisëse me vendin.
“A mund të paramendoni se si do të dukej Turqia nëse do të kishte sukses tentativa djallëzore e puçistëve? Një gjë e tillë mund të çonte në luftë mes qytetarëve dhe ushtrisë e cila do ti okuponte institucionet shtetërore, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia të kishte ndodhur edhe luftë qytetare. Nëse ky plan djallëzor do të kishte sukses Turqia nuk do ti ngjante vetvetes por më shumë do ti ngjante Egjiptit ndërsa pushteti i saj do të sillej njëjtë sikur ai i gjeneralit Al-Sisi dhe nuk do të mbetej as ‘D’ nga demokracia”, vlerëson Hoxhiç i cili uron Turqinë që asnjëherë më të mos përjetojë grusht shtete.
Në një deklaratë gazetarja nga Kosova, Meryem Deniz, vlerëson se nëpër vendet ku ka pasur grusht shtete, ata që kanë pësuar gjithmonë kanë qenë ekonomia e vendit dhe popullsia. “Besoj që Qeveria e Republikës së Turqisë dhe parlamenti e populli turk do të gjejnë një rrugëdalje nga ky kaos. Shpresoj se demokracia dhe mendimi Ataturk do të triumfojnë dhe shteti i Turqisë do të mbetet ashtu siç ka qenë gjithmonë, një shtet demokratik”, u shpreh Deniz.
Duke vënë në dukje se për një periudhë kishte vepruar si gazetare edhe në Turqi, Deniz u shpreh se në atë kohë Fetullah Gylen kishte filluar të veprojë si një ‘hoxhë’ dhe ‘klerik’ , por që, që nga ajo kohë në Turqi nuk ka pasur fjalë të mira për të, i cili vlerësohej si një person Anti-Ataturk i përbetuar.
“Ai ka shtrirë veprimtarinë e tij nëpër gjithë Evropën dhe botën. Unë thosha gjithmonë se ne në Kosovë me anë të shkollave të mesme ‘Mehmet Akif’, të cilat i ka hapur ai, jemi duke e financuar atë njeri. Sepse ai është pronari kryesor i këtyre shkollave”, u shpreh Deniz.
Ajo e vlerësoi si të paparë organizimin e kësaj organizate terroriste nga Fetullah Gylen, përfshirë edhe armatën e Turqisë dhe theksoi se shteti, policia e institucionet e Turqisë dinë atë se çka duhet bërë më së miri për ta ruajtur shtetin, territorin dhe bashkimin e popullit turk.
Ndërkaq, gazetari tjetër nga Kosova, Berkan Curi, u shpreh se po më 15 korrik, në natën e tentativës së grusht shtetit ishte në Aeroportin Ataturk. Ai bëri të ditur se posa kishte zbritur nga aeroplani kishte parë që po ndodhte diçka e jashtëzakonshme, ku të gjithë ishin të shqetësuar nga prania e forcave ushtarake.
“Nga çdo vend, vinin turma të njerëzve në Aeroportin Ataturk. Të gjithë qytetarët si laikët, përkrahësit e së djathtës dhe të majtës, të gjithë vinin në aeroport. Pra me këtë e pamë që të gjithë vinin aty për ta mbrojtur shtetin dhe qeverinë e zgjedhur në mënyre demokratike, të cilët ishin të gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën për këtë”, u shpreh Curi.
Ai gjithashtu theksoi se kjo tentativë e organizatës terroriste FETO, mund të ndikonte jo vetëm në shtetin e Turqisë, por edhe në politikën, ekonominë dhe jetën sociale në të gjithë rajonin, por që kjo nuk u lejua nga shteti dhe populli turk, duke i dhënë fund synimeve të organizatës terroriste FETO.
Të paktën 237 persona humbën jetën dhe 2.191 të tjerë mbetën të plagosur gjatë një tenative të një grupi brenda ushtrisë turke të cilët ishin pjesë e organizatës terroriste Fetullahçı (FETÖ).
Gjatë tentativës për grusht shteti u sulmuan civilët, institucione të ndryshme, ku në mesin e tyre ishte edhe godina e Parlamentit të Madh të Turqisë (TBMM).