Hoxhaj: Presim njohjen nga Egjipti

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, zhvilloi sot një takim me Ndihmës-Presidenten e Republikës Arabe të Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, të cilën e informoi për progresin e vazhdueshëm në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë për fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj shprehu përkrahjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për përpjekjet e popullit egjiptian për transformimin politik e shoqëror që ka ndodhur vitet e fundit, duke përshëndetur ndryshimet që po ndodhin në Egjipt, pas revolucionit.

Duke folur për miqësinë e kamotshme ndërmjet dy popujve Hoxhaj vlerësoi shkëmbimet që po zhvillohen ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Republika e Kosovës pret njohjen nga Egjipti.

Në këtë kontekst, Hoxhaj tha se njohja nga Egjipti do të ketë rol të rëndësishëm për fuqizimin e mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe do të ishte një hap i cili do të rriste e fuqizonte edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy popujve dhe shteteve tona, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJ.

Ndihmës-Presidentja e Republikës Arabe të Egjiptit, Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, foli për zhvillimet në Egjipt në periudhën e formimit të institucioneve dhe ndryshimeve të gjithëmbarshme.

Ajo theksoi se rrethanat dhe qasja e re e Egjiptit do të kenë efekte edhe në raportin e këtij shteti me rajonin e Ballkanit dhe Kosovën.

Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy shfaqi shpresën se pavarësia e Kosovës do të njihet së shpejti nga ana e Egjiptit. /Telegrafi/

Artikulli paraprakKina forma e ndryshimit të pushtetit
Artikulli vijuesMbi 8 për qind fëmijë nuk regjistrohen