“General” gazetari Visar Duriqi, shihe veten para se të flasësh!

Në Kosovë shumëçka nuk është siç duhet të jetë. Njësoj sikur shumëkush nuk bën çfarë duhet të bëjë (nuk është siç duhet të jetë). Ka probleme që ekzistojnë vetëm nga mungesa e vullnetit për t’i eliminuar. Njësoj sikur ka jo pak problematikë që, në të shumtën e herave, më shumë janë të prirë t’i krijojnë problemet, sesa t’i gjejnë ato që në fakt ekzistojnë, apo shkaktarët e problemeve, në mënyrë që më pas të jenë konstruktivë/të dobishëm. Shembuj të njerëzve të këtillë në shoqerinë tonë, në çdo plan, ka sa të duash. Mirëpo, le të mbetemi vetëm brenda njërit tip, pë të qenë më të shkurtër.
Gazetarët. Është fakt i pamohueshëm se shumica e gazetarëve në Kosovë janë të tipit “general”: gazetarë që shkruajnë për çdo temë që u thuhet nga redaktorët. Kështu, duke mos njohur asnjë fushë, tematikë, profil në thellësi, shumica e gazetarëve të këtij tipi notojnë në sipërfaqe të lëndës, por pa u thelluar asnjëherë në thellësi të problemit. Kësisoj, ata edhe ngurrojnë të argumentojnë bindshëm; mund të jetë se nuk kanë argumente të qëndrueshme por vetëm aso spekulative, por edhe ta shfrytëzojnë mediumin për të qëruar hesapet personale që kanë me ndonjë, apo edhe tjetra, pastaj mund të jenë në shërbim të një ideologjie apo klani që lufton një ideologji apo klan tjetër etj. Zakonisht dhe, për fat të keq, të këtillët, pasi t’i bëjnë dy-tre shkrime, në emisione televizive na quhen e vetëquhen analistë dhe ekspertë. Ekspertë pa dy ditë ekspertize apo dëshmie që janë të tillë! Çudi.
Le të marrim shembull të këtillë (dikur) gazetarin e “Express-it”, Visar Duriqin, i cili megjithëse ka mësuar në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, dhe e di fare mire si funksionon koncepti teologjik, prapë guxon dhe paragjykon, përflet dhe dyfytrëson, por jo vetëm kaq.

 

Ai gjithashtu e di fare mirë se dhënia e fetvave (nxjerrja e mendimeve për çështje fetare në jurisprudencën islame) nuk është e lejuar pa një njohje të thellë të Kuranit, gjuhës arabe, Tefsirit (shkencës së komentimit të Kuranit), Hadithit (shkencës që studion thëniet dhe traditën e Muhamedit a.s.), Fikhut (Jurisprudencës islame) Usuli Fikhut (Shkencës që nxjerr dispozitat për juraprudencën islame) etj., gjë që ai s’e ka këtë njohje, e, prapëseprapë ia lejon vetes të japë fetva, madje edhe në çështje bukur komplekse e për të cilat edhe vetë dijetarë të shquar kanë ngurruar të përgjigjen. Në këtë kontekst mund të përmendim vetëm “notimin” e gazetarit Duriqi nëpër përkufizimet e disa dijetarëve mbi vehabizmin, e të cilat i njëjti i keqshfrytëzon për të nxjerrë një interpretim ala duriqian, që i shkon për shtati atij dhe klanit të tij tendencioz, pra jep një mendim personal me qëllim të bindjes së opinionit mbi “vërtetësinë” e shkrimeve të tij kundrejt zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Në fakt edhe Duriqi, por edhe secili, duhet ta ketë parashysh se ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme, përkatësisht në Siri, nuk është vehabizëm, dhe për këtë janë unanim një numër jo i vogël i dijetarëve. Prandaj, rikujtojmë se gazetari gjeneral (pra injorant) Visar Duriqi shkuarjen e kosovarëve në Siri vazhdimisht e ka komentuar si vehabizëm, nxitje nga Bashkësia Islame dhe imamët kosovarë. Faktet aktuale po e dëshmojnë të kundërtën. (Në këtë pikë nuk po flas pë çështjen e vehabizmit në Kosovë, se a ka apo jo, por po flas për qasjen jo të drejtë të një gazetari tendencioz. Prandaj, ju lus të mos më kuptoni gabim!)

Kështu që, përmendja e vehabizmit përkrah shkuarjes së shqiptarëve në luftën e Sirisë nga ana e Duriqit pa dyshim se lë të nënkuptohet se është me tendencë. Mund t’ia rikujtojmë Duriqit dhe shumëkujt se kosovarët në luftën e Sirisë nuk kanë shkuar vetëm për një arsye, por për disa: disa prej tyre për para, disa për t’iu përgjigjur thirrjes për luftë kundër regjimit, disa për të shlyer një “borxh” ndaj “dikujt” që e ndihmoi bukur gjatë, disa për t’u pastruar nga e kaluara ngase dikush mund t’u ketë thënë se e vetmja mënyrë e pastrimit të së kaluarës është shkuarja atje (siç qe rasti i vetëvrasësit kamikaz në Irak, e që vinte nga një fshat i Ferizajt) etj.
Pretendimi i Duriqit se kosovarët shkojnë në Siri si përgjigje ndaj thirrjes që u bëhet nga vehabistët, sepse edhe vetë janë të tillë, është pa asnjë dyshim i gabuar dhe paranojak. Vetë Duriqi e di, paçka se nuk e thotë, se myslimanët në Kosovë nuk janë vehabistë. Por ai më shumë flet e shkruan sikur në Kosovë shumica e myslimanëve të ishin të tillë, ndërsa një pakicë të ishin suni. Tendenca e Duriqit lulëzon pikërisht në këtë pike, ndërsa në vazhdim do të sjellim edhe disa argument të paranojës së tij, e që më shumë se vërtetësi dhe stabilizim prodhon përçarje e destabilizim shoqëror.

Ai mund të arsyetohet se këtë e bën për ta parandaluar tendencën në rritje të vehabizmit.Megjithatë prapë gabon.

Propaganda nuk është gjë që i takon gazetarit. Ai duhet vetëm të informojë, dhe atë ta bëjë drejt dhe jo me subjektivitet.
Në fakt, gati mendoj (po them gati jo rastësisht) se në Kosovë nuk ka fare vehabizëm. Ata që Duriqi i identifikon si myslimanë vehabistë në të shumtën e rasteve janë myslimanë suni naive, që pasi të kthehen në Kosovë nga Lindja e Mesme, ku studiojnë për disa vite dhe ndikohen nga tradita arabe apo ndonjë medhheb tjetër, nuk mund të risocializohen prapë me medhhebin tradicional islam te shqiptarët, përkatësisht medhhebin hanefi.

Megjithatë, Visar Duriqi, dikur (2003-2007) një qyqar me bishtin nën këmbë e servil, ishte nxënës në Medresënë “Alauddin” në Prishtinë, dhe aty qëndronte falë një burse humanitare që merrte nga shkolla. Bursa i jepej jo pse shquhej për aftësi të veçanta, sepse “Alauddin” nxënës të shkëlqyer ka në 90 % në secilën klasë. Dëshmi për këtë është përzgjedhja si shkolla më e mirë në vend për 10 vjet me radhë. Duriqit bursa i jepej si mëshirë.

Sidoqoftë, “piperi i kuq” që së fundmi u derdh nga goja/dora e Duriqit në opinionin shqipfolës edhe një herë shpërfaqi fytyrën e vërtet të tij, kahjen që ndjek, qëllimin që ka, shpresën që pret, dhe (para)gjykimin që di të bëjë vazhdimisht vetëm mendja djallëzore e tij.

Këtë mund ta kuptojmë nga fjalët e tij, kur e quan terrorist njërën prej figurave më unifikuese kombëtare e fetare të periudhës 1995-2005, hoxhën Jakup Asipi.

Nuk e di se në cilën “qime” është kapur për ta quajtur terrorist! Apo mos ndoshta se nuk pranoi të jetë i nënshtruar ndaj okupimit e padrejtësisë sllavomaqedonase, siç kishte pranuar babai i Visar Duriqit dikur, apo siç do të kishte pranuar edhe ky vetë tani?!

E di se, duke akuzuar të tjerët se janë “myslimanë të devotshëm”, Duriqi pretendon se ëshët vetë ai i vërteti. Gabon.

Sepse cilësitë e Duriqit janë mosmirënjohja, dy-shumë-fytyrësia, shpifja, manipulimi, shantazhi, gënjeshtra, bukëpërmbysja…

Pavarësisht të gjithave, Kosova dhe kosovarët nuk kanë shumë gjëra mirë për shkak të njerëzve si Visar Duriqi. Apo mos ndoshta pikërisht njerëzit si ai dikujt po i pëlqen të jenë në gazetë e television?!

 

P.S.: Për herë të tjera, para se të flasësh për hoxhë Jakup Asipin, pështyj diku e shihe veten!

Autor: Besnik Jaha

Artikulli paraprakPamjet e reja të BBC, ja momentet e fundit të jetës së Gadafit
Artikulli vijuesVIDEO – A lejohet berza në Islam