Gjermania e kushtëzon Serbinë me Kosovën

Berlini zyrtar konfirmon se normalizimi i plotë marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është parakusht për hapjen e kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Burimet e të përditshmes “Politika” rreth zhvillimeve në Bruksel vlerësojnë se atmosfera në Komisionin Evropian dëshmon për një dozë të shqetësimit për arsye se “asgjë thelbësore nuk po ndodh” në raportet ndërmjet Serbisë dhe BE-së që nga janari 2014, kur u shënua zyrtarisht hapja e negociatave për anëtarësimit e Serbisë në BE.

 

Sipas po të njëjtin burim, i njëjti disponim vërehet edhe në shumicën e shteteve anëtare, por “megjithatë, asgjë nuk po ndodh”.

 

Se ka ardhur koha për një avancim në rrugën evropiane të Serbisë është shprehur edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili, në konferencën për medie javën që shkoi, tha se pret përshpejtim të rrugës evropiane të Serbisë dhe hapjen e shpejtë të kapitujve të parë, por se ai nuk do të bie në gjunjë dhe të lutet.

 

“Çdo gjë tjetër për ne do të ishte një befasi dhe zhgënjim”, theksoi Vuçiq, i cili i ka thënë edhe Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogerinit, Serbia prêt hapjen e shpejtë të kapitujve dhe se Brukseli duhet të vlerësojë punën e Serbisë.

 

“Atyre u mbetet që të na tregojnë, dhe nëse ata thonë se nuk kemi punuar sa duhet, atëherë edhe ky është lajm”, deklaroi Vuçiq.

 

Kryeministri Vuçiq ka theksuar njëherit faktin që më 10 shkurt është nënshkruar edhe marrëveshja me Kosovën për drejtësinë, pas së cilës Mogerini kishte deklaruar se është mbyllur kapitulli kyç për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

 

Meqë Dejvid Mekalister, raportuesi i parlamentit evropian për Serbinë, bashkëpunëtor i afërt i kancelares Angela Merkel, i cili kishte thënë më herët se raundi i dialogut i zhvilluar në shkurt ishte i rëndësisë fundamentale për hapjen e kapitujve, do të vizitojë Beogradin më 18 shkurt, do të mund të ishte një zhvillim inkurajues për përparimin e Serbisë në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

 

Por, vendimi për hapjen e kapitujve në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE është gjithmonë politik.

 

Dihet se zyrtarët gjermanë këmbëngulin se kapitulli 35, i cili ka të bëjë me Kosovën, duhet të jetë kapitulli i parë i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe BE-së, dhe se Serbia duhet të sigurojë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit.

 

Pas marrëveshjes për drejtësinë, mbesin krijimi i Asociacionit të komunave serbe, temat e telekomunikacionit dhe energjetikës, etj. Ndërsa raundi i ri i bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës është paralajmëruar të mbahet pas një muaji.

 

Marrë parasysh se deri në fund të qershorit kanë mbetur edhe katër muaj e gjysmë, pyetja mbetet se a është shënuar kohëve të fundit ndonjë ndryshim i qëndrimit të Berlinit zyrtar?

 

Para dy ditësh, Beogradin e vizitoi një grup i parlamentarëve gjermanë, të cilët në bisedë me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, e ata e kanë nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe se qëndrimi i Gjermanisë është se bisedimet duhet të fillojnë me hapjen e kapitullit që i kushtohet Kosovës.

Artikulli paraprakVrasja në Chapel Hill: "A do ta mbulonin mediat tragjedinë sikur Twitter të mos ekzistonte dhe çfarë do të ndodhte sikur vrasësi të ishte mysliman?
Artikulli vijuesPapunësia alarm për institucionet