Këshilli Mbipartiak i iniciuar ditë më parë nga Lëvizja BESA duket se po përkrahet nga shumë personalitete, parti opozitare, dhe organizata joqeveritare. Sot, përmes një deklarate publike ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Mahmut Jusufi ka thënë se do të jetë pjesë e Këshillit Mbipartiak opozitar.
“Ndoqa me shumë kujdes nismën për themelimin e frontit të gjerë opozitarë dhe ideja më pëlqeu shumë. Kjo është një ide origjinale dhe për herë të parë paraqitet në veprimin politik shqiptarë, pra themelimi i një këshilli mbipartiak është hapi i duhur në kohën e duhur. Shihet qartë se synimi është unifikimi dhe jo interesat personale apo grupore të ndonjë partie. Sidomos, përshtypje të jashtëzakonshme në paraqitjen e kësaj platforme më ka lënë se Lëvizja BESA u shpreh e vendosur se është vetëm inicatiore e bashkërendimit të forcave opozitare dhe do të jetë vetëm një zë në atë përbërje dhe jo bartëse e saj. Pra, mbështes, përkrah dhe e them publikisht se unë do të jem pjesë e Këshillit Mbipartiak të iniciuar nga BESA. Ndjehem përgjegjës para familjes time dhe para shoqërisë që nëse nuk mundem vetë të bartë procese të këtilla, së paku të jap kontributin tim në favor të së mirës së përgjithshme”, – ka theksuar Jusufi.