Kerry: Pakti me Iranin e bën botën më të sigurt

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i tha Zërit të Amerikës se zbatimi i marrëveshjes bërthamore ndërkombëtare me Iranin do ta bëjë botën më të sigurtë, do të përmirësojë standardin e jetesës për iranianët dhe do të hapë mundësi të tjera ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Sekretari Kerry ka luajtur rol parësor në përpjekjet e administratës për të siguruar mbështetjen e ligjvënësve skeptikë në Kongresin amerikan.
 
Në një intervistë me Shërbimin Iranian të Zërit të Amerikës, zoti Kerry shprehu besim se ligjvënësit do të arrijnë të kuptojnë se dështimi për të miratuar marrëveshjen e arritur mes Iranit dhe gjashtë vendeve perëndimore mund të çojë në konflikt dhe luftë të mëtejshme në Lindjen e Mesme.
 
“Sepse në qoftë se ne nuk kemi një marrëveshje të tillë, atëherë, besoj, Ajatollahu do të thotë: “Pse duhet të negocioj me këta njerëz? Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk kanë ndërmend ta bëjnë.” Përse kolegët tanë në botë duhet të mbështesin sanksionet, kur ata mund të mendojnë se megjithëse marrëveshja u arrit ne po i largohemi asaj? Pra e gjithë puna dështon dhe sjell rreziqe të mëdha për rajonin.”
 
Zoti Kerry mori në mbrojtje administratën ndaj kritikave se ajo duhet të kishte kërkuar një axhendë të gjerë me Iranin, që të përfshinte çështjet e të drejtave të njeriut dhe të kishte siguruar lirimin e disa amerikanëve që mbahen të arrestuar në Iran.
 
“Siç e kemi thënë më parë, në qoftë se do të kishim zgjedhur një numër çështjesh mes Iranit dhe komunitetit botëror ose ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ne do të negocionim për 10 vjet me radhë dhe asnjëherë nuk do të kishim arritur dot marrëveshje. Ne nuk kishim aq shumë kohë, për shkak të çështjes bërthamore.”
 
Zoti Kerry tha se nëse zbatohet në tërësi, marrëveshja mund të sjellë shumë gjëra pozitive lidhur me Iranin.
 
“Kjo përfshin mundësinë për të udhëtuar, por ajo që mund të bëhet menjëherë është heqja e sanksioneve të veçanta në sektorin e financës, në sektorin bankar, në lëvizjen e mallrave. Irani do të lejohet të shesë mallra të tillë si fistikë, qilima apo ushqime të ndryshme. Pra, disa gjëra do të lejohen por ende jo të gjitha. Embargoja kryesore mbetet në fuqi.”
 
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi dje njëzëri një rezolutë me të cilën i thotë “Po” marrëveshjes bërthamore. Administrata e Presidentit Obama i paraqiti Kongresit të dielën një plan, i cili përfshin një periudhë 60-ditore që ligjvënësit të shqyrtojnë marrëveshjen. Pakti duhet të miratohet gjithashtu nga ligjvënësit iranianë./Zëri i Amerikës.
 
 
 
Artikulli paraprakPolitika e terrorizimit të fesë!
Artikulli vijuesA kushtojnë syzat e Gruevskit 60 mijë dollarë?