Ja çfarë sjell stresi në trafik

Të gjithëve na ka ndodhur që të shqetësohemi dhe të acarohemi kur vazhdimisht bllokohemi në trafik. Nëse stresoheni vazhdimisht, kini kujdes, pasojat ndikojnë në shëndetin tuaj mendor edhe pas shumë vitesh.
Sipas një studimi, trafiku nuk është thjesht një radhë e pafund makinash, shumë orë pritjeje dhe nerva të acaruara për momentin, por shkakton çrregullime të rënda mendore. Acarimi i përditshëm për gjëra stresuese nga më të voglat deri te më të mëdhatë mund të grumbullohet me kalimin e kohës dhe të shkaktojë probleme mendore vite më pas.
Psikologët këshillojnë se të dish si të ruash qetësinë dhe gjakftohtësinë në ditët e sotme, është po aq pozitive sa të hash shëndeteshëm apo të kryesh palestër. Ata theksojnë se këto momente stresuese, shpesh të panevojshme, por edhe të pakontrollueshme janë po aq të këqija sa sëmundjet, ushqimet e pashëndetshme dhe mungesa e ushtrimit fizik të trupit.
Profesoresha e psikologjisë dhe specialiste e sjelljeve shoqërore, Suzana Çarls, është drejtuese e një studimi që kërkonte të zbulonte nëse acarimet e përditshme na dëmtojnë apo na bëjnë më të fortë. Studiuesit zbuluan se përgjigjet ndaj stresit të përditshëm ishin shumë negative. Ato ishin shpesh shkak për grindjet mes çifteve dhe konflikteve në punë.
Profesori Irvin, nga Universiteti i Kalifornisë, shtoi: “Për fat të keq njerëzit nuk i kushtojnë rëndësi shëndetit mendor, deri në momentin kur ai bëhet një problem madhor dhe kërkon më pas vëmendje profesionale”.
Qëndrimi i zgjatur në trafik dhe ekspozimi ndaj faktorëve stresues sillte çrregullime psikologjike, ankth dhe probleme me humorin deri edhe pas 10 vjetësh. Sipas studiuesve, shumica e njerëzve shfaqnin probleme shëndetësore të lidhura, jo me ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tyre, por me ndodhitë e vogla të jetës së përditshme dhe emocioneve që ato shkaktonin.
Nëpunësit e mesëm gjenden nën nivelin më të madh të stresit në vendin e punës. Kjo, për shkak se ata hasen me të dyja format e autoritetit, atë të personave që qëndrojnë mbi ta dhe me autoritetin që duhet t’u imponojnë atyre që kanë nën varësi. Studime të tjera tregojnë se stresi gjatë trafikut rrugor mund ta dëmtojë rëndë kujtesën. Shkencëtarët pretendojnë se vetëm pak orë stres i rënduar mund të fshijë nga kujtesa ngjarje dhe mësime të marra së fundmi.
Artikulli paraprakPërdorimi i shumtë i teknologjisë, arsyeja kryesore e shkaktimit të rrudhave
Artikulli vijuesSi ta kuptoni se po vuani nga ulçera?