Kombëtarja e bëri të sajën, po ne?

Fitim Zekthi

MAPO
Ajo që po bën ekipi kombëtar i futbollit është e mrekullueshme.
Një grup djemsh, të udhëhequr nga një mjeshtër si trajneri De Biasi, arritën ta çojnë Shqipërinë në fazën finale të një turneu të madh botëror. Prej dekadash, ekipi ynë i futbollit as që i ishte afruar ndonjëherë një rezultati të tillë.
Ndeshje dhe futbollistë të mirë ka pasur gjithnjë, madje mund të ketë pasur edhe më të talentuar se sa grupi i tanishëm, por një ekip që luan futboll në një nivel të tillë, nuk kemi pasur. Edhe komunizmi, me gjithë angazhimin total tipik për një regjim totalitar, nuk prodhoi dot një ekip të tillë. Kjo është pamja e madhe dhe mirënjohja e shprehur për secilin nga futbollistët dhe trajnerin, në mënyrën më të përzemërt të mundshme, do të ishte shumë pak.
Megjithatë, rezultate kaq të mira për vende të vogla, të varfra, të pamësuara me përballje të këtij lloji, rrezikojnë gjithnjë të prodhojnë së paku dy probleme.
Problemi i parë është se futbolli dhe ekipi kombëtar kthehen në gjithçka dhe shqetësime të tjera madhore mbulohen, rrinë aty ashtu me gjithë buhavitjen e tyre, në pritje të shfaqin gjithë fuqinë e tyre më pas.
Në vitin 2000, Diego Maradona po luftonte me vdekjen në një spital të Buenos Airesit, për shkak të përdorimit të kokainës. Gjithë bota po përcillte me dhimbje minutat e kësaj lufte të Maradonës dhe mjekëve. Spitali ishte rrethuar me mijëra fansa dhe gazetarë.
Në këtë kohë, një grua argjentinase botoi në gazetën New Jork Times një letër drejtuar atij, që gjithë Argjentina e kishte legjendë të gjallë. Ajo i shkruante Maradonës se e urrente për drogën, për atë që ishte, një njeri i pacipë, i shthurur etj., por në fund i uronte shërim dhe i shprehte dhimbjen e saj.
Ajo i kujton Maradonës se në vitin 1986, kur Argjentina ishte në një krizë të thellë ekonomike pas luftës me Britaninë për ishujt Falkland, kur ajo në familje nuk kishte bukë për fëmijët, ai kishte qenë heroi i saj. Kishte qenë heroi, jo për ndeshjet që po zhvillonte në Meksikë për Kupën e Botës, porse fëmijët mezi prisnin mbrëmjen për të parë futboll, për të parë Maradonën.
“Fëmijët e mi, gjatë atij muaji nuk më kërkuan asnjëherë bukë. Hëngrën vetëm kur u dhashë, aq pak sa mundesha, një herë në ditë, miell, të gatuar me barishte që i mblidhja në kopsht. Kjo është arsyeja pse të dua, teksa të urrej”, – i shkruan ajo.
E gjithë Argjentina nuk donte bukë, nuk donte asgjë, donte vetëm futboll dhe Maradonën në verën e 1986-s. Sigurisht prindërit në Shqipëri nuk po jetojnë me sytë nga ekipi i futbollit 24 orë, por shumëçka në jetën e vendit është drejtuar për atje.
Parlamenti madje as që u mblodh fare në seancë të enjten që kaloi, shumë ministra dhe deputetë janë në Francë, njerëz përplot ulen kafeve dhe bareve mes skedinash, birrash dhe diskutimesh për futbollin.
Shqetësime si papunësia, niveli i ulët i shitjeve me pakicë, rënia e fuqisë blerëse, korrupsioni, plagosjet për sherre politike, lirime të akuzuarish të fuqishëm, nuk janë askund lajme të para dhe as që zënë vend të rëndësishëm.
Në anën tjetër, kryeministri shkruan se Arrigo Saki i ka dërguar sms ku lavdëron ekipin tonë të futbollit, komenton në tv apo rrjete sociale pas çdo ndeshjeje, komenton mënyrën se si luajti kombëtarja, vlerëson “shpirtin dhe sakrificën, lojën e bukur dhe kurajën”, presidenti Nishani shkon në stadium dhe njofton opinionin se shtrëngoi duart me presidentin Hollande dhe pozoi me fanellën e kombëtares me të etj. etj.
Një tjetër problem që krijohet është edhe iluzioni. Iluzioni është i lidhur me ndijimin dhe perceptimin. Trupi i njeriut (dhe i gjallesave të tjera) ka qeliza të veçanta që quhen receptorë. Ata kapin dritën, tingullin, shijen, dhimbjen, temperaturën, trysninë etj. Çdo receptor ndijues kap sinjalin dhe e dërgon atë në tru. Mënyra se si truri e interpreton atë përbën atë që quhet perceptim.
Në shumë raste, ky interpretim është i saktë, por ka edhe shumë raste të tjera kur interpretimi është i rrejshëm. Këto janë iluzionet. Një prej iluzioneve tona në lidhje me atë që po ngjet në Francë është se “kampionati po tregon se nuk ka ekipe të vogla apo të mëdha.”
Ky iluzion krijohet sepse disa ekipe si Shqipëria, Islanda, Austria, Irlanda e Veriut etj., po bëjnë lojëra të forta, por edhe për shkak se shumë njerëz e përsërisin këtë gjë si klishe. Në fakt kjo është një klishe e vjetër që përsëritet gjithnjë; Në 1982-in u tha, pasi Kameruni apo Polonia luajtën bukur, se nuk ka më ekipe të vogla. Në 1986-ën u tha po e njëjta gjë kur Belgjika shkoi në gjysmëfinale apo Algjeria luajti shkëlqyer kundër Brazilit. Në 1990, e njëjta gjë, pasi dolën ekipe si Nigeria, Kameruni, Koreja e jugut etj., që luajtën mirë.
Kjo gjë vazhdon të thuhet dhe ruan gjithnjë “freskinë” e herës së parë. Jo, Shqipëria është një ekip i vogël, Islanda është një ekip i vogël, siç ka qenë Kameruni, Nigeria, Turqia, Koreja etj., ekipe të vogla. Brazili, Spanja, Gjermania, Italia etj., janë ekipe të mëdha.
Nuk u mundëm nga kartoni i kuq i Canës, nga vendosja gabim e Veselit, as nga humbja e rastit të Sadikut apo Gashit. Iluzioni tjetër është se ne kemi tifozerinë më të mirë në botë, jo si anglezët apo rusët që shkaktuan dhunë. Tifozët tanë që shkojnë nga Shqipëria në Francë nuk janë popull. Janë tifozë të zgjedhur, janë këngëtarë, biznesmenë, politikanë, gazetarë, modele etj. Këta nuk mund të zihen me tifozeritë e tjera. Tifozët tanë që jetojnë në perëndim nuk mund të shkojnë të shpërthejnë në dhunë sepse janë emigrantë, mezi kanë ndërtuar me mund prej vitesh strehët e tyre në ato vende, vijnë nga një vend në tjetrin, të paorganizuar në klube tifozësh.
Anglezët dhe rusët janë popull, vijnë të organizuar dhe janë huliganë. Jo të gjithë tifozët anglezë janë huliganë. Një tjetër iluzion është se mendohet se njerëzit që brohorasin në bare, të rinj dhe të reja, njerëz që shkruhen e luhen nga trupi dhe fytyra me ngjyra kuqezi apo me figura emblematike tonat janë dëshmi e atdhedashurisë. Jo, ata të rinj që shkruhen gjithandej, ato vajzat me gjokset jashtë që vishen me flamur, nuk dëshmojnë atdhedashurinë, ato dëshmojnë egoizmin, narcisizmin.
Kjo nuk vlen vetëm për tifozët tanë, por edhe të tjerët. Narcisizmi është një shtysë e madhe dhe është në fakt dëshmi e mungesës së dashurisë për vendin. Në qoftë se dashuria për vendin do të dëshmohej me statuset në Facebook në mbështetje të kombëtares, me fanellat e veshura nga të rinjtë, me sasinë e bojës së përdorur për të lyer fytyrën apo trupin, apo me intensitetin e zërit kur këndojnë “Xhamadani vija-vija” në kafe, bare apo lokale, atëherë duhet të shtrojmë pyetjen kush e vjedh Shqipërinë, kush e bën këtë vend të padrejtë, cilët janë ata që kurrë në fushata sensibilizuese për fëmijë të sëmurë, jetimë, të përmbytur, të pastrehë etj., nuk japin një lek.
Të paktën të lexojmë atë që po bën Cana, Berisha, Lila, Hysaj, Agolli, Mavraj, Memushaj, De Biasi etj. etj., të kuptojmë punën e palodhur, zemrën e madhe, mesazhet e mrekullueshme që ata përcjellin.
Edhe kaq do dëshmonte se e duam kombëtaren dhe këtë vend.

Artikulli paraprakPrivatizimi ende nuk është shtrirë në komunat me shumicë serbe
Artikulli vijuesTmerruese: Pronarja e kopshtit rrah keq tre vjeçarin (VIDEO)