Historia na tregon se dikur njerëzit që mjaftoheshin me pak ushqim ishin më të shumtë, por kjo vlente jo vetëm për ushqimin e trupit që hynte nga goja, por edhe për ushqimin e shpirtit që hynte nga zemra. Mjaftonte një fjalë për të ndryshuar krejtësisht jetën e një njeriu, madje në disa raste edhe jetën e një kombi të tërë, për ta transformuar atë rrënjësisht. Një urtësi e thënë në kohën e duhur, vendin dhe personin e duhur mund të bënte mrekulli. Sot raste të tilla janë shumë të rralla, sepse inflacioni e ka zhvlerësuar edhe atë.
Jetojmë në epokën e inflacionit të parasë, ushqimit, mallrave dhe padyshim edhe të fjalës. Kemi shumë para, por nuk kemi fuqi blerëse, hamë shumë, por me shumë pak cilësi, konsumojmë mallra pafund, por që prishen mjaft shpejt, dëgjojmë dhe lexojmë ngado, por shumë pak na bën dobi. Fjala pra e ka humbur peshën e saj të dikurshme, pikërisht për të njëjtat shkaqe që e kanë humbur edhe paraja dhe mallrat.
Firma dhe individ të panumërt ofrojnë një pafundësi mallrash me cilësi të dobët dhe çmim të lirë, për këdo dhe në çdo kohë.Të shtrenjtin pak kush e blen. E njëjta gjë ndodh sot edhe me fjalën, po për të njëjtat arsye, ndaj dhe njerëzit që shesin më shumë fjalë sot janë ata që e japin atë me shumicë dhe më lirë, herë si mall të tyre e herë si të blerë e të rishitur. Aq sa edhe fjala më me peshë barazohet me atë pavlerë, aq sa edhe tregtari rishitës shpesh është më i pasur edhe se vetë prodhuesi i saj.
Karakteristikë e gjësë së lirë është se ajo skadon shpejt dhe shkakton uri që kthehet në sëmundje kronike që nuk ka gjë që e ngop. Por ashtu siç një trup i shëndetshëm nuk varet nga sasia e ushqimit që ha, por së pari nga cilësia e tij, ashtu edhe një shpirt i dëlirë ka nevojë për urtësi dhe jo për broçkulla pa fund fjalësh. Dhe cilësia nuk prodhohet çdo ditë dhe nga çdokush, qoftë edhe nga ai që i thotë këto fjalë.
Justinian Topulli