Gjorgjevic kërkon falje për krimet në Kosovë

Ish-ndihmësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlastimir Gjorgjevic ka thënë në Hagë se në Kosovë gjatë vitit 1999 janë bërë krime ndaj shqiptarëve dhe ka kërkuar falje për viktimat dhe të deportuarit.

Gjenerali i pensionuar ka pohuar se ka marrë pjesë në fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë dhe ka theksuar se pendohet për këtë.

Gjorgjevic, (64 vjeçar) ka thënë kështu në fund të debatit për ankesat që mbrojta e tij dhe prokuroria i ka bërë në shkallën e parë të aktgjykimit me të cilën ai ishte dënuar me 27 vjet burgim për krime ndaj shqiptarëve, njofton B92, citon Koha.net.

“Ju kërkoj falje të gjitha viktimave dhe të zhvendosurve për krimet e bëra” ka thënë Gjorgjevic, duke theksuar megjithatë se për krime për herë të parë ka dëgjuar kur në Danub, te Tekia, është zbuluar frigoriferi përplot me kufoma civilësh shqiptarë nga Kosova.

Ai duke pranuar se ka qenë pjesëmarrës i varrimit të fshehtë i viktimave shqiptare në bazën e Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) MPB të Serbisë në Batajnicë, ka thënë se nuk e ka kundërshtuar fshehjen e krimeve, sepse nuk ka pasur forcë t’i kundërvihet ministrit të atëhershëm serb (të Punëve të Brendshme) Vlajko Stojilkovic, i cili i akuzuar për krime në Kosovë, kishte bërë vetëvrasje në vitin 2001.

“Pendohem që nuk iu kam kundërvënë ministrit. Për këtë ndjehem fajtor… kam pasur rol të caktuar në gjithë këtë dhe mendoj se duhet të dënohem”, ka thënë Gjorgjevic.

Me aktgjykimin e shkallës së parë më 23 shkurt 2011 Gjorgjevic ishte shpallur fajtor për dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve si dhe për vrasjen e zhvendosjen e së paku 724 trupave të civilëve shqiptarë në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo te Kladova dhe në liqenin Peruçac afër Bajina Bashtës.kohaislame

Artikulli paraprakCity shkarkon Mancinin
Artikulli vijuesTurqia kërkon ndërhyrje ndërkombëtare në Siri