Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se nuk do të prodhojë asnjë rezultat Rezoluta e miratuar në Kuvend për mbrojtjen e ish luftëtarëve të UÇK-së.
Ai tha se duhet t’i bëhet me dije bashkësisë ndërkombëtare që të merret kryesisht me krimet e Serbisë që ka bërë në Kosovë, e jo me ish krerët e UÇK-së. Ndërsa, teksa ka folur për Gjykatën Speciale, Haradinaj ka thënë se nuk i frikësohet asaj, pasi që ka qenë ushtar i mirë sipas traditës shqiptare
Konfirmimi i gjykimit ndaj Grupit të Drenicës nga Gjykata e Apelit i ka shqetësuar ish luftëtarët e UÇK-së që janë përfshirë në politikë, duke e konsideruar këtë vendim të drejtësisë si jo të drejtë.
Ish-komandanti i UÇK-së në rrafshin e Dukagjinit, Daut Haradinaj në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se UÇK-ja nuk ka asgjë për të fshehur sepse ka bërë një luftë të pastër për çlirim. Por, Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë javës së kaluar për grupin e Drenicës, sipas tij, nuk do të prodhojë kurrfarë rezultati.
Haradinaj ka folur edhe për Gjykatën Speciale, të cilës ka thënë se nuk i frikësohet meqë ka qenë ushtar i mirë dhe sipas traditës. Duke folur për zhvillimet aktuale, deputeti Haradinaj ka thënë se Demarkacioni ka përfunduar dhe se nuk ka asnjë shans të kalojë, derisa zgjedhjet sipas tij janë zgjidhja e vetme për vendin.