Në portin e Pireut janë vendosur më shumë se 5.000 refugjatë nga Siria dhe Iraku.
Porti më i madh i Greqisë, Pireu, është shndërruar prej disa kohësh në një qendër të madhe ku bujtin përkohësisht refugjatët e shumtë që mbërrijnë këtu çdo ditë nga gjithë ishujt e Greqisë. Ata vijnë në çdo moment, me tragetet që tashmë përdoren ekskluzivisht për transportimin e refugjatëve.
Sapo këmba e tyre prek tokën e Pireut, në sytë e shumicës, sidomos të fëmijve, lexohet një gëzim, një ndjenjë triumfi, që përgjithësisht shprehet me dy gishtat e ngritura lart, simboli i fitores.
Në të vërtetë, ata kanë fituar vetëm një betejë. Kanë mbërritur në pragun prej nga do të nisen për të realizuar ëndrrën e tyre, që është vendosja në një nga vendet e preferuara të Bashkimit Europian.
Në Pire, fillon beteja më e rëndësishme, ajo e mbijetesës, në kushte që konsiderohen minimale dhe që organizatat humanitare dhe mediat i përshkruajnë si dramatike.
Gjithsesi, para se të shkojnë në ambientet ku do të kalojnë ditët e netët, në pritje të nisjes për në kufi, refugjatëve u ofrohet një gotë çaj i nxehtë dhe një disa pak ushqime.
Racionet kanë kryesisht ushqime të thata, që mos të prishen. Peshk i konservuar, stafidhe, fiq të thatë, galeta.
Nëpërmjet fushatave në internet dhe televizione, qeveria dhe organizatat humanitare aplojnë për grumbullim ndihmash. Ato që kërkohen më shumë, përveç ushqimit, janë barnat, materiale higjeno sanitare për fëmijë, furça dhe pasta dhëmbësh, etj.
Jorgos Valasakis, një vullnetar i Kryqit të Kuq Grek, thotë se nevojat këtu përballohen nga rezervat që ka vetë kjo organizatë, por sidomos nga ndihmat që sjellin vetë qytetarët.
“Veç të tjerash, ne u shpërndajmë organizatave të tjera humanitare këtu në portin e Pireut, ndihmat që sjellin qytetarët e thjeshtë, grekë, por edhe të huaj dhe mes tyre edhe shumë qytetarë shqiptarë. Ofrojnë qoftë dhe një bukë, ushqim që e kanë gatuar në shtëpi, rroba, këpucë”, th ai.
ABC News u ndodh në portin e Pireut, kur Andrea Zekollari, një emigrant shqiptar, që është pronar i një furre buke në Athinë, solli një kontigjent të mirë ndihmash ushqimore.
Rreth 300 bukë, po aq pite me djathë, shishe me ujë, u morën me kënaqësi e mirënjohje nga vullnetarët dhe u paketuan për t’iu shpërndarë menjëherë refugjatëve të vuajtur.
Andrea Zekollari thotë se ai është prekur nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhen refugjatët.
E shoqja e Andreas, Alma, është dhe një aktiviste e shquar e komunitetit shqiptar në Athinë. Pasdite, ajo u mëson gjuhën shqipe fëmijve të bashkatdhetarëve të vet emigrantë. Është edhe nënë, natyrisht.
Të dielën, në mjediset e terminaleve të pasagjerëve ishin akomoduar më shumë se 5.000 refugjatë, kryesisht nga Siria dhe Iraku.
Po të dielën, koordinatori qeveritar për menaxhimin e krizës së refugjatëve, parashikoi se situata në portin e Pireut do të mbetet e vështirë edhe javën e ardhshme, por në fund të saj do të përmirësohet.
Deri atëherë, duket se fjalën e parë do ta kenë, ashtu si deri më tani qytetarët e thjeshtë, grekë dhe emigrantë. Mes tyre edhe shqiptarët, që jo vetëm në Pire e jo vetëm në Athinë, por edhe në zona të tjera të Greqisë, po ofrojnë edhe ata kontributin e tyre, duke dëshmuar se ndjenja e solidaritetit njerëzor mbetet energjikisht e gjallë tek ata.