Kapen 34000 litra naftë kontrabandë

Njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë, duke zbatuar planin operativ “Parandalimi i kontrabandës dhe ekonomisë joformale”, kanë parandaluar dhe kanë identifikuar disa raste të shmangies nga taksat doganore të mallrave të ndryshëm.

Avni Zahiti, zyrtar për informim në Policinë Rajonale në Mitrovicë, i ka thënë gazetës “Zëri” se vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në kuadër të këtij plani Policia ka regjistruar disa raste të identifikimit dhe sekuestrimit të mallrave të ndryshme, si derivate të dyshuara të kontrabanduara, ku sasia që është kapur vlerësohet të jetë 34.000 litra derivate të naftës, të sekuestruara në dy raste të ndryshme dhe të cilat u janë dorëzuar autoriteteve doganore në Mitrovicë, për procedurë të mëtejme.

“Përveç derivateve të naftës, deri më tani Policia ka identifikuar dhe ka sekuestruar edhe mallra të ndryshme të tjera, si pije alkoolike, pije joalkoolike, produkte ushqimore, tekstil (mbi 320 palë xhinse), vlera e të cilave mbetet të përcaktohet nga dogana. Bashkë me sasinë e mallrave janë sekuestruar edhe një maune, një furgon dhe katër vetura tjera në të cilat janë hasur mallrat e dyshuara”, ka thënë toger Zahiti.

Sipas tij, nga rastet e përgjithshme, derivatet e naftës vazhdojnë të shënojnë numrin më të madh të rasteve të identifikuara të kontrabandës, deri më tani. Toger Zahiti ka shtuar se veprimet policore në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, po hasin në rreziqe të vazhdueshme, ku në disa raste, persona të dyshuar kanë penguar dhe kanë rrezikuar Policinë dhe automjetet zyrtare, si gjatë kontrollit ashtu edhe në rastet e ndjekjes së automjeteve të dyshuara. Sipas tij, deri më tani janë iniciuar procedura penale ndaj katër personave të dyshuar të identifikuar, ndërsa hetimet po zhvillohen në identifikimin e të dyshuarve të tjerë.

“Qasja policore në fushën e parandalimit të kontrabandës do të vazhdojë gjithnjë mbi bazën e autorizimeve policore, në mbështetje dhe në bashkërendim me autoritetet tjera institucionale që kanë autorizime në parandalimin e kësaj dukurie”, ka thënë në fund zyrtari për informim në Policinë Rajonale në Mitrovicë, toger Avni Zahiti.

Artikulli paraprakRemitencat përmirësuan standardin jetësor në Kosovë
Artikulli vijuesTurqi – Kroaci, formacionet zyrtare