Irani kap një avion amerikan

Ushtria iraniane deklaron se ka kapur një avion amerikan pa pilot në hapësirën e saj ajrore, mbi ujërat e Gjirit Persik.

Garda Revolucionare deklaroi se kanë ulur në tokë një avion të tipit “ScanEagle”, një nga dronët më të vegjël dhe më pak të sofistikuar që përdoret nga amerikanët.

Admirali Ali Fadavi, i cituar nga agjencia e lajmeve “FARS”, tha se avioni kishte kryer një seri fluturimesh mbikëqyrëse mbi Gjirin Persik në ditët e fundit, para se të kapej.

Për momentin nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk ka pasur një koment. Droni “Scan Eagle” është një variant “low cost”, i ndërtuar nga “Insitu”, një degë vartëse e gjigandit “Boeing”.

Admirali Fadavi tha gjithashtu se avionë të tillë zakonisht lëshohen nga anije të mëdha luftarake. Garda Revolucionare është një njësi elitë e ushtrisë iraniane që vepron me forcat e saj detare.

Artikulli paraprakFundi i misionit të NATO-s në Kosovë?
Artikulli vijuesKërcënimi i Iranit dhe eksportet e armëve nga Gjermania në Arabinë Saudite