I gjendet drogë në makinë, 32-vjeçari arratiset; rrezikon jetën e doganierëve

Nga strukturat e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Korçë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve, u bë shpallja në kërkim, si edhe po punohet për kapjen e shtetasit Jurgen (Denis) Memini, 32 vjeç, banues në Korçë.

Sipas të dhënave zyrtare, më datë 17 shkurt, 2016, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në dalje të Republikës së Shqipërisë, Memini, pasi ka kryer kontrollin në vijën e dytë të automjetit të tij, tip “Mercedez-Benz” me targë AA009AU, me të cilin udhëtonte, ka kaluar në pikën e kontrollit me skaner. Nga procedura e skanimit u dyshua se brenda mjetit mund të kishte lëndë narkotike. Jurgen Memini, porsa ka parë se i është evidentuar lënda narkotike, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, por është kthyer mbrapa dhe është larguar me shpejtësi, së bashku me automjetin e tij, në drejtim të Bilishtit, duke rrezikuar dhe jetën e punonjësve të Policisë Kufitare që kanë tentuar ta bllokojnë.

Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë, si edhe u ngritën pika kontrolli, në zonat ku dyshohej se ky shtetas bashkë me automjetin e tij, mund të fshihej. Nga veprimet e shpejta, shërbimet operacionale Kufitare, bënë të mundur gjetjen e automjetit, të këtij shtetasi në fshatin Vishocicë, të rrethit Devoll, ku ky i fundit e kishte braktisur.

Në vijim të punës, në lidhje me këtë rast, gjatë kontrollit që Policia ushtroi automjetit tip Benz me targë AA009 AU, rezultoi se në pjesën e serbatorit, u gjetën të fshehura si dhe u bllokuan me cilësinë e provës materiale 11 pako me bimë të dyshuar narkotike Kanabis sativa, me peshë të përgjithshme 11 kg e 400 gr. Në automjet, u gjet dhe u sekuestrua edhe pasaporta biometrike, në emër të këtij shtetasi. Nga ana e strukturave të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Korçë, si edhe Specialistëve të Seksionit kundër Narkotikëve, po punohet intensivisht, për kapjen e shtetasit të sipërpërmendur, evidentimin e personave të tjerë të implikuar, si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprat penale : “Trafikimi i narkotikëve “ mbetur në tentativë, si edhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

2 3

Artikulli paraprakJu të dy po na fyeni të gjithëve
Artikulli vijuesShpërthimi në Ankara, kryeministri turk fajëson kurdët e sirisë