Imam Ebu Hanifetu en-Nu’man
(Allahu e mëshiroftë!)
Imam Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, lindi në vitin 80 hixhri në qytetin e Kufës. Ai rridhte nga një familje e ndershme, besnike, e ditur dhe e pasur. Babai i tij ishte një njeri i devotshëm dhe i shquar në mesin e njerëzve për besnikëri. Ai ishte nga tregtarët më të mëdhenj të mëndafshit në qytetin e Kufës. Ebu Hanifja që në fëmijërinë e tij e mësoi përmendësh Kuranin gjatë kohës që ndihmonte babanë e tij në shitjen e mëndafshit. Pas vdekjes së babait të tij, Ebu Hanifja e trashëgoi këtë tregti nga ai, pasi ishte fëmija i vetëm në familje dhe shembull për sinqeritet dhe ndershmëri. Pasi merrej me tregti, nuk i ndiqte me rregull ligjëratat e dijetarëve të Kufes. Ai vazhdoi kështu derisa deshi Allahu që të takohet me dijetarin e famshëm, Amir ibën Sherahil esh-Sha’bij, Allahu e mëshiroftë! Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kalova një ditë nga Sha’biju e ai ishte ulur. Më thirri e më tha: “Për ku je nisur?” Unë ia ktheva: “Po shkoj në treg”, dhe i përmenda mësuesin tim. Ai më tha: “Nuk pata për qëllim këtë, mirëpo pata për qëllim shkuarjen te dijetaret”. I thashë: “Unë nuk shkoj vazhdimisht tek ata.” Ai më tha: “Mos e bëj këtë, kërko dituri dhe ndiqi ligjëratat e dijetareve, se unë shoh në ty zgjuarsi dhe zotësi.” Kjo fjalë zuri vend në zemrën time dhe e lashë anash shkuarjen në treg dhe nga këtu fillova të merrem me dituri[1].
Në kërkimin e diturisë
Shkenca e parë që ai filloi të mësonte ishte gramatika e gjuhës arabe dhe më pas filloi të merret me teologji (Ilmul-Kelam). Ishte i njohur për debatet me ateistët dhe të humburit nga rruga e drejtë. Ai përfitoi shumë dhe u bë i njohur nga të gjithë. Ebu Hanifja shkoi në qytetin e Basras me shumë se njëzet herë për të debatuar dhe kundërshtuar disa dyshime që armiqtë e Islamit kishin shpikur. Ka debatuar me Xhehm ibn Safvanin derisa e ka mposhtur atë dhe e ka bërë të heshtë. Debatonte me mu’tezilët dhe havarixhët derisa ua bënte të qarta të gjitha argumentet. Ka debatuar edhe me ekstremistët shiitë, derisa i la pa fjalë.
Më pas, Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, filloi të merrej me shkencën e fikhut duke shkuar te dijetari i famshëm Hammad ibën ebi Sulejmani, Allahu e mëshiroftë, shejhu i fukahave të Kufës. U thellua aq shumë në shkencën e fikut, saqë i interesonte çdo çështje në të. Ai vazhdoi t’i ndjekë mësimet te shejhu i tij derisa ai vdiq në vitin 120 hixhri. Sjellja që kishte ndaj shejhut të tij ishte e çuditshme. E priste te shtëpia derisa dilte për namaz dhe e shoqëronte rrugës për në xhami apo diku tjetër. Kur falej, lutej për të ashtu si lutej për prindërit e tij.
Pas vdekjes së shejhut Hammad ibën ebi Sulejman, Allahu e mëshiroftë, nxënësit e tij ishin të pajtimit që Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, të bëhej shejhu i tyre, pasi ishte më i dalluari në mesin e tyre. Kështu, Ebu Hanifja me kalimin e kohës u bë shejhu kryesor i shkollës së Kufës, që më vonë u bë e njohur si shkolla e mendimit. Ai u bë imami i fukahave të Irakut. Autoriteti i tij çdo ditë sa vinte e rritej, madje u bë i njohur edhe jashtë vendit të tij. Ai është takuar me dijetarët e kohës së tij në qytetin e Basras, Mekës, Medinës e më pas edhe në Bagdad, pasi e kishte ftuar kalifi Mensur. Përfitoi prej tyre dhe ata përfituan prej tij.
Në vendin ku ligjëronte mblidheshin dijetarë të mëdhenj të hadithit dhe të fikut, si Abdullah el-Mubarek, Hafs ibën Gijathi, Imam Ebu Jusufi, Imam Muhammedi etj.
Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, u bë njohësi më i mirë i fikhut në vendin e tij dhe këtë e kanë dëshmuar shumë dijetarë. Alij ibën Asimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sikur të ishte peshuar dituria e Imam Ebu Hanifes me diturinë e moshatarëve të tij, do të kishte peshuar më shumë dituria e tij.”[2]
Hafs ibën Gijathi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fjalët e Ebu Hanifes në fikh janë më të holla se qimja e flokut. I njollos ato vetëm injoranti.”[3]
Ibën Mubareku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ebu Hanifja ka qenë njeriu më i ditur në fikh.”[4]
Xheriri ka thënë: “Më ka thënë Mugire, i cili ulej te Ebu Hanifja: “Mëso fikhun, se sikur Ibrahim en-Nahai të ishte gjallë, do të ulej (në ligjëratat e Ebu Hanifes).”[5]
Imam Ebu Hanifja ishte i njohur në rrethin e tij si njeriu më i devotshëm. Këtë e kanë dëshmuar shumë moshatarë të tij, që jetonin pranë tij. Ahmed ibën Jusufi tregon se e ka dëgjuar Zaiden duke thënë: “Jam falur me Ebu Hanifen në xhaminë e tij në namazin e jacisë. Të gjithë dolën nga xhamia, ndërsa ai nuk e dinte se unë isha në xhami. Dëshiroja ta pyesja për një çështje duke mos më parë askush. Mirëpo ai u ngrit (për namaz) dhe këndoi Kuran, derisa arriti te ajeti: “E Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit.”[6] Qëndrova në xhami duke e pritur (për ta pyetur), por ai nuk pushoi duke e përsëritur këtë ajet derisa u thirr ezani për namazin e sabahut.”[7]
Ibën Muhtar el-Hammani tregon se babai i tij e kishte shoqëruar Ebu Hanifen për afro një vit dhe kishte thënë: “Nuk e kam parë ditën duke ngrënë (d.m.th. agjëronte), ndërsa natën vetëm duke u falur. Nuk fuste në gojën e tij asnjë kafshatë prej parave të tjetërkujt, e falte namazin e sabahut me abdestin e fillimit të natës (jacisë) dhe e përfundonte këndimin e tërë Kuranit kur paraqitej agimi i parë, ndërsa kur paraqitej agimi i dytë falte dy rekate. Tërë natën e tij e kalonte në ibadet.”[8]
Mësuesit e tij
Numri i tyre ishte shumë i madh. Disa historianë tregojnë se numri i tyre arrin deri në 4000. Ne po përmendim vetëm disa prej tyre:
1) Hammad ibën ebi Sulejmani, Allahu e mëshiroftë. Ky ishte shejhu me të cilin qëndroi më shumë, përafërsisht tetëmbëdhjetë vjet. Vdiq në vitin 120h në Kufë.
2) Ata ibën ebi Rebah ishte nga dijetarët më të mëdhenj të tabiinëve. Vdiq në vitin 114 hixhri, sipas mendimit më të saktë.
3) Abdurr-Rrahman ibën Hurmuzi, vdiq në vitin 117 në Egjipt.
4) Amër ibën Dinar el-Mekki. Vdiq në vitin 126 në Mekë.
5) Adij ibën Thabit el-Ensari el-Kufi. Vdiq në vitin 116 në Kufë.
Nxënësit e tij
Edhe nxënësit e tij ishin të shumtë, mirëpo ne do të përmendim vetëm disa prej tyre :
1) Zufër ibën Hudhejl ibën Kajsi
2) El-Kadi ebu Jusuf Ja’kub ibën ibrahim el-Ensari
3) Hammad ibën ebi Hanife, djali i Ebu Hanife
4) Muhammed ibën Haseni
5) Nuh ibën ebi Merrjem i njohur si Ebu Asametu el-Mervezij.
Librat e tij
Në kohën kur jetoi Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, nuk ishte e njohur shkruarja e librave ashtu siç u bë e njohur më vonë apo siç njihet në kohën tonë. Për këtë arsye librat e shkruar prej tij ishin të paktë. Ata janë:
1) El-Fikhul-Ekber me transmetim të Hammad ibën ebi Hanifes
2) El-Fikhul-Ekber me transmetim të Belhiut
3) El-A’lim ve-lmuteal-lim me transmetim të ebi Mukatil es-Semerkandit
4) Risaletul-Imam ebi Hanifete ila Uthman el-Betta
5) El-Vasijje më transmetim të ebi Jusufit.
Vdekja e tij
Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, vdiq ashtu siç vdesin të sinqertit dhe shehidët në vitin 150 hixhri në Bagdat. Ne e lusim Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta që ta mëshirojë këtë dijetar me mëshirën e Tij të pafund, t’ia ngrejë shkallët e tij në xhennet dhe ta bashkojë me Pejgamberët, të sinqertët, me shehidët dhe të mirët, siç na ka treguar në librin e Tij, ku thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me Pejgamberët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh, sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Nisa: 69)
Literatura:
1) Sijer A’alam en-Nubela – Shemsud-din ebu Abdall-llah Muhammed ibën Ahmed edh-Dhehebi.
2) Imam Ebu Hanife bejne ehlul-fikhi ve ehlul-hadith – Saad Ibën Abdall-llah.
3) Tehdhibul-Kemal – Jusuf ibën Zek-ki Abdurr-Rrahman ebul-Haxh-xhaxh el-Miz-zi.
4) Ahbar ebi Hanife ve ashabihi Lis-Sajmerij.
5) Et-Tabekat es-Sunnijje fi teragjumil-Hanefijje Lit-Tekijj el-Gizzi.
________________________________________
[1] Ahbar Ebi Hanife ve ashabihi, fq. 2.
[2] Sijer a’lam en-Nubela 11/488.
[3] Sijer a’lam en-Nubela 11/488.
[4] Sijer a’lam en-Nubela 11/489.
[5] Sijer a’lam en-Nubela 11/489.
[6] Tur: 27.
[7] Et-Tabekatus-Sunnijje fi teragjumil-Hanefijje, fq. 32.
[8] Ahbar ebi Hanife, fq. 42.