ISIS-i dhe Iblisi

Hoxhë Altin Plumbi

Allahun e falënderoj dhe prej Tij ndihmë kërkoj, si dhe levdatat, shpëtimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, familjarët, shokët dhe pasuesit e tij!
Perdorimi i simbolikave, emrave, sloganeve dhe rregullave legjislative etj. të fesë islame nga çdokush që ka qëllim per ta denigruar këtë fe triumfatore, as nuk e ul atë e as nuk mund ta implikojë atë në shume prej krimeve që dikush mund të bëjë në emër të saj. Përdorimi i disa sloganeve dhe i rregullave legjislative islame nga shteti i ashtuquajtur islam, siç njihet ndryshe me llagapin ISIS, nuk e implikon islamin e as muslimanët për veprat të tyre. Prej urtësisë dhe drejtësisë është vendosja e gjërave në vendin e vet, kurse ky lloj shteti i ka keqpërdorur sloganet dhe rregullat, qofshin qëllimisht apo jo, duke e deformuar opinionin rreth islamit dhe muslimanët në shume vende të botës. Dikush nga vendet islame nëse e praktikon dënimin me vdekje për arsyet dhe parimet që ata i besojnë dhe u mbështeten, ashtu sikurse edhe në perëndim ka vende që për arsyet dhe besimin e tyre i praktikojnë këto lloj vendimesh, kjo nuk do të thotë që gjithkush mund ta zbatojë një praktikë të tillë sipas qejfit të tij, por i takon autoritetit të vendit të ndjekë rrugën e ligjit te i cili mbështetet për ta zbatuar. Nëse dijetarët e një vendi islam, japin fetua për çështje të tilla, nuk do të thotë se ia adresojnë zbatimin e fetuas çdokujt që e dëgjon, por autoritetit të vendit të tyre që ka të drejtën të ndjekë zbatimin e të gjithë rrugëve ligjore në këtë vend. Nëse një ish-imam i Qabes, që në të vërtetë nuk i përket kategorisë së dijetarëve referencë në vendin e tij e as jashte vendit të tij, aq sa njihet për njohuritë dhe artin e këndimit të Kuranit, kur jep një opinion të tijin, që mbetet po i tiji se, ISIS-i është lëvizje me mendim selefist dhe nuk është kritikuar për doktrinën, por për mënyrën e zbatimit të doktrinës, kjo nuk është e vërtetë, por madje është kritikuar fort nga një numër i madh dijetarësh për doktrinën mbi të cilën mbështet tekfirin e shumë muslimanëve dhe dijetarëve e pushtetarëve të kohës, pa llogaritur edhe mënyrën e zbatimit të disa rregullave legjislative.
Iblisin nuk e përligj në mohimin e tij, betimi në disa cilësi të Zotit, kur ai zotohet se do t’i humbë njerëzit nga rruga e drejtë, sikurse as islami e muslimanët nuk mund të implikohen prej emrit që ndonjë vend i ka vendosur vetes si Republikë Islamike. Kjo e gjitha, marrë shkas nga një postim i një faqeje filo- shiite(rafida) – iraniane në gjuhën shqipe, e cila kishte postuar një video të një ish-imami të Qabes si argument për ideologjinë dhe luftën mediatike që kjo faqe mbështet, kundra selefizmit dhe ashtuquajturit ‘Vehabizëm’. Kësaj faqeje i mjafton besimi dhe krimet e ithtarëve dhe dijetarëve të tarafit shiito-rafidi që ajo mbështet, për të mos qenë pikë referimi dhe bashkëpunimi për muslimanët shqipfolës, e aq më tepër për hoxhallarët dhe klerikët muslimanë.

E lus Allahun të na ruajë nga e keqja e armiqve të fesë së Tij, si në Shqipëri, ashtu edhe kudo në botë.

Artikulli paraprakPrifti Arsenije trondit Serbinë: Vajzat tona duhet të vishen si myslimanet
Artikulli vijuesIslami është fe e së ardhmes