Këta janë ministrat dhe deputetët me shumë vende punë

A.M magjistër në fakultetin juridik, në Universitetin e Prishtinës nuk po mundet assesi të gjej një vend pune.

Në institucionet ku ai ka aplikuar nuk kanë nevojë për ndonjë punëtor. Shpresat i janë shuar se një ditë diploma e tij do ti fal një vend të merituar pune, shkruan Indeksonline.

Ajo çka tani për tani mund të bëj ai është të vazhdoj punën si kamerier në një nga kafiteritë e Podujevës.

“ Ka dy vjet që i kam përfunduar studimet master në fakultetin juridik, por s’kam gjetë punë prej asaj kohe. Tash më duhet diplomën me var në muri, e me vazhdu me ju shërby njerëzve me tabak në kafe”, tregon për Indeksonline, A.M.

Mirëpo, A.M nuk është i vetmi që nuk mundet të siguroj një vend pune.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia në Kosovë gjatë vitit 2016, ka qenë 26.2 përqind.

Sipas ASK-së, papunësia është zbutur nga viti në vit, pasi gjatë vitit 2015 papunësia ishte 32.9 përqind, gjithmonë duke u bazuar në shifrat e kësaj Agjencie.

Ministrat e deputetët me nga dy tri pozita:

Pagat që marrin në institucionet e shtetit, për ministrat e deputetët e Kosovës, duket se nuk janë të mjaftueshme. Kjo dëshmohet më së miri në profesionet tjera që ata ushtrojnë.

Hajredin Kuçi ish ministër i Drejtësisë, në formularët e AKK-së ka deklaruar 4 paga. Ministrit, Kuçi merr pagë në Universitetin e Prishtinës, në Universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë, ku paguhet me honorare.

Ndërsa merr pagë edhe në BPAL AAB. Të paktën kështu është deklaruar në formularët e pasurisë së Kuçit.

Edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti nuk del se paguhet keq. Përveç pagës që merr nga shteti, Hoti merr gjysmën e pagës në UP dhe në Kolegjin privat “Dardania”.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, përveç që drejton MTI-në, është edhe ligjëruese në Fakultetin Ekonomik, shkruan Indeksonline.

Kështu figuron në listën e personelit akademik të UP-së.

Haki Demolli, ministër në Forcën e Sigurisë së Kosovës në të hyrat vjetore të publikuara në faqen e AKK-së, ka deklaruar se merr pagë në Fakultetin Juridik dhe në Kolegjin “Dardania”.

Edhe Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku,paguhet me honorar në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik si dhe pagë prej 50 përqind në Universitetin e Gjilanit.

Ministri i Kulturës Kujtim Shala përveç pagës në Kuvend merr pagë edhe në UP.

Enver Hoxhaj ministër i Punëve të Jashtme, përveç pagës së shtetit, ka deklaruar se ka marrë edhe mëditje nga ligjëratat e mbajtura në Universitetin “St.John’s.

Bekim Haxhiu, deputet në Kuvendin e Kosovës përveç pagës që merr në Kuvend, Haxhiu është edhe asistent mësimor në UP, gjegjësisht Fakultetin e Mjekësisë, derisa deri para pak muajsh ishte edhe nënkryetar i Federatës së Futbollit Kosovar, post prej të cilit dha dorëheqje.

Haxhiu në formularët e pasurisë ka deklaruar se merr edhe pension invalidor në vlerën e 3 mijë e 825 eurosh.

Besim Beqaj, nuk vetmjaftohet me pagën që merr nga Qeveria e Kosovës, e që kap shumën e 25 mijë e 605 eurosh.

Beqaj në formularët e pasurisë ka deklaruar se merr pagë në UP, e edhe në gjimnazin “Cambridge” të Pejës.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti përveç pagës e mëditjeve në Kuvend, paguhet edhe për shërbimin e tij mujor në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në faqen e Universitetit të Prishtinës edhe kryeministri Isa Mustafa ende figuron si profesor i rregullt.

Vjosa Osmani deputete e LDK-së, në formularët e pasurisë ka deklaruar se përveç pagës së deputetes merr pagë edhe në AUK, e në Universitetin e Pittsburgut.

Edhe Melihate Tërmkolli, ka deklaruar se merr të hyra vjetore për punën si ligjëruese në Universitetin AAB.

Deputeti Ilir Deda, përveç pagës së deputetit nga Kuvendi i Kosovës, merr pagë për punën e tij me honorar edhe në Kolegjin ISPE.

Dhurata Hoxha, tani ministre e Drejtësisë, gjatë kohës sa ushtronte punën prej këshilltarje përveç pagave e shtesave në Kuvend, ka deklaruar se është ligjëruese edhe në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK), si dhe në Kolegjin ELSG.

Të gjitha këto rezultate janë nxjerrë në bazë të hyrave vjetore që zyrtarët e shtetit kanë deklaruar në formularët e pasurisë në listat e Agjencisë Kundër Korrupsionit deri në qershor të këtij viti.

Indeksonline ka kontaktuar me drejtorin e AKK-së, Shaip Havollin, mirëpo i njëjti nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të specifikuar nëse kanë filluar hetimet për zyrtarët e shtetit të cilët zotërojnë më shumë se një pozitë.

Ndërkohë Havolli është arsyetuar se janë duke u bërë ndryshime në Ligjin mbi parandalimin e konfliktit të interesit.

“Tash janë duke u bërë disa ndryshime në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, nuk mund të jap përgjigje pa u konsultuar me kabinetin”, ka thënë për Indeksonline Havolli.

Indeksonline ka dërguar pyetje me shkresë në adresën e AntiKorrupsionit dhe është në pritje të përgjigjeve nga kjo agjenci.

“Raporti i PISAS nuk duhet të na befasoj”

Rezultatet e nxjerra nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik PISA, në një hulumtim të sajin sa i përket nivelit të arsimit e kishte nxjerrë Kosovën në nivelin më të ulët, thuajse në fundin e tabelës.

Për këtë eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi thotë se nuk duhet të na habisin rezultatet e nxjerra nga Pisa, pasi sipas tij kemi një sistem të keq arsimor i cili më shumë është shndërruar në biznes se sa në proces të zënies së dijes.

“ Kjo nuk është çështje që duhet të ndërlidhet me papunësinë e atyre që kanë kualifikimin e duhur, por me dëmin e përgjithshëm qe po shkaktohet, meqenëse, pa arsimim cilësor nuk mund të presim zhvillim dhe mirëqenie. Për shkak të zhvillimeve të këtilla nuk duhet të na befasoj raporti i PISA-s. Vërtet jemi keq dhe me sistem tepër të keq arsimor, i cili më shumë është shndërruar ne biznes, se sa ne një proces për zënie të dijes”, ka shpjeguar Rexhepi.

Ndërsa zotërimin e pozitave të shumta të njëjtën kohë Rexhepi e përmbledh kështu:

“Kjo është një mungesë korrektësie dhe pafytyrësi e politikanëve me tituj akademik”.Ata vet kanë bërë ligjet dhe kanë bërë zgjidhje për xhepat e tyre, por krejt në dëme të procesit arsimor, studentëve, cilësisë dhe tek e fundit, edhe në dëme të tërë popullatës dhe prosperitetit të saj, ka deklaruar Rexhepi. /Indeksonline/

Artikulli paraprakMiliardat e ‘ngrira’ të Trustit dhe AKP-së mund ta ngjallin sektorin privat
Artikulli vijuesEmërohen gjykatësit ndërkombëtarë të Gjykatës Speciale