Komuna nuk jep leje, ngec ndërtimi i fabrikave

Përveç në ditën kur është vendosur gurthemeli, puna në dy fabrikat e kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli, në Krajkovë të Drenasit, nuk ka vazhduar.

Në komunën e Drenasit thonë se investitori paraprakisht duhet të pajiset me leje ndërtimi e pastaj të ndërtojë, ndërkaq kryetari i degës së AKR-së në Drenas, Ilmi Thaçi, fajëson komunën për zvarritje të lëshimit të lejes.
Përveç në ditën kur ishte vendosur guri themeltar, puna në ndërtimin e dy fabrikave simotra të fabrikës së kërpudhave, në Mitrovicë e në Krajkovë të Drenasit, nuk ka filluar edhe pas më shumë se një muaji.

Shumë qytetarë të komunës së Drenasit i ishin gëzuar tej mase fillimit të punës në ndërtimin e dy fabrikave, njëra për përpunimin e kërpudhave dhe tjera për grumbullimin dhe paketimin e frutave të malit, me shpresën se aty do të gjejnë punë.

Vetë kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, duke folur për fabrikat që do t’i investonte ai dhe duke paralajmëruar edhe investime të tjera në komunën e Drenasit, pati thënë se fabrikat do të përfundojnë brenda gjashtë muajve dhe se në to do të gjejnë punë 320 punëtorë, të gjithë të komunës së Drenasit.

Por, vetëm pak më shumë se 1 muaj nga vënia e gurthemelit të fabrikave, gjendja në vendin ku ka filluar ndërtimi i tyre ka mbetur e njëjtë. Problemet me ndërtimin e fabrikave kishin filluar vetëm një ditë pasi që ishte vënë guri themeltar, pasi që gjatë natës ishin dëmtuar tabelat e vendosura që tregonin për investimin e Pacollit në Krajkovë të Drenasit. /Zëri

Artikulli paraprakFshati Kaliçan, që 4 ditë pa rrymë, pa Ujë, pa ngrohje!
Artikulli vijuesÇfarë po ndodh? Trupat dhe tanket e NATO-s marshojnë drejt kufijve të Rusisë