Ja nje lutje jashtezakonisht e bukur.
Në një gjendje ngushtimi e dhimbjesh, Profeti a.s. drejtohet për në Taif, me shpresë se atje do të gjejë mbështetje, strehim dhe ndihmë, përkundër popullit të vet, i cili e përndiqte dhe e mundonte. Ai i ftoi ata në adhurimin e Allahut Krenar e të Lartësuar, por nuk gjeti ndonjë që ta strehonte a ta ndihmonte. Madje atje e shpërfillën dhe e goditën rëndë, duke përdorur kundra tij forma poshtërimi që as në Mekë nuk i pati provuar. Me të qëndronte Zejd Ibn Harithe.
Në periudhën dhjetëditore që ai qëndroi në Taif, nuk la fisnik dhe kryetar fisi pa i shkuar dhe pa i folur. Por përgjigja ishte gjithmonë ajo: “Shporru nga qyteti ynë!” Ata përdorën si formë dëbimi një mënyrë tepër poshtëruese. Ata ndërsyen të gjithë rrugaçët dhe të çmendurit e Taifit, të cilët e vendosën Profetin a.s. mes dy rreshtave të tyre dhe nuk rreshtën së gjuajturi me gurë, derisa i gjakosën këmbët e trupin atij dhe shërbëtorit të tij besnik, Zejd Ibn Harithes.
Profeti a.s. doli nga Taifi, duke mbartur thellë në shpirt shijen e hidhur të trishtimit e të zhgënjimit. Po kthehej, dhe fjalët lutëse i dilnin nga zemra: “O i Adhuruari im ! Vetëm Ty të qahem për dobësitë e mia! Takti dhe mënyrat e mia me njerëzit janë të pakta, të dobëta. Sa i shpërfillur qenkam tek njerezit! Ti je më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve! Ti je Zoti që kujdeset për të dobëtit. Ti je Zoti që kujdeset për mua! O Zoti im! Tek kush po më lë të mbështetem?! A mund të gjendet mbështetja tek i largëti, që më trajton me vrazhdësi e ashpërsi!? Po tek armiku, që më ka nën kontroll?! Ti të mos jesh i zemëruar ndaj meje, se për asgjë tjetër nuk pyes! Nuk kam aspak dyshim se mbrojtja dhe ruajtja Jote është shumë më e madhe dhe më afër meje (se zemërimi Yt)! O Allah! Kërkoj mbrojtje dhe strehim në dritën e Fytyrës Sate, prej së cilës janë ndriçuar errësirat dhe është zbukuruar çdo skaj i dynjasë dhe ahiretit. Unë kërkoj mbrojtje që të mos më prekë zemërimi Yt e të më kapë hidhërimi! Unë do të kërkoj kënaqësinë Tënde derisa Ti të kënaqesh! Porse nuk kam fuqi dhe nuk mund ta ndryshoj gjendjen, veçse me ndihmën e suksesin që vjen prej Teje!”
Zad el mead vell 3