Januzaj fundos Sunderlandin për Man.United (Video)

Manchester Unitedi ka regjistruar fitore prej 2-1 si mysafir i Sunderlandit në Stadium of Light, nga dygolëshi i supertalentit shqiptar, Adnan Januzaj.
Vendasit ishin fantastikë në pjesën e parë dhe pas një gabimi të mbrojtjes mysafire arritën te goli i hershëm përmes Craig Gardner (5’) dhe me epërsi e mbyllën gjysmën e parë.

Mirëpo, në fraksionin e dytë shkëlqeu mesfushori shqiptar, Adnan Januzaj, të cilit menaxheri David Moyes i besoi nga minuta e parë.

Talenti 18-vjeçar mori një top nga Patrice Evra dhe shënoi golin e tij të parë në startimin e parë në formacionin bazë të Djajve të Kuq (55’) duke e barazuar rezultatin.

Nuk kaluan shumë minuta dhe futbollisti i lindur në Bruksel me një vole shënoi golin e dytë personal dhe kaloi mysafirët në epërsi (61’).

Ky rezultoi të ishte edhe goli i fitores për ekipin mysafir, pasi rrjetat nuk u prekën më deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.

Manchester Unitedi numëron 10 pikë pas shtatë xhirosh dhe aktualisht mban vendin e nëntë në tabelë. Sunderlandi ka arkëtuar vetëm një pikë dhe pozicionohet në fund të tabelës. /Telegrafi/

[iframe width=”420″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/kheuCyPYK1c” frameborder=”0″ allowfullscreen]
Artikulli paraprakMicrosoft, Bill Gates mund të dalë nga skena
Artikulli vijuesNgulfatje nga kamatat