Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Prof. Dr. Mehmet Görmez, në kuadër të vizitës së tij në Arabinë Saudite është takuar me ministrin e Çështjeve Islame, Vakëfeve dhe Udhëzimeve Fetare Dr. Salih Bin Abdulaziz, raporton Anadolu Agency (AA).
Görmez dhe Bin Abdülaziz fillimisht janë takuar kokë më kokë përafërsisht 1 orë në kryeqytetin Rijad dhe më pas kanë realizuar edhe takimin mes delegacioneve.
Në këtë vizitë Görmez ka theksuar se nga ngjarjet që po përjetohen në pozitën gjeografike islame nuk po dëmtohen vetëm muslimanët apo shtetet islame, por po dëmtohet kryesisht feja islame. Ai ka pohuar më tej se “sot të gjithë fëmijët e Umetit po shkojnë drejt zjarrit. Ajo që ne të gjithë kemi përgjegjësi është që fillimisht të mbrojmë këto fëmijë nga rënia brenda një zjarri të tillë”.
Görmez ndër të tjera ka shpjeguar se “në vatrat e Umetit ka rënë zjarri, në kryeqytetet islame si Bagdadi, Damasku, Sana dhe Tripoli flakët janë rritur” dhe ka rikujtuar se muslimanët gjatë gjithë historisë kanë humbur shumë qytetërime. “Humbëm qytetërimin e Andaluzisë që ndriçoi Perëndimin për tetë shekuj. Në Transoksianë muslimanët formuan një qytetërim të shkëlqyer, edhe atë e humbëm. Shumë qytetërime madhështore u krijuan edhe në Afrikë, dhe tani asnjë nuk ka mbetur” ka deklaruar ndër të tjera Görmez.
Ai u shpreh më tej se muslimanët edhe sot po përjetojnë të njëjtat probleme që kanë përjetuar qendrat që kanë shërbyer si kryeqytete islame gjatë gjithë historisë dhe se nga këto probleme feja islame po pëson shumë dëme.
“Feja jonë po sheh dy dëme të mëdha. E para rruga kryesore e fesë po pushtohet nga rrugët e dyta të devijuara. Ehli-Suneti, është rruga kryesore, nuk është një sekt. E vërejmë se kjo rrugë kryesore po tentohet të pushtohet nga rrugët dytësore. Ndërsa dëmi i dytë që po pëson feja është përngjasimi i fesë me terrorizmin dhe dhunën në botët e tjera. Dhe në këtë mënyrë mbyllin rrugën e cila shkon të Allahu” ka shpjeguar Görmez./AA/