Ismail Morina: Pse dhe si e hodha dronin mbi stadiumin e Beogradit

Më 14 tetor një flamur fluturoi mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Ai flamur ishte një histori guximi dhe krenarie që tërhoqi vëmendjen e të gjithë opinionit sportiv botëror, po aq sa dhuna që u ushtrua mbi lojtarët e kombëtares shqiptare të futbollit.
 
Në një rrëfim eksluziv për Digitalb dhe gazetarin Dritan Shakohoxha, Ismail Morina rrëfeu se si lindi ideja, peripecitë, të papriturat dhe rrezikun për jetën për të ngritur një dron mbi stadiumin e Beogradit. Sakrifica e një njeriu rezultoi krenaria e miliona të tjerëve. Në tregimin e tij, Ismaili tregoi se ai flamur i ngritur në një ndeshje futbolli lindi realisht pas një ndeshje futbolli.
 
“Menjëherë pas hedhjes së shortit kisha një ndeshje futbolli me miqtë e mi, disa shqiptarë dhe disa italianë. Italianët po na ngacmonin pak me batuta meqë do të luanim me Serbinë dhe njëri prej tyre në një moment më thotë: ‘Pse nuk përdorni një nga helikopterët që përdorim ne kryesisht, një dron, për të vënë një mesazh e për ta ngritur mbi qytet?’. Aty më erdhi shkëndija e parë. Kisha dy versione fillimisht: një flamur me shqiponjën e sotme dhe një me shqiponjën e Skënderbeut,  zgjodha këtë të dytën, siç u pa dhe në transmetim. Ndërkohë sa i përket fjalës, fillimisht mendova të shkruaj diçka në italisht, por më pas kërkova në internet një version anglisht për fjalën autokton dhe një që më doli ishte ‘autochtonus’. E vendosa menjëherë, sepse mu duk diçka elegante”, rrëfeu Ismail Morina.
 
Përgatitjet nuk ishin të thjeshta, as udhëtimi gjithashtu. Gjithçka u planifikua muaj më parë, pati shumë gjëra të paparashikuara, por dëshira për të pasur një prezencë shqiptare në Beograd ishte e madhe.
 
“Më 26 korrik përfitova nga një vizitë në Shqipëri për të kaluar mes Beogradit. Isha i bindur që ndeshja do të bëhej në stadiumin e Cërvena Zvezdës, madje bëra dhe xhirime rreth e përqark stadiumit. Kalova edhe nga stadiumi i Partizanit, por nuk i kushtova shumë rëndësi. Më pas, kur mësova që ndeshja do të luhej në stadiumin e Partizanit të Beogradit u stepa disi. Gjithsesi, mora informacionin e nevojshëm me ‘google maps’ dhe kisha 3 ose 4 pika nga ku mendoja të ngrija flamurin. Pika më e volitshme ishte 50-70 metra në vijë ajrore. Gjithashtu, kontaktova dhe me një djalë nga Shkupi dhe bashkë me të planifikuam çdo gjë. Unë dhe ai ngritëm flamurin”, vazhdoi rrëfimin e tij, Morina.
 
Ismail Morina qëndroi i fshehur për 17 orë në ditën që do të ngrinte dronin mbi stadium, ndërkohë që duke menduar se gjendej brenda zyrave të klubit të Partizanit të Beogradit, Morina nuk kuptoi se flamurin kishte planifikuar ta ngrinte nga brenda akademisë ushtarake të Serbisë.
 
“Kam bërë një udhëtim prej 12 orësh. Ideja ka qenë ta hedh gjatë këndimit të himneve, shikoja orën dhe e dija që në 21 e 32 mbaronte pjesa parë. Aty u montua droni. Kam ndez dronin, kam ngecur spangot, kam futur dy tubat plastike dhe tashmë isha gati, por nuk arrita dot ta ngrija, sepse në atë moment pranë meje kaloi dikush dhe isha i shqetësuar mos më kishin zbuluar. Para fundit të pjesës së parë, mora vendimin për ta ngritur, pasi nuk kisha më kohë. E ngrita në ajër, i bëra një xhiro në lagje dhe më pas e futa në stadium. Megjithatë, nga shpejtësia mendova se ishte Shqipëria me të kuqe dhe kur pashë që dikush po zgjatej për ta kapur mendova t’ua lija djemve, për t’u karikuar. Në fakt, dështova. Unë e kam pasur një dështim”, u shpreh Ballisti, siç njihet ndryshe Ismaili.
 
Largimi nga Beogradi nuk ishte i thjeshtë, ashtu si dhe kalimi i kufirit.
 
“Më pikasën në momentin që po largohesha nga godina. Mora makinën me shpejtësi dhe u nisëm drejt autostradës, bashkë me shkupjanin. Në kufi kisha frikë se si do të reagonte policia. E kisha vendosur që, nëse do nuhasnin diçka, do t’i jepja gaz dhe do kaloja traun. Për fat gjithçka shkoi mirë”, tregon Morina.
 
Por, si ka ndryshuar jeta e Ismail Morinës pas asaj dite? Gjërat për të duket se janë vështirësuar gjithnjë e më shumë.
 
“Efekti ka qenë negativ, nuk kam kontakte siç duhet me familjen time. Shkoj me periudha të shkurtra pranë saj. Kur vajza kishte datëlindjen, kam qëndruar vetëm 3 ditë në shtëpi. Rutinën  e përditshme që kisha dikur tani e kam të pamundur”, tregon ai.
 
Në fund, Ismaili valëvit dhe njëherë tjetër flamurin “autochtonus”, vetëm se këtë herë mes kodrinave të fshatit të tij, aty ku u formua dashuria për Shqipërinë dhe ëndrrat për të nesërmen, që ndryshuan shumë pas asaj nate në Beograd.
Artikulli paraprak350 mijë palestinezë, kaluan natën e Kadrit në Xhaminë Aksa
Artikulli vijuesEdhe kjo ndodhë, Australia përfshihet nga dimri i pazakontë, mbulohet nga bora