Greqi vs Turqi: Rusia provokon tension në nivel kryeministror

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka sulmuar homologun e tij turk në Twitter pas rrëzimit të një avioni rus nga Turqia.

Tsipras postoi katër mesazhe të dielën, që i adresoheshin Ahmet Davutoglu, duke u ankuar për dhunimin e hapësirës ajrore greke nga turqit.

“Për fat të mirë, pilotët tanë nuk janë aq zhivë sa ju ndaj rusëve,” thuhej në mesazhin e parë.

“Ajo që po ndodh mbi Egje është skandaloze dhe e pabesueshme. Ne shpenzojmë miliarda për armët. Ju për të na dhunuar hapësirën ajrore, ne për t’ju interceptuar juve”, vijonin mesazhet.

Sipas BBC, ky shkëmbim mesazhesh vinte ndërkohë që të dy kryeministrat ishin të ftuar në Bruksel për një samit për çështjen e refugjatëve.

Të dy palët ranë dakord për një marrëveshje për kontrollin e fluksit të emigrantëve.

Turqia do marrë 3 miliardë euro dhe disa koncesione politike në shkëmbim të mbajtjes së refugjatëve brenda kufijve të saj.

“Ne kemi një sistem ajror kaq modern dhe në terren nuk kapim dot trafikantët që mbysin njerëz të pafajshëm”, shkroi Tsipras.

Nuk dihet nëse ky ishte vazhdimi i një bisede që ai ka pasur me kryeministrin turk, por më vonë mesazhet e tij në anglisht u fshinë nga llogaria në Twitter.

Mesazhi i mbetur ishte: “Ne jemi në të njëjtën lagje dhe duhet të flasim ndershmërisht për zgjidhjet”.

Megjithatë në gjuhën greke, mesazhet nuk u fshinë.

Kurse Davutoglu u përgjigj me një mesazh: “Le të fokusohemi tek axhenda pozitive dhe të ruajmë frymëm e kësaj dite”.

Një komentues grek tha se fshirja e mesazheve nga kryeministri i tyre është “një katastrofë në komunikim”.

Artikulli paraprakPolicia e bllokon opozitën, nuk e lë të ngjitet në sallë
Artikulli vijuesBeogradi në bllokadë: Agjentët nga SHBA dhe Rusia, snajperë nëpër çatia dhe 7 mijë policë