Hoxhë Kadri Prishtina, Ministri i Drejtësisë që u akuzua për rivendosjen e SHERIATIT në drejtësinë shqiptare

Ministri i Drejtësisë që u akuzua për rivendosjen e SHERIATIT në drejtësinë shqiptare
 
“Kërkimi i s‘vërtetës është e drejt e mendjes”
 
Për këtë figurë të shquar të historisë së kombit shqiptar është shkruar shumë, janë botuar 2-3 monografi, është përmendur në faqet e Historisë së Popullit Shqiptar, në fjalorë të shumtë, në shumë kumtesa e trajtesa shkencore, që nga periudha e sistemit komunist, të cilët këtë figurë e ngritën lart pasi kishte qenë kundërshtari politik i Ahmet Zogut dhe sistemit i interesonte, aq sa pothuajse nuk e quajtën ‘komunist’ me bindje dhe ideale, po ashtu dhe në dy dekadat post-komuniste.
Por cili është realiteti mbi këtë figurë kaq të shquar e të njohur? A ka vërtetë akoma për të zbuluar mbi historinë e tij edhe pse është shkruar kaq shumë për të deri më tani!? Cilat ishin bindjet e tij që e drejtuan në një veprimtari aq të madhe sakrifikuese ndaj vetes dhe familjes në të mirë të kombit?
Realiteti është se: “Në të gjithë shkrimet që është shkruar për të(1) qëllimisht është lënë pa hulumtuar një segment tejet i rëndësishëm i veprimtarisë së Hoxhë Kadriut, që është aspekti islam i jetës dhe i veprës së këtij dijetari të madh”(2) Për më tepër, aq shumë është abuzuar në këtë drejtim veçanërisht nga historia komuniste sa Jup Kastrati, në kumtesën e tij mbi historinë e Hoxhë Kadriut në vitin 1965, thotë se: “Hoxhë Kadriu vërtetë studio për fe, por nuk qe fanatik. Ceremonitë fetare për të nuk kishin rëndësi. Urrente ndasitë fetare dhe punoi për bashkimin e popullit.”(3) Ndërsa krejt të kundërtën na tregojnë veprat e tij reale, veçanërisht në botimin e tij “Udha e s’vërtetës” në vitin 1923, në të cilën hollësisht trajton çështjet fetare si: Nevoja e fesë, Feminizma-Martesa me Kunorë (në pikpamjen fetare), Burimi i mendimit të besimit në njerëzi, Besimi i Natyrës, dhe të tjera, me një analizë të hollë dhe të thellë si një hoxhë i vërtetë ashtu si ai ishte. Aty ai trajtonte dhe tema të tjera politiko-ekonomike dhe sociale gjithmonë nga këndvështrimi i formimit të tij, si fetar me njohuri të thella, duke analizuar aktualitetin politik e social të vendit në fillimin e viteve ’20 të shek. XX, apo përse myslimanët janë në gjendje të mjerueshme në Shqipëri por dhe në mbarë botën, duke fajësuar drejtpërdrejt popullin për injorancën dhe veçanërisht lëshimin e Fesë së Allahut për gjendjen e mjerueshme të myslimanëve. Hoxhë Kadriu thotë se:“Myslimanët për shkak të padijes qi i ka mbulue tash 8 shekuj, e prej pa-kujdesimit për fe dhe tuej u larguë prej dispozitavet fetarë kanë mbetë mbrapa dhe tuej mos mbajtë qytetërimin qi kishin fituar para 8 shekujve kanë mbetë në gjendjen e mjerueshme qi gjenden sot.”(4) Pra duket qartë në të vërtetë se a ka qenë fetar Hoxhë Kadriu apo jo!?
Hoxhë Kadriu ishte një nga 9 fëmijët e Lutfullah Halimit (me origjinë të largët nga Shkodra),(5) lindi në Prishtinë në vitin 1878, po aty kreu mësimet fillestare të shkollës, ndërsa të mesmen e përfundoi në Shkup në shkollën e njohur të asaj kohe “Dar-ul-Mualim”. Studimet e larta i vazhdoi në Stamboll, u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Dar-ut-Tedris” të cilën e përfundoi me sukses, por nuk u kënaq me vetëm dy vite, prandaj dhe u regjistrua dhe mbaroi me sukses “Medresenë Fatih”, shkollë fetare islame dhe e famshme në Stamboll.(6) Në 1903-1904 në moshën 25 vjeçare ai i nënshtrohet provimeve për të marrë titullin shkencor “Profesor Publik në Stamboll”, nga Shkolla e Lartë e Drejtësisë, në të cilën diplomohet me rezultate të shkëlqyera, direkt pas kësaj u fut në punë pranë Gjykatës së Apelit të Këshillit të Shtetit në Stamboll.(7)
 
Disa nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij derisa u konsolidua në Shqipëri
 
Në vitin 1905 ai u burgos deri në vitin 1908 kur u shpall kushtetuta e re dhe u lirua nga internimi. Në vitin 1911 caktohet këshilltar ligjor i Drejtorisë së Përgjithshme i Bankës Osmane në Stamboll, në gusht të 1914 ai kthehet në Shqipëri, prej së cilës nuk do të largohet më, dhe pikërisht në atdhe do të jetë dhe kontributi më i madh i tij.(8)
Jeta e tij në Stamboll nuk do të ishte kaq e lehtë dhe e thjeshtë sa lexohet në këta rreshta, por pikërisht kalvari i vështirësive dhe i vuajtjeve e bënë Kadriun më të ndërgjegjshëm dhe me një formim fetar, intelektual dhe njerëzor për t’u çmuar, dhe pikërisht përgatitja dhe puna e tij i dhanë titullin “Hoxhë” të mirënjohur në shoqërinë osmane, që ka kuptimin e “mësuesit” apo të “profesorit” në aspektin fetar, por jo vetëm.
Gjatë Luftës së Parë Botërore ai punoi si avokat në Shkodër, qyteti që u vendos për të jetuar direkt sapo erdhi në Shqipëri, gjithashtu u angazhua me patriotë të tjerë për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe me bashkimin e trojeve shqiptare, ishte lideri shpirtëror dhe drejtues organizativ i Lëvizjes për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës por dhe trojeve të tjera nga copëtimi, aktiviteti i tij do të vazhdonte intensivisht nga viti 1918 deri në ndarjen nga kjo botë.
Më 1 maj 1918 me iniciativën e Hoxhë Kadriut dhe patriotëve të tjerë u themelua “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër dhe degë në shumë qytete të tjera shqiptare, Komitet i cili deri në përfundim të jetës së komitetit (1928) ishte aktiv në mbarë Shqipërinë për mbrojtjen qoftë dhe me forcë të trojeve shqiptare të Kosovës, ndërsa Hoxhë Kadriu ishte drejtues i komitetit deri në vdekjen e tij. Që në fillim të veprimtarisë ai këshillonte drejtuesit lokalë që në fillimet e “M.K.K-së” që: “…të këshillonin popullin të bëhet gati me i dalë zot pavarësisë e tanësisë tokësore të Shqipnisë”(9) Komiteti shtroi si detyrë të përpiqej për çlirimin kombëtar të vendit, për rimëkëmbjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar.(10) Ky komitet u mundua ta kryejë detyrën e vet patriotike deri në fund edhe pse vendimet për “Shqipërinë e copëtuar” ishin marrë të pakthyeshme që në Konferencën e Londrës (1913), gjithashtu u ritheksuan sërish në Konferencën e Paqes në Paris, aktiviteti i Komitetit shkoi deri aty sa t’i drejtohet Lidhjes së Kombeve me një notë proteste në vitin 1924 duke vënë në dijeni Lidhjen për masakrën serbo-malazeze ndaj popullsisë shqiptare, në të thuhej: “…Ky regjim hekuri, zjarri e grabitjeje përbën shkakun kryesor të një emigrimi në masë të popullsisë drejtë Turqisë, emigrim ky që bëhet në kushte të tmerrshme dhe që kushton jetën e qindra familjeve, dhe, pjesa tjetër që mbeten dënohen me një mjerim të pashërueshëm …. mjafton me ditë se për mijëra krime të bëra në mes të ditës asnjë nuk është ndjekur nga gjyqet (nuk është gjykuar)…. Është vendi i vetëm në botë ku mund të vriten qytetarët në prani të gjyqtarëve që heshtin.”(11)
Mbas Luftës së Parë Botërore dhe aktiviteteve që po zhvilloheshin në Konferencën e Paqes në Paris, shqiptarët e panë një detyrim që të përfaqësoheshin me një përfaqësi të një Qeverie Kombëtare para konferencës, shtoi këtu dhe nevojën e menjëhershme që vetë Shqipëria kishte për një Qeveri që të drejtonte vendin. Kështu që Kadriu bashkë me patriotë të tjerë ndërmorën një “mbledhje-kuvend” mbarëkombëtar në Lushnjë, të quajtur Kongresi i Lushnjës, që do të rezultonte i dobishëm për vetë ekzistencën e Shtetit Shqiptar, dhe për fillimin e një jetë të re të një shteti të brishtë modern shqiptar.
Kongresi i Lushnjës i hapi punime
t e tij më 21 Janar 1920 dhe vazhdoi për gjatë 10 ditëve nga ku u morën vendime mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, ndër të cilat: 1. Mosnjohja e vendimeve të Konferencës së Parisit, duke i kundërshtuar dhe duke premtuar që trojet shqiptare do të mbrohen edhe me gjak nëse është e nevojshme. 2. Shpalljen e Shqipërisë Sovrane me organet drejtuese duke filluar që nga Këshilli i Lartë i përfaqësuar nga 4 anëtarë që do luanin rolin e kryetarit të shtetit, zgjodhi Këshillin Kombëtar (Parlamentin) prej 37 anëtarësh, që do të ishte i tillë deri në zgjedhjet që do të zhvilloheshin dhe populli të vendoste vetë. 3. Shfuqizimi i Qeverisë së Durrësit dhe formimi i një qeverie tjetër të dalë nga Kongresi me në krye Sulejman Delvinën, ky i fundit do të zgjidhte Hoxhë Kadriun si Ministër të Drejtësisë. Nga vendimet e Kongresit të Lushnjës ishte dhe vendosja e Tiranës si Kryeqytetin e vendit.(12)
Hoxhë Kadriu ishte njohës shumë i mirë i Jurisprudencës dhe kishte eksperiencë të gjatë në këtë fushë, por cilësitë e tij e bënin akoma më të veçantë si burrë shteti, ashtu si do të ishte vlerësimi i bashkëkohësve të tij për të, nga marrëdhëniet e punës që kishin patur në Komitetin e M.K.K-s, të cilët thonin se: Hoxha ishte i qartë në problemet që shtronte, shumë kërkues në zbatimin e detyrave që kishte çdo anëtar i Komitetit. –por kjo ishte vetëm një pjesëz e seriozitetit të këtij njeriu, më pas për të thuhet se: – Ai ishte me horizont shumë të gjerë, i afrueshëm dhe komunikues me njerëzit, qoftë dhe me njeriun më të thjeshtë, por ishte i vendosur dhe pa kompromis. Ishte njeri me autoritet dhe i respektueshëm nga të gjithë. Shtëpia e tij ishte derë e hapur që nuk mbyllej për miqtë e shokët.(13) Ndërsa vetë Ministri i Drejtësisë i sapozgjedhur H. Kadriu shprehej se drejtësia mund të kryente rolin e saj vetëm duke u mbështetur mbi parimet: Qëndrim sa më të butë për vegjëlinë, e as një lëshim për krerët, asnjë marrëveshje me ta, ky duhet të jetë qëndrimi i parlamentit,(14)kur parlamenti po hartonte ligjet mbi organizimin e Drejtësisë.
Sfidat e qeverisë së re ishin të shumta, por më kryesorja ishte shtrirja e “fuqisë” së saj në mbarë territorin shqiptar me kufij të përcaktuar nga ndërkombëtarët, pasi gjithandej ishe kaos. Meritë të padiskutueshme në sukseset e qeverisë kishte pikërisht Hoxhë Kadriu pasi, më 11 mars 1920, mbas shumë vitesh nën drejtimin e ndërkombëtarëve apo e pushtuar, Shkodra më në fund do të qeverisej nga Qeveria Shqiptare e Lushnjës, ku Ministri i Drejtësisë Hoxhë Kadri Prishtina (i cili e njihte mirë qytetin pasi aty ishte dhe veprimtaria e tij me anë të MKK) dhe Ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu u futën si triumfues duke marrë në dorë drejtimin e qytetit.(15) Mbas Shkodrës sfidat e tjera do të ishin Durrësi dhe Vlora, futja e këtyre dy qyteteve me rëndësi nën administratën e qeverisë së re, dhe kjo do të realizohej gjithashtu falë këmbënguljes, trimërisë dhe seriozitetit të H. Kadiut.
Qeveria e zgjedh sërish Hoxhën si përfaqësuesin e saj për bisedime me palën italiane të cilët jo vetëm Vlorën, por tashmë kishin shtënë në dorë dhe Durrësin duke përfituar nga gjendja në vend. Përfaqësuesi italian ishte një njohësi i mirë i Shqipërisë dhe një diplomat karriere, të cilin e zgjodhën për t’i bindur shqiptarët t’ia lejonin Italisë “mbikëqyrjen” e Shqipërisë. Sipas burimeve arkivore, suksesi i të votëbesuarve të Qeverisë Shqiptare, Hoxhë Kadriu dhe Ndoc Çoba, ishte i padiskutueshëm, pasi mbas shumë këmbënguljesh ata arritën që t’i largojnë italianët nga Durrësi, të cilët ishin futur shpejt dhe papritur gjatë formimit të Qeverisë së Kongresit të Lushnjës,(16) përfaqësuesit e Qeverisë Shqiptare guxojnë duke i dhënë ultimatum italianëve që të largohen nga Durrësi deri në orën 10 të datës 18.05.1920, mbas kësaj misioni diplomatik quhet i kryer dhe nëse akoma nuk janë larguar nga Durrësi, Qeveria do të detyrohej të vepronte në rrugë të tjera.(17) Qeveria e Sulejman Delvinës do të jepte dorëheqje mbas 8 muajsh, nga ministrat më të suksesshëm të saj pa diskutim që ishte Hoxhë Kadri Prishtina, i cili më pas do të kishte funksione në Parlament.
Në zgjedhjet e para parlamentare që u bënë në Shqipëri në vitin 1921, Hoxhë Kadriu u zgjodh Përfaqësues i Prefekturës së Dibrës (Deputet) gjatë kohës 21 prill 1921 – 30 shtator 1923.(18) Gjithashtu në 1921 ai u zgjodh dhe nënkryetar i Parlamentit dhe anëtar i komisionit të drejtësisë.(19) Më 1 gusht 1921 Këshilli Kombëtar (Parlamenti) caktoi një grup pune i përbërë nga 12 anëtarë, mes tyre edhe Hoxhë Kadri Prishtina(20), të cilët do të merreshin me zgjerimin e “Kushtetutës” e quajtur ndryshe Statusi i Lushnjës, i cili kishte vetëm 3 nene dhe ishte nevoja për zgjerimin e tij, gjë që u realizua duke e Zgjeruar Statusin e Lushnjës i përbërë mbas këtij punimi nga 129 nene që rregullonin nga ana ligjore mbarëvajtjen e Shtetit Shqiptar. (21)
Më 6 dhjetor 1921 Këshilli i Lartë i drejtohet Qazim Kaculit për formimin e një Qeverie, gjë të cilën ai e mori përsipër. Gjatë formimit të kabinetit cakton Kadri Prishtinën si Ministër Drejtësie, por ngaqë një pjesë e mirë e kabinetit nuk pranuan postet formimi i qeverisë dështoi, Këshilli i Lartë i drejtohet Hasan Prishtinës për formimin Qeverisë, ky i fundit has vështirësi në formimin e saj, Hasani emëron Hoxhë Kadriun Ministër Drejtësie si njeri të besuar të tijin por dhe si jurist i zoti, por e ngarkon dhe me detyrën e zv/Ministër i Punëve të Brendshme pasi Luigj Gurakuqi i caktuar si Ministër ishte jashtë vendit, dhe kjo qeveri do të zgjaste vetëm 5 ditë, 7-12 dhjetori 1921(22)
Gjatë karrierës së tij politike, për t’u theksuar është akuza që iu bë nga Savri Vinjau, mbasi nuk ishte më Ministër, se e kishte rrënuar Ministrinë e Drejtësisë në 3 aspekte: Organizim, financë dhe personel.
1. Se institucioni dhe organizimi i Gjykatave është i çuditshëm, ose më saktë është Fetar-Islam, me njerëz të çuditshëm që nuk pranojnë negocime, kundërshtime, diskutime, që gjykojnë me Sheriat dhe mungon siguria, pasi me të gjykojnë vetëm hoxhallarët në gjuhën ‘turke’ (osmane), gjuha në të cilën ishte gjykuar gjatë Sundimit Osman, dhe kjo nuk ishte e pëlqyer për të.
2. Në harxhimin e shumtë të të hollave, për të ngritur këto institucione-gjykatat, me mbi 200.000 f.a. në total për mbarë Shqipërinë, dhe sipas S. Vinjaut nuk ishte e nevojshme.
3. Gjithashtu dhe në personel, në numër të shumtë që ka marrë duke mos qenë e nevojshme. Theksin e kritikës S. Vinjau ndaj Ministrit të Drejtësisë (1920) më së shumti e vendos në kapacitetin njerëzor pasi ai kishte urdhëruar që çdo gjykatë minimalisht të kishte 3 anëtarë, ndërkohë që personeli për këtë mungonte dhe për më tepër që duheshin njohës të sistemit “osman” ose thënë ndryshe të Sheriatit, dhe se kategorikisht duhej që mbarë Gjyqësori në vend të pastrohej njëherë e mirë prej “Gjykatave Fetare Islame”, pasi për të ishte totalisht i papranueshëm gjykimi me Gjyqtarët e Sheriatit.(23)
Në zgjedhjet e radhës të vitit 1924 Hoxhë Kadriu zgjidhet sërish Përfaqësues në Parlament, por këtë herë për Prefekturën e Kosovës, nga data 21 janar 1924 deri në 2 qershor 1924.
Në vitin 1921 Hoxhë Kadriu ishte kryetari i Partisë Përparimtare, partia opozitare, gjithashtu në qarqet politike të kohës ai është quajtur si përparimtar. Dhe sipas vlerësimit të historianëve,Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Hoxhë Kadriu luajtën një rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e shtetit shqiptar,(24) por njëkohësisht ata punuan për të shpëtuar territoret shqiptare të Kosovës nga sh
ovinistët serbë, duke u përballur dhe me Ahmet Zogun, i cili ishte kundërshtar politik, i cili i përndoqi që të tre pasi mori dhe konsolidoi pushtetin në 1925.
Më 20 janar 1925, në moshën 47 vjeçare Hoxhë Kadri Halimi (Prishtina) ndërron jetë pas një sëmundje të rëndë që e kishte zënë që në kohën kur ishte në burg.
Ky ishte një këndvështrimin nga “dritarja” që pak e kanë parë Hoxhë Kadriun, por për t’i kuptuar më së miri idetë, parimet, besimin dhe veprimtarinë e Hoxhës, normalisht do të duhej një studim i hollësishëm i historisë së tij, i veprave dhe veprimtarisë së tij fetare, politike, intelektuale, bamirëse, sociale, etj.
 
 
_______________________
(1) Përjashto vetëm Qemajl Morinën, apo ndonjë shkrim të viteve të fundit që ka një qëndrim disi më ndryshe.
(2) Qemajl Morina, Hoxhë Kadri Prishtina-mendimtari islam, M.D.I. Prishtinë 2000, fq. 18
(3) Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu, ILPSH, nr. 3 Shkodër 1965, fq. 440
(4) Udhë e s’Vërtetës; Nr. 1, shtator 1923, Shkodër; Për më shumë mbi këtë çështje shih revistën e plotë që gjendet në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, gjithashtu dhe librin e Q. Morinës i cili e ka analizuar hollësisht revistën.
(5) Eqber Skëndi, Hoxhë Kadriu, Rilindja Prishtinë 1992, fq. 10
(6) 100 personalitete shqiptare të kulturës Islame, K.M.SH., Tiranë 2012, fq.127-129.
(7) A.Q.Sh. F. 822, D. 1, fq. 708-581, cituar nga Eqber Skëndi…..fq.14
(8) Për më shumë shih Pal Doçin… dhe Eqber Skëndin…
(9) Pal Doçi, Hoxha Kadri Prishtina, fq. 33, Geer 2005, Tiranë
(10) Historia e Popullit Shqiptar V.3, Toena, Tiranë 2007, fq. 124
(11) Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu, kumtesë me rastin e 40 vjetorit të vdekjes, Buletin ILPSH nr. 3, Shkodër 1965, fq.439.
(12) Historia e Popullit Shqiptar V.3, Toena, Tiranë 2007, fq. 139-150
(13) Nivila Hoxha, 70 vjetori i themelimit të komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ Shkodër 1988; kumtesa gjendet pranë Institutit të Historisë në Tiranë.
(14) A.Q.Sh. F.838, D. 81, fq.232-234.
(15) Historia e Popullit Shqiptar V.3, Toena Tiranë 2007, fq. 148
(16) AQSH, Fondi 846, D. 30, cituar nga Pal Doçi, në Hoxha Kadri Prishtina, fq. 48, cituar më lart.
(17) AQSH, Fondi 846, D. 31, cituar nga Pal Doçi, në Hoxha Kadri Prishtina, fq. 48, cituar më lart.
(18) Përgatiti: Diana Estrefi; Ligjvënësit Shqiptarë 1920-2005; Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005.
(19) Eqber Skëndi, Hoxhë Kadriu, Rilindja Prishtinë 1992, fq. 140
(20) Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, fq.319, Toena 2009 Tiranë.
(21) Historia e Popullit Shqiptar V.3, Toena Tiranë 2007, fq. 187, 182.
(22) Kastriot Dervishi; Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet; 55 Tiranë 2012.
(23) Gazeta “KOHA” 25.12.1920 Viti XI i botimit nr.25. gjithashtu dhe nr.26 në vitin XII të botimit, 01.01.1921
(24) Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, fq.221, 325, Toena 2009, Tiranë.
 
 
 
Edmond Sharka
Revista Drita Islame, Shtator 2013
Artikulli paraprakBest selfie?!
Artikulli vijuesMigrimi lë shkollën fillore “Dardania” pa një klasë (Video)