“Po dal shpesh po dal veq kur është koha e mirë, kam dëshirë verës, shpesh dal, kur është koha e mir“, tha Muaz Memeti, njofton TV 21.
Njëzet e njëvjeçari Muaz Mehmeti nga Buteli i Shkupit ka tetë vite që është i lidhur me karrocën e tij. Ai që nga lindja vuan “hidocepalus”, ndërkaq me kalimin e viteve i është paraqitur edhe epilepsia. Ashensorin që po shihni është ndërtuar nga njerëz human, për lehtësimin e lëvizjes së Muazit, i cili para se të ndërtohej ashensori pati kaluar gati 3 vjet pa lëvizur nga banesa. Edhe pse ashensori është ndërtuar, Agimi, babai i Muazit thotë se është shumë vështirë të mirëmbahet.
“Prej komunës kërkojmë të paktën mirëmbajtjen e ashensorit, të na ndihmojnë qoftë komuna e Butelit ose Çairit. Rryma afër 6000 denarë na ka ardhur këtë muaj, tash shikoni, 100 euro për këtë familje është shumë. Sa të mundet të na ndihmojnë në mirëmbajtjen e ashensorit, sepse afër 750 eurove kushtuan motori dhe litari, të cilat na i siguruan disa njerëz human”, u shpreh Agim Mehmeti, Babai i Muazit.
Nënkryetari i shoqatës së invalidëve “ Shpesa” Blerim Rexhepi thotë se nga institucionet e vendit nevojitet më shumë përgjegjësi dhe punë për t’i plotësuar nevojat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Elena Koçoska, nga organizata Polio Plus është e mendimit të njëjte. Ajo thotë se edhe zyrtarisht është diskriminim i institucioneve ndaj personave me nevoja të veçanta sipas konventës së Kombeve të Bashkuara.
Ajo thotë se Maqedonia është e obliguar t’i përmbahet Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara pasi që në vitin 2011 ka ratifikuar këtë dokument, në kuadër të cilit sigurohet e drejta për të pasur qasshmëri për këta qytetarë.