Lojtari serb i Çelsit, Branislav Ivanoviç, ka folur për ndeshjen kualifikuese të 8 tetorit, Shqipëri-Serbi.
Një nga mbrojtësit më të mirë në botë nuk kërkon që të tijtë të bazohen tek ajo që ndodhi 14 tetorin e kaluar në Beograd, për t’u hakmarrë ndaj shqiptarëve, por të synojnë fitoren në fushën e lojës.
Duke folur për “Vecernji Novosti”, kapiteni i kombëtares serbe tha: “Ne lojtarët e dimë se nuk kemi kontribuar fare në dënimet drakonike që dha UEFA dhe KAS-i për ndeshjen e parë kualifikuese.
Ne e kemi vuajtur dhe duruar në mënyrën tonë vendimin që u dha përfundimisht nga Gjykata Sportive e Lozanës, i cili për mua nuk ishte i drejtë.
Nuk ka vend për asnjëlloj hakmarrjeje, përpos dëshirës për t’i mposhtur rivalët”,- tha Ivanoviç.
Serbia ia ka thënë me kohë “lamtumirën” kualifikimit në “Francë 2016”, por Ivanoviç garanton se do të bëjnë gjithçka për të fituar në “Elbasan Arena”.
Ai kërkon futboll e “fair-play” në fushën e lojës, për të mos përjetuar më ndodhi si ato të 14 tetorit 2014, në Beograd.
“Nuk kemi frikë, jemi shumë të motivuar për ndeshjen që do të luajmë në Shqipëri më 8 tetor, – shton kapiteni Branislav Ivanoviç në intervistën për ‘Vecernji Novosti’. – E përsëris, kemi një motivim të veçantë, për shkak se kjo ndeshje është historike dhe, para së gjithash, duhet ta fitojmë.
Sa i takon rezultatit, për ne kjo ndeshje nuk ka rëndësi, por nuk mund të harrojmë atë që ndodhi në Beograd, sepse 14 tetori i vitit të shkuar solli shumë dëme për Serbinë”.
Kapiteni serb nuk pret provokime nga tribunate e stadiumit: “Unë nuk mendoj se do të ketë incidente, duke pasur parasysh faktin se ne nuk e kuptojmë gjuhën e tyre.
Pra, çfarëdo të thonë shqiptarët nga tribunat e stadiumit, nuk do të na prekë neve psikologjikisht.
Ata janë nën presion më shumë se sa ne, sepse janë organizatorë të ndeshjes dhe ndëshkimet për çdolloj gabimi janë të rrepta nga UEFA.
Ne si futbollistë nuk mendojmë fare për këto gjëra, por vetëm të japim më të mirën në fushë, të përfaqësojmë si duhet vendin tonë,”- përfundon lojtari i Çelsit për “Vecernji Novosti”./Telesport/