Gjermania kërkon personel shëndetësor jashtë vendit

Gjermanisë i mungojnë me mijëra infermierë dhe persona për përkudesje. Qeveria ka hartuar një varg masash për përmirësimin e gjendjes, por shumë prej këtyre masave nuk janë në përputhje me kodeksin e mirësjelljes.

“Ata janë për mua personalisht heronje dhe heronj”, deklaroi gjatë një debati parazgjedhor kancelarja Angela Merkel në televizor, kur u kërkua nga ajo të vlerësojë gjendjen e infermierëve dhe personelit për përkujdesje shëndetësore. Respekti kaq i lartë i kancelares ka të bëjë edhe me një problem tjetër në sfond: Gjermania ka një problem serioz me mungesën e këtij personeli mjekësor që kujdeset për të moshuarit dhe të sëmurët. Deri në fund të kësaj dekade, Gjermanisë do t’i mungojnë 220.000 persona të këtillë, thonë ekpsertët. Qeveria gjermane tani po përpiqet që të zbutë këtë gjendje emergjente. Nga vendet e tjera janë duhet të vijë personel mjekësor, i cili duhet të kujdeset për popullatën gjithnjë e më të moshuar gjermane.

Në veçanti në fokus janë vendet si Spanja, Greqia, Italia dhe Portugalia. Këto janë vendet prej nga duhet të vijnë më së shumti ndihmës, thuhet në në një përgjigje të qeverisë gjermane lidhur me këtë çështje. Në këto vende ka probleme shumë të mëdha me papunësinë, ndaj ato paraqesin një potencial të konsiderueshëm të kandidatëve për tregun gjerman të punës. Potenciali i këtyre vendeve është me të vërtetë i madh, sepse në këto vende gati që janë shterruar mundësitë e punësimit në shëndetësi, për shkak të kursimeve dhe krizës financiare e bankare. Marrëveshje janë arritur edhe me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën sikur edhe me Tunizinë dhe Filipinet. Në mbarë botën po kërkohet personel shëndetësor. Së fundi nga Kina janë sjellë në Gjermani 150 persona.

“Brain drain” për vendet e atjeshme
Deputeti majtist Niema Movassat mendon se qeveria e ka tepruar me këto angazhime. Ai ka frikë se ardhja në Gjermani e ekspertëve dhe fuqisë punëtore nga këto vende, mund të lë pasoja të rënda për këto vende. “Në disa vende ku po bëhet rekrutim i kuadrove ka mangësi në personel shëndetësor dhe ky problem do të thellohet edhe më shumë”. Movassat thotë se këto probleme i kanë bërë publike organizatat joqeveritare. Ai nuk është dakord me konceptin që Gjermania të ndihmojë këto vende për përgatitjen profesionale të personelit dhe më pas që ata t’i sjellë në Gjermani. “Kjo s’ka kurfarë kuptimi”, thotë Movassat, i cili shpjegon se me ndihmën e Shoqatës për Ndihma (GIZ), në Gjermani kanë ardhur ekspertë edhe nga Vietnami dhe Indonezia.
Në përgjigjen e tij prej 13 faqesh, Movassat dhe deputetët e tjerë majtistë kritikojnë qeverinë gjermane se me këto aksione po shkelë edhe të drejtën ndërkombëtare. Në këtë mes ai i referohet edhe kodeksit për mirësjellje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku ndalohet rekrutimi i personelit shëndetësor në vendet që vuajnë nga uria. Sipas këtij kodeksi, në 1000 banorë duhet të ketë 2,29 persona për përkujdesje. Vlerësohet se me një përqindje të këtillë mund të përkujdeset për 80 % të popullatës, ndërsa 20 % e popullatës mbetet pa kurfarë përkujdesjeje. Një situatë të tillë kemi edhe në Indonezi dhe Vietnam. Këto rregulla kanë të bëjnë me rekrutimin e personelit nga këto vende që të vijnë në Gjermani. Por autoritetet gjermane thonë se ata nuk kanë organizuar ndonjë rekrutim aktiv.

Nevoja për veprim në Gjermani
“Ne kemi nënshkruar marrëveshje me vendet për të cilat e dimë se nuk kanë ndonjë gjendje emergjente me mungesën e personelit të këtillë”, thotë ministri për Shëndetësi Daniel Bahr (FDP). Ai nuk e sheh ndonjë alternativë tjetër për zgjidhjen e situatës. “Ne gjendemi në një konkurrencë të fuqishme për këtë personel dhe nëse nuk bëjnë asgjë ata do të shkojnë në Zvicërr, Britani të Madhe apo në vendet skandinave”, shton ai. Qeveria gjermane po përpiqet t’i mobilizojë forcat e brendshme, por as kjo nuk mjafton.

Hubert Röser nga Shoqata federale për Shërbime në Ambulanca dhe Shtëpi të Shëndetit ka mendim të ngjashëm me ministrin. “Gjendja nuk mund të përmirësohet pa personal nga vendet e tjera”, thotë përfaqësuesi i organizatës që mbledhë më shumë se 1000 shërbime të ndryshme shëndetësore. Situata në Gjermani duhet të futet nën kontroll, me qëllim që ky profesion të bëhet më atraktiv. Sa i përket rekrutimit të personelit nga vendet e Lindjes së Largët, ekspertët dyshojnë se kjo mund të funksionojë mirë, për shkak të dallimeve kulturore. “Ekzistojnë probleme të mëdha në komunikim mes një 80 vjeçari nga Gjermania dhe një personi nga India, Kina apo Vietnami”, shpjegon ai./dw/kohaislame.com

Artikulli paraprakNga bllokada, vetë Maqedonia pëson dëme milionëshe
Artikulli vijuesGjermani: Nxënëset myslimane nuk çlirohen nga mësimi i notit