Përfshirja gjithnjë e më e madhe në trendet online, si fotot nudo dhe dërgimi i mesazheve me përmbajtje seksuale të vajzave adoleshente, po shqetëson ekspertët për sigurinë e kësaj grupmoshe dhe për perceptimin e tyre për veten
Dikur, vetëm të pasurit dhe të privilegjuarit mund të përballonin që të kishin një pikturë të portreteve të tyre nga artistët e përzgjedhur të rrethit shoqëror. Me shpikjen e fotografisë, prindërit arritën të bënin foto të fëmijëve për të dokumentuar zhvillimin dhe për të treguar bukurinë e tyre të pafajshme te familje dhe miqtë.
Sot, me shpikjen e smartfonëve dhe rrjeteve sociale, ne kemi në dorë të gjitha mjetet për të shpërndarë krenarinë dhe gëzimin tonë te bota. Ne po i ekspozojmë fëmijët tanë që në lindje ose madje përpara saj.
92 për qind e fëmijëve amerikanë kanë një prani online përpara moshës dyvjeçare. Prindërit postojnë thuajse 1000 imazhe të fëmijëve të tyre online përpara se të mbushin pesë vjeç. Prindërimi përmes shpërndarjes së fotove të fëmijëve i ka dhënë kujdesit të prindërve një dimension tjetër: performancën sipas normës së shikuesve.
Debati qendror është nëse ka siguri postimi i fotove të fëmijëve online. Siç tregojnë ngjarjet e fundit, rreziku është i madh prej pedofilëve dhe vrasësve që kanë llogari online. Ndërsa fëmijët përfshihen në aplikacione tepër të rrezikshme, një sjellje me shumë influencë po lihet jashtë vëmendjes: sjellja jonë.
Fëmijët sot akuzohen si narcistë, por ata mund të jenë duke shprehur sjelljen e prindërve të tyre. Sot fotot e vetes, mesazhet seksuale, pëlqimet, zemrat dhe gjithçka tjetër është vetëm një klikim larg. Interneti ka treguar se e vetmja mënyrë për të marrë vlerësimin e shoqërisë është të dukesh joshëse. Seksi shet, pavarësisht nëse je 13 apo 35.
Në këtë klimë, nuk është çudi që dërgimi i mesazheve seksuale dhe shpërndarja e fotove nudo ka zëvendësuar format e tjera të intimitetit. Janë pikërisht vajzat dhe mbesat tona ato që hasen me rrezikun më të madh nga ky seksizëm online. Vajzat që postojnë foto provokuese të vetes vuajnë shpesh nga përbuzja si të përdala. Vajzat shpesh shënjestrohen në talljen online për seksualitetin e tyre.
Unë kalova dy vite e gjysmë të punës sime kërkimore duke biseduar me mbi 200 vajza nga 10 shtete. Si po e prekin rrjetet sociale vlerësimin e tyre për veten?
Adoleshentet, me të cilat bisedova, shpesh tregonin telashet që hasnin në lidhje me perceptimin e imazhit për veten dhe kishin dijeni për efektet e kundërta të seksualizmit te vajzat, pa e ditur gjithnjë se si ta zgjidhnin atë.
Seksizmi ka hyrë në zona të reja, të cilat të rriturit nuk i shohin ose kuptojnë, sepse ata nuk po e përdorin median sociale në të njëjtën mënyrë. Ata e shohin “Snapchat” ose “Instagram” si një lojë ku asgjë nuk mund të shkojë keq. Por në këtë “lojë” vajzat janë ato që rrezikohen më tepër.
Fjala viktimë nuk është e duhura për të përshkruar vajzat që janë përzier në atmosferën e rrezikshme dhe armiqësore për to online. Si është e mundur të ndodhë kjo kur vajzat janë gjithnjë e më të arsimuara dhe kur po synojnë pozicione drejtuese? Faktet tregojnë se vajzat amerikane janë më të privilegjuarat dhe më të suksesshmet në botë.
Përse disa vajza postojnë foto seksuale? Një shpjegim është kërkimi i më shumë vëmendjeje. Dëshira për të marrë sa më shumë pëlqime. Ndërtimi i një profili online në mediat sociale është njëlloj si ndërtimi i një marke, ku për të rritur shikueshmërinë luhet shpesh me përmbajtjet seksuale.
E gjitha kjo, përballë fiksimit të prindërve për ta promovuar sa më shumë veten online. Të famshmit po japin shembullin e tyre për arritjen e suksesit sipas kësaj mënyre. Tani prindërit postojnë edhe vetë video të vajzave të tyre që imitojnë Taylor Swift apo Nicki Minaj për të marrë vëmendjen e medias.
Një lloj “konkurrence” e heshtur mes vajzave dhe nënave për t’u dukur njëlloj po bëhet gjithnjë e më e madhe. Rezistenca ndaj plakjes është bërë gjithnjë e më e pranishme dhe produktet antiplakje janë në krye të shitjeve.
Kërkesa për operacione plastike dhe produkte të tjera kozmetike është rritur shumë në vitet 2000 dhe më tepër akoma në vitet 2010 e lart. Procedura e dytë më e përhapur e operacionit plastik te gratë e moshave 40 deri në 54 në vitin 2014 ishte rritja e gjoksit.
Një faktor i seksualizmit në shoqërinë amerikane që injorohet shpesh është shtimi i pornografisë online. Studimet kanë treguar se fëmijët amerikanë fillojnë të shohin porno online që në moshën gjashtëvjeçare dhe shumica e tyre e ka parë përpara se të mbushë 18 vjeç.
Gjithnjë e më shumë dëgjojmë për “rrethin e dërgimit të mesazheve me përmbajtje seksi”, ku foto nudo të adoleshentëve qarkullojnë në grupe të mëdha. Grupe të tilla janë të zakonshme në shumë shkolla amerikane.
Feministët e rinj kanë argumentuar se fotot e vajzave në poza seksuale janë një shprehje e seksualitetit të tyre. Por kjo nuk justifikon aspak imazhet seksuale të vajzave nën moshë. Sado që teoricienët përpiqen ta kufizojnë apo t’i japin një lloj shkëlqimi pjesëmarrjes së vajzave në kulturën e medias sociale, janë pikërisht vajzat e vogla dhe ato adoleshente që përjetojnë telashet nga veprimet e tyre online.
*Nga Nancy Jo Sales